E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmbimi, polici në bandën e adoleshentëve

 

Etleva Delia

Shtatë persona, mes të cilëve edhe një efektiv i policisë, mbajtën peng për gati katër orë një adoleshent nga Tirana për shkak se i rrëmbyeri kishte ngacmuar motrën e mikut të rrëmbyesve. Ngjarja zë fill në Petrelë të Tiranës, disa minuta pas mesnatës së mërkurë, kur 18-vjeçari Klevis Kadiu ka pasur një debat me 17-vjeçarin Florjan Teqjan, vëllain e vajzës me të cilin shoqërohej kohët e fundit. Burime nga Policia e Tiranës bënë të ditur se konflikti mes dy adoleshentëve kishte nisur para disa muajsh, kur Florjan Teqja kishte parë disa herë Klevis Kadiun me motrën e tij në rrugë. Por këtë herë 17-vjeçari ka vendosur që të gjejë një mënyrë tjetër për ta bindur 18-vjeçarin Kadiu që të mos i fliste më motrës së tij. Vëllai i vajzës ka lajmëruar shokët e tij, të gjithë me banim në Petrelë, duke u treguar problemin që kishte ndërsa të gjithë kanë rënë dakord që të merrnin peng Klevis Kadiun. Falë një denoncimi që dyshohet se ka mbërritur në Komisariatin nr.1, nga vetë vajza për të cilën kishte nisur konflikti, gjithçka është zgjidhur brenda katër orëve dhe pengu është liruar me ndërhyrjen e uniformave blu. Policia në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm ka mundur të arrestojë policin e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit nr.4 Robert Luzi, si dhe Klodian Çakmashin, Armand Durishtin, Florian Teqjan, Endrit Qordjan, Armando Dishën dhe Ernaldo Maxhakun. Burimet zyrtare thanë se shtatë personat e arrestuar akuzohen për heqje të paligjshme të lirisë të kryer në bashkëpunim dhe kanosje.
PENGMARRJA
Prej disa muajsh mes Florian Teqjas dhe Klevis Kadiut, të dy banues në Petrelë, kishte nisur një konflikt, pasi i rrëmbyeri shoqërohej vazhdimisht me motrën e Teqjas. Ky i fundit i kishte kërkuar disa herë 18-vjeçarit që të mos i fliste më vajzës, por siç duket adoleshenti ka vazhduar të këmbëngulë për të pasur një lidhje me bashkëmoshataren e tij. Mesditën e të mërkurës, Teqja e ka parë sërish Kadiun që i fliste motrës së tij dhe mes tyre ka nisur një debat i ashpër. Policia tha se 17-vjeçari Teqja ka paralajmëruar Klevis Kadiun që ky muhabet nuk do të mbyllej me kaq dhe pasi është larguar brenda disa minutash ka lajmëruar 6 miqtë e tij, të cilët i kishte fqinjë në fshat. Ata kanë siguruar edhe një makinë, tip "Land Rover", me targë TR 3060 M, e cila ishte në pronësi të vëllait të Endrit Qordjas, pasi kishin vendosur që ta merrnin 18-vjeçarin Klevis Kadiu dhe t'i bënin presion që të mos e vazhdonte më "lojën" me motrën e shokut të tyre. Polici Robert Luzi, Florian Teqja, Armand Disha, Ernaldo Matraxhi, Klodian Çakmashi, Endrit Qordja dhe Armand Durishti janë nisur për në qendër të fshatit dhe e kanë marrë me forcë, duke e futur në makinë Klevis Kadiun. Më pas ata janë drejtuar për në kodrat e Petrelës, ku e kanë mbajtur adoleshentin për 4 orë, duke e kërcënuar që të mos e ngacmonte më motrën e Florian Teqjas.
LIRIMI I PENGUT
Rreth orës 03:30 Komisariati nr.1 është lajmëruar nëpërmjet një telefonate në sallën operative për ngjarjen që kishte ndodhur në Petrelë. Burime nga policia bënë të ditur se telefonata dyshohet të jetë bërë nga motra e Florjan Teqjas, për të cilën kishte nisur edhe konflikti mes dy adoleshentëve. Ajo ka treguar se mes personave që mbanin peng në makinë Klevis Kadiun, ishte edhe një punonjës policie. Menjëherë në drejtim të Petrelës është nisur një fugon policie nga Komisariati nr.1, si dhe dy oficerë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Gjithçka është zgjidhur brenda gjysmë ore. Uniformat blu kanë bërë të mundur lirimin e pengut, si dhe kanë arrestuar 7 personat të cilët e kishin rrëmbyer, duke e mbajtur me forcë në makinë. Pas arrestimit, të shtatë autorëve të ngjarjes, grupi i hetimit ka filluar procedurat formale duke marrë në pyetje të rrëmbyerin si dhe duke mbledhur deklarimet e familjarëve të personave të implikuar në veprën penale, të heqjes së paligjshme të lirisë dhe kanosjes serioze për jetën. 

Hetimi, dëshmitare vajza që u bë sebep i sherrit 
TIRANE - Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen e rrëmbimit të adoleshentit në Petrelë, tha dje se autorësia e krimit tashmë është e qartë, megjithatë ka momente që duhet të sqarohen para se të arrestuarit të dalin në gjykatë, për caktimin e masave të sigurisë. Një prokuror i gatshëm nga Tirana ka marrë pjesë dje në procedurat paraprake hetimore ndërsa merreshin në pyetje shtatë personat që ranë në pranga si dhe vetë i rrëmbyeri. Burimet nga grupi i hetimit thanë se mes personave që do të pyeten si dëshmitarë është edhe vajza, e cila paraprakisht mendohet se ka qenë shkak i sherrit. Sipas hetuesve, ajo do të pyetet për marrëdhëniet e saj me të rrëmbyerin, nëse ai i ka sjellë shqetësime si dhe për veprimet që ajo ka kryer me të vëllain. Hetuesit thanë se dëshmia e vajzës mund të sqarojë shumë momente të pengmarrjes si dhe rrethanat në të cilat vëllai i saj ka lajmëruar miqtë e tij, duke i angazhuar në planin kriminal të rrëmbimit të 18-vjeçarit.

te arrestuar

Robert Ferit Luzi, 22 vjeç, polic në Komisariatin nr.4

Armando Hasan Disha, 24 vjeç, banues në Tiranë

Ernaldo Bujar Matraxhi, 18 vjeç, banues në Tiranë

Klodian Skënder Çakmashi, 20 vjeç, banues në Tiranë

Florian Teqja, 17 vjeç, banues në Tiranë

Endrit Qordja, 18 vjeç, banues në Tiranë

Armand Durishti, 17 vjeç, banues në Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›