E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët për shpëtimin e nderit kryebashkiak

Edmond Arizaj 

Nderimi ushtarak i kryebashkiakut Edi Rama pasi i numëroi vetë votat për buxhetin sipas stilit gjeorgjian të Stalinit, shprehja "Hajt… mirupafshim", drejtimi me fjalë nga zv.ministri i Brendshëm dhe me sy nga kryetarja e këshilltarëve të LSI-së, ishte në kundërshtim të plotë me deklaratën e një dite më pas, sipas të cilës Rama nuk e ndiente veten fitues mbi Berishën dhe Metën. Kryebashkiaku i kryeqytetit në fakt në ato momente dukej se po ndihej triumfator. Pavarësisht se bëhej fjalë për buxhetin e Bashkisë së Tiranës, ku kishin kontribuar taksat e mijëra qytetarëve, ai e lëshoi veten në një gëzim të pashoq, megjithëse çdo gjë ishte në kufijtë e surrealizmit politik.
Për herë të parë u pa ajo që po paralajmërohet prej kohësh; Rama luan gjithçka për gjithçka. Këtë radhë luajti Bashkinë e Tiranës dhe qytetarët e kryeqytetit dhe ende nuk dihet se si do të dalë rezultati. Herën e dytë, janë socialistët dhe qytetarët e gjithë Shqipërisë. Dhe duket qartë se Rama nuk e parapëlqen dialogun me asnjë forcë tjetër politike, që nuk është e gatshme të "mrekullohet" nga politika e re.
Gjithsesi për qytetarët e Tiranës është e rëndësishme zgjidhja e krizës buxhetore, e cila duket se faturohet në të shumtën e kohës tek vetë kryebashkiaku. Eshtë e rëndësishme për qytetarët, sepse në emër të tyre flitet gjithë kohën, në emër të tyre dhe të mirëqenies së tyre justifikohet çdo lloj mangësie, në emër të tyre sulmohen kritikët, në emër të tyre përdoret cinizmi dhe po në emër të tyre mbulohen para dhe prapamendimet. 
Megjithatë deri në votimin e radhës ekzistojnë disa rrugë që mund të përzgjidhen prej Ramës, me qëllim shmangien e thellimit të krizës në Tiranë dhe turpërimit të tij me qytetarët që e kanë votuar për tre mandate rresht.
Së pari, Rama mund të vazhdojë rrugën e kokëfortësisë. Duke mbajtur të njëjtin qëndrim si një ditë pas mbledhjes së këshillit bashkiak, me arsyetimin se tashmë buxheti është miratuar dhe ai do të vijojë punën. E me këtë rast i jep edhe një goditje më shumë Tiranës.
Së dyti, Rama mund të vijojë sërish bisedimet me anëtarë të tjerë të këshillit bashkiak, jashtë PD-PS-LSI, duke hyrë në çfarëdolloj pazari të dalë në media, të përfolur prej saj, ose ende të pazbuluar.
Së treti, Rama mund të niste bisedimet me këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kërkesat e të cilëve ishin edhe "më elementare" dhe më pranë qytetarëve, se sa ato të Partisë Demokratike. Do të mjaftonte vetëm pak dëshirë dhe vullnet nga Rama, që kriza të mbyllej në këtë mënyrë.
Së katërti, Rama mund të nisë bisedimet me këshilltarët e Partisë Demokratike, duke shfrytëzuar ndihmesën e dhënë në Kuvend për disa ligje tepër të favorshme për kryeministrin. Kështu, pavarësisht se një opozitë voton përherë kundër një buxheti (rregull i pashkruar), këtë radhë mund të justifikohej disi.
Së pesti, Rama mund të kalonte në ekstremitet, duke provokuar zgjedhje të reja për këshillin bashkiak, duke u përpjekur të marrë shumicën, e pas kësaj nuk do të ketë asnjë forcë që mund t'i kërkojë llogari për asnjë lloj buxheti apo shpenzimi të paqartësuar.
Së gjashti, Rama mund t'i shëmbëllente sadopak sivëllait përtej Adriatikut, Veltronit, i cili dha dorëheqjen si kryebashkiak dhe t'i përkushtohej totalisht fitores së ardhshme të Partisë Socialiste dhe vendit të lakmuar si kryeministër. Me këtë lëvizje, Rama shmangte prej vetes gjatë fushatës edhe akuzat për ndërtimet, por përgjysmonte edhe forcat e kundërshtarëve, të cilët do të hidheshin për fitimin e postit të lënë bosh në Tiranë.
Gjithsesi, cilëndo rrugë të zgjedhë apo të sajojë Rama, ajo të paktën duhet të qëndrojë larg akuzave qesharake të bashkimit të votave të LSI me Partinë Demokratike. Kjo, sepse këshilltarët e LSI-së kanë dalë ditë me radhë dhe kanë kërkuar ndryshimet në buxhet e më pas kanë shprehur votën, ndërkohë që deputetët e Ramës nuk folën asnjë fjalë dhe ndryshuan për një orë Kushtetutën. Ndërsa nga ana tjetër, nëse LSI do ta kishte qëllim në vetvete bllokimin e buxheteve ku drejton PS-ja, do ta kishte bërë edhe në ndonjë qytet tjetër të rëndësishëm. Aty ku kryebashkiakët nuk u drejtohen këshilltarëve me fjalët "harrojeni se mund të ndryshoj buxhetin tim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›