E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët rrëmbejnë fondet e buxhetit për 2009

Autori i Lajmit: red.
Është mbledhur dje Komiteti për Planifikimin Strategjik, nën drejtimin e kryeministrit Berisha, i cili deklaroi se "fondet e akorduara në Programin IPA 2009 për Shqipërinë do të përdoren kryesisht për projekte në rrugët rurale dhe ujësjellës". Komiteti për Planifikimin Strategjik, diskutoi dhe miratoi prioritetet e Programit IPA 2009, fondet e të cilit kapin shifrën 81.2 milionë euro për Shqipërinë. Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi nevojën që fondet e këtij Programi të përparësohen në projekte për rrugët rurale dhe ujësjellësit. "Zhvillimi i vendit është i lidhur me ripërtëritjen dhe rindërtimin e infrastrukturës, ndaj dhe kjo Qeveri në këtë mandat, por edhe në mandatin tjetër, në rast se do të votohet nga qytetarët shqiptarë, do të jetë e detyruar të ketë përqëndrimin maksimal në infrastrukturë", - tha kryeministri Berisha, duke shtuar se "një Shqipëri evropiane mund të jetë e tillë vetëm me një infrastrukturë evropiane". Ai nënvizoi se në përdorimin e fondeve të Programit IPA 2009, bashkëfinancimi nuk është më 10% si më parë, por 15% deri në 25%. "Ne duhet të parashikojmë të gjitha ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që t u përgjigjemi me bashkëfinancim këtyre projekteve", - tha ai. Kreu i Qeverisë theksoi se Shqipëria po kalon në vendet me të ardhura të mesme dhe kjo ka disa pasoja për sa i takon granteve apo kredive, të cilat janë lehtësisht dhe plotësisht të përballueshme. Askush nuk duhet të jetë zemërthyer, shtoi Berisha, që ky vend i tha lamtumirë grupit të vendeve me të ardhura të ulëta. Përkundrazi, tha ai, "ky është një zhvillim shumë pozitiv dhe i rëndësishëm dhe vepër e të gjithë shqiptarëve, që me mundin e djersën e tyre, por dhe filozofinë që ne zbatuam, bëmë që vendi të dalë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të shmanget ideja e fragmentarizimeve të panevojshme. Një nga risitë më madhore të kësaj qeverie ka qenë qëndrimi i saj antifragmentarizim. Kështu që është e rëndësishme që kriteret që 20-25 % apo 14.2-18 milionë euro, të cilat do të adresohen në fushën ekonomike të synojnë para së gjithash zgjerimin dhe konsolidimin e ekonomisë së tregut, forcimin e kapaciteteve institucionale të institucioneve apo forumeve rregullatore të tregut siç është ERT, ERE dhe AMF, institucione këto që po provohen gjithnjë e më serioze dhe më të konsoliduara dhe përsosja e bazës laboratorike dhe metrike si një kusht për standardet evropiane. Pra ka një rëndësi shumë të madhe që kjo shumë të përqendrohet në projektet më të domosdoshme".
Ky lajm është publikuar: 22/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›