Gjyqi i invalidit, Strasburgu i vë 6 mijë euro gjobë Shqipërisë
TIRANE - Dhunimi i të drejtave të qytetarëve për akses në gjykatë, Strasburgu dënon Shqipërinë me 6 mijë euro gjobë. Vendimi i radhës kundër shtetit shqiptar është shpallur tri ditë më parë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ka favorizuar paditësin Ramiz Dauti, pas rrëzimit të padisë së tij nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar. "Gjykata e Strasburgut vendosi më datë 3 shkurt të pranojë ankesën e qytetarit shqiptar, Ramiz Dauti, i cili kishte aplikuar pranë këtij institucioni për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe konkretisht në lidhje me Nenin 6/1 të këtij akti, përsa i përket dhunimit të të drejtës për akses në gjykatë për të kundërshtuar vendimet administrative të organeve shtetërore", thuhet në një njoftim të bërë dje nga Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, avokati i së cilës Genci Terpo përfaqësoi në gjykim padinë e Dautit. Ankuesi Dauti vuante nga dëmtime serioze të shëndetit të tij, si rezultat i një aksidenti të rëndë të pësuar në punë më 14 prill 1992, çka i hiqte atij mundësinë për të punuar në të ardhmen. Pas periudhës së shtrimit në spital, më 13 mars 2001 i është rekomanduar të aplikonte për KEMP për të përfituar nga kjo mundësi. Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, Dibër në vendimin e 28 shtatorit 2001 i ka njohur të drejtën ankuesit, por i ka dhënë statusin e paaftësisë së kategorisë së katërt për të përfituar për periudhën nga data 16 mars 2001, deri në datën 30 mars 2002. Dauti i është drejtuar KMCAP Epror për të apeluar këtë vendim, ku, jo vetëm që ishte revokuar vendimi i KMCAP, Dibër por e ka deklaruar ankuesin të aftë për punë. Pas kësaj, ai është drejtuar në Gjykatën e Dibrës, e cila ka vendosur të rrëzojë padinë e ankuesit me arsyetimin se vendimet e KMCAP Epror janë të detyrueshme dhe të zbatueshme dhe nuk mund të atakohen në Gjykatë. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Faktit më 9 tetor 2003. Po kështu Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese kanë mospranim të ankueses, më datat 5 mars 2004 dhe 23 Dhjetor 2004. Pas kësaj Dauti i është drejtuar Strasburgut, ku gjatë gjykimit të çështjes janë konstatuar shkelje të Konventës dhe janë akorduar 6 mijë euro kompensim për Dautin, si detyrim që shteti shqiptar duhet të paguajë për dëmin e shkaktuar. fa.ma.