E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata Obama dhe politika në Afganistan



Deri në fund të muajit, administrata Obama do të ketë përfunduar vlerësimin e plotë të politikës amerikane për Afganistanin.

Në fillim të muajit të kaluar, i ngarkuari i ri i Presidentit Obama për Afganistanin dhe Pakistanin, Riçard Hollbruk, tha:

"Nuk ka formulë magjike për Afganistanin. Nuk ka marrëveshje Dejtoni për Afganistanin. Do të jetë një përpjekje e gjatë dhe e vështirë".

Administrata Obama thotë se është duke i dhënë dorën e fundit një strategjie për një përpjekje të gjatë dhe të vështirë, por që tani jepen parashikime për ato që do të mund të jenë taktikat e reja.

Gjenerali Devid Petreus, komandanti amerikan që ka një përgjegjësi të përgjithshme për Lindjen e Mesme dhe Azinë, e ka bërë të qartë se dëshiron të përshtatë disa nga doktrinat e përdorura kundër kryengritjes në Irak.

"Pikësëpari, forcat tona, ato të partnerëve tanë afganë, janë përpjekur për të siguruar dhe për t'i shërbyer popullsisë. Ne duhet ta pranojmë se populli afgan është faktori vendimtar".

Nëse ato janë taktikat e reja, cila ka gjasa të jetë strategjia e re që mund t'i përshtatet? Akademiku me qendër në Londër, Majkëll Uilliams, që ka pasur lidhje të ngushta me ekipin Obama, thotë se është e qartë se brenda Afganistanit do të vihet theksi për një qeverisje më të mirë dhe përforcim të trupave për të matur pulsin e talebanëve atje.

"Fillimisht, administrata do të bëjë disa gjëra. Së pari, do të rrisë nivelin e trupave me 17 dhe ndoshta 30 mijë. Së dyti, ndoshta do të ketë një qasje që do të ketë të bëjë me një fuqizim rajonal, pra që do ta angazhojë qeverinë qendrore që të punojë më mirë me udhëheqësit rajonalë dhe fuqizimin e kontrollit rajonal, për shkak se historikisht Afganistani nuk ka pasur një qeveri shumë të fortë qendrore, pra njëfarë investimi më të madh në institucionet lokale, me shpresën përmes një procesi demokratik, por ka mundësi përmes përdorimit të klientëve të preferuar".

Ajo që ka gjasa të jetë më e veçanta në atë që pritet të jetë qasja e re e administratës Obama, është fokusi në Afganistan si një problem rajonal.

Me fjalë të tjera, kjo do të mund të zgjidhej vetëm duke marrë parasysh interesat, shqetësimet dhe tendencat e fuqive rajonale dhe fqinje, kryesisht Pakistani.

Por përpara se të entuziazmohemi para kohe për mundësitë e një fillimi të ri në Afganistan, gazetari i nderuar me çmime dhe eksperti i njohur për rajonin, Stiv Koll, thotë se duhet të jemi të ndërgjegjshëm lidhur me çka mund të ofrojë vetëm një analizë e politikave.

"Është e nevojshme, por jo e mjaftueshme që të ketë një politikë të paraimagjinuar. Pjesa më e vështirë do të jetë hartimi i kësaj politike dhe zbatimi i saj në rajon",

"Mendoj se do të jetë një vit shumë i vështirë, pavarësisht nga përfundimi i rishikimit apo analizës së politikës".

Nga ana tjetër, ka skepticizëm për qasjen rajonale që është lavdëruar gjerësisht. Jo shumë për urtësinë e kësaj qasjeje sesa për vështirësinë e funksionimit të saj, në mënyrë të veçantë kur është fjala për Pakistanin.

Stiv Koll

"Një prej avantazheve të një kornize ligjore që po sjell administrata Obama është fakti që e drejton vëmendjen direkt tek problemi i Pakistanit dhe pastaj, brenda Pakistanit, tek problemi i forcave të sigurisë. Por përsëri është si situata në terren në Afganistan. Është e rëndësishme që të ketë sukses nga ana konceptuale. Por pasi të bëhet kjo, përballesh me problemin e ndryshimit të qëndrimit, qasjes dhe kapacitetit të shtetit pakistanez. Nuk do të jetë një projekt i thjeshtë dhe pa një shtet pakistanez të suksesshëm apo të kalueshëm, projekti i Afganistanit nuk fillon".

Është e vërtetë që në thelb administrata Obama do të jetë duke bërë të njëjtat kërkesa për Islamabadin sikur bëri më parë Presidenti Bush. Pra, për të luftuar kryengritjen islamike.

Gazetari dhe autori i njohur pakistanez, Ahmed Rashid, thotë se megjithatë, kësaj here ka një ndryshim.

"Së pari, ai nuk kishte ndonjë lloj politike strategjike për Pakistanin.

Ishte vetëm një apel. Tani mendoj se administrata Obama po mendon për t'i dhënë një lloj ëmbëlsimi dhe një i tillë do të ishte një dialog me Indinë për të promovuar dialogun me Pakistanin dhe ndoshta për të ecur drejt një zgjidhjeje për Kashmirin dhe çështjeve të tjera të diskutueshme. Kjo do të ishte diçka që do të apelonte për ushtrinë e Pakistanit. Një tjetër nxitës është edhe një program afatgjatë për ndihmë ekonomike".

Por për sa i takon kryengritjes talebane në Afganistan dhe kaosit në rritje në Pakistan, a mos janë ndryshimi i politikës dhe shtimi i trupave vendime të vonuara? Ahmed Rashidi thotë:

"Kam frikë për Pakistanin më shumë se për Afganistanin. Në Afganistan çështjet janë thjesht bardhë e zi. Publiku nuk e mbështet Talebanin.

Ata mund të jenë të frikësuar dhe të tmerruar nga Talebani.

Ata mund të jenë të zemëruar me amerikanët për shkak të viktimave në radhët e civilëve. Por shumica afgane nuk do një regjim taleban dhe mendoj se kjo është karta më e fortë që mund të luajë administrata Obama. Nëse ata mund të sigurojnë paratë, burimet, sigurinë dhe të sigurojë rindërtimin, mendoj se atmosfera në Afganistan mund të ndryshojë brenda një viti apo dy vjet".

"Tani në Pakistan problemi qëndron në faktin që ka shumë qendra pushteti: ushtria, Presidenti, Kryeministri, opozita, Talebani, talibani lokal, pra ka një situatë më të rrezikshme".

Ajo është një perspektivë që është ndarë nga administrata Obama dhe aleatët e saj, që tani janë duke parë me nervozitet sfidën që kanë përpara.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›