E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugëtimi i gjatë i Venerës

Kur e pashë për herë të parë këtë
shtatore, ndarë në tri pjesë (koka,
trupi, këmbët) shtrirë në fondin
e "Galerisë F" në Shijak, pata
emocione të mëdha, u përkula menjëherë
mbi të dhe sikur po falesha kaloja në retrospektivë
"Afërditat" dhe "Venerat" e
shumta, që kisha parë gjatë jetës. E prekja
lehtë si të ishte gjallë, e ledhatoja a thua
se desha ta kandisja atë që të më tregonte
se nga erdhi në vendin tim, cila është nga
"Venerat" romake, pasi "Afërditë" e lashtësisë
antike greke ajo nuk ishte. Nuk
dukej kaq e vjetër. I fërkoja ballin dhe vizatoja
me gisht sytë, flokët dallgë-dallgë,
hundën, profilin venusian dhe ovalin karakteristik
të fytyrës.
Pyesja veten se kush e ka gdhendur
këtë "Bukuroshe", desha të ndiej
"rënkimin" e skulptorit me mjekër, të dëgjoj
"çokun" e daltës dhe çekiçit, të zbuloj
autorin, shkollën dhe llojin e mermerit,
pasi "Venerë" shihej qartë që ishte. Po cila
"Venerë" është, nga kishte ardhur dhe
kush e porositi? Ku? Mendja më shkonte
diku, por nuk isha i sigurt, kisha dyshime.
Sapo kisha parë në Kopenhagen skulptorin
e madh danez Bertel Thorvaldsen
dhe frymëzimi i tij ndaj antikitetit më hapte
një shteg kërkimi. Skulptura që kisha
para syve ishte e re, punuar nga një dorë e
stërvitur mjeshtri. Vepra dukej e çmuar
dhe e vyeshme artistikisht, mbështetur në
vlerat e artit të së kaluarës së lashtë. Shtatoret
e "Afërditave" dhe "Venerave" më
rrotulloheshin në mendje. Kisha parë të
tilla nëpër muze, pallate luksoze dhe parqe
e kopshte madhështorë. Më ishte
dhënë rasti të merrem edhe me studimin
e figurave të tilla. Pesëdhjetë vjet më parë,
në Ermitazh (Petërburg) kam parë në
origjinal "Venerën e Taurit" (sipas emrit të
pallatit ku ka qenë ekspozuar ), për të cilën
pata shkruar të parën detyrë kursi me karakter
studimor. Atëherë kjo u bë shkas që
të njoh autorë dhe vepra të lashtësisë dhe
të reja. "Venera e Taurit" përsëriste në
mënyrë tjetër "Afërditën e Knidit", një nga
skulpturat më të çmuara të kolosit të artit
klasik grek - Praksitelit, përsëritje romake
në mermer (Muzeu i Vatikanit - Romë). Ishte
një vepër e magjishme, me një plastikë
të veçantë, lëvizje tepër elegante dhe
tërheqëse. Futur në historinë e krijimit të
"Venerës së Taurit", të vlerave artistike
dhe udhëtimin deri në Rusi të kësaj skulpture,
u njoha atëherë me kopje "Afërditash"
dhe "Venerash", që më patën shtyrë
në një botë hyjneshash lindur nga
shkuma e detit, të bardha qumësht, që
lëvizin lehtë-lehtë drejt ujit, mbuluar apo
zhveshur pjesë-pjesë me hitonin e
mëndafshtë, nën të cilin gjallojnë format
e trupit të simbolit të bukurisë femërore,
pjellorisë dhe begatisë, nënës së heronjve
mitikë. Në Luvër më pat bërë përshtypje
"Afërdita e Arlit", edhe kjo një
përsëritje në mermer nga artistë romakë
të veprës së Praksitelit. Motivi zhanresk,
me pasqyrën në dorën e majtë, gjysmë e
zhveshur, karakteristikë për klasikun e
vonshëm grek dhe fillimet e helenizmit,
zbulon bukurinë e femrës dashuruar pas
vetes, qëndisur me daltën e metaltë deri
në përkryerje. Po kështu edhe "Afërdita e
Millosit", "Afërdita Mellanida", "Afërdita
e Sirakuzës", "Afërdita Kallipiga" etj., janë
kryevepra të artit botëror, njëra më e
bukur se tjetra. Por "Afërdita në kopsht",
që paraqet statujën e antikitetit mbuluar
tërësisht me hitonin jonian, simfoni palash
të panumërta, ka qenë për ne piktorët
e rinj shkollë durimi, ndjeshmëri
modelimi, butësi në sipërfaqe dhe ndën
të enigmë e bukurisë hyjnore, përsëri e
Shkollës së Praksitelit.
Venerat romake, Perëndeshë e Pjellorisë
dhe e Bukurisë, u identifikua me
Afërditën greke, ajo u bë "Nëna e heronjve"
dhe moment kulmor zbukurues në
parqet e kopshtet e gjelbëruara. "Venus
Erycinus", "Venera Felix" e deri te "Venera
Mediçi" janë gjetje të dala gjithashtu nga
vepra e Praksitelit.
Për identifikimin e "Venerës" sonë,
pas hulumtimeve dhe njohjeve konkrete,
shfletimeve të librave dhe riprodhimeve,
takimi me libra të rinj të mjeshtërve të
mëdhenj italianë, në kolanën "Classici
dell‘arte Rizzoli", duke marrë parasysh
edhe sugjerimet e ish-pronarit të veprës,
z. Valentin Kakariqi, si dhe të zërave të
veçantë në Shkodër, arritëm në përfundime
që mendojmë se përcaktojnë autorin
dhe veprën për të cilën bëhet fjalë.
Antonio Kanova është autori
i "Venerës" që ndodhet në
Shqipëri
Pas Donatellos dhe Mikelanxhelos,
skulptura italiane pasoi me tri personalitete
të tjerë të mëdhenj: Xhianbolonja,
Bernini dhe Kanova, që kishte lindur në
Posagno (Treviso) më 1 nëntor 1757 dhe
ka mbyllur sytë në Venecie më 1822. Janë
të paktë artistë si Kanova që ta kenë kaluar
jetën me elozhe dhe konsiderata të
vazhdueshme, ndërsa kritikët, si në një
kor unison, shkruan për të me superlativa,
ku poetët dhe prozatorët, si Foskolo,
Stendal etj., shkruan aq bukur, koleksionistët
e njohësit e artit në të katër anët e
botës shprehen të kënaqur dhe mburren
me veprat e tij. Ai ka qenë skulptori më i
madh i Evropës në fillimet e dy dhjetëvjeçarëve
të shek. 19-të. Ai ishte anëtar
i Akademisë së San Llukës, drejtor i
përgjithshëm i Antikitetit dhe Arteve të
Bukura të Shtetit, muzeve të Vatikanit dhe
të Kampidoljos, dekoruar nga Papa Pio VII,
drejtor i gjithë muzeve të Romës, emëruar
nga Napoleoni, fitues i shumë çmimeve
dhe titujve të nderit.
Në punimet e tij të para të shek. 18-të,
shprehet fuqishëm tradita e plastikës së
Barokut, e pasur me lojën e marrëdhënieve
të pashtershme të dritë-hijes,
siluetave të guximshme, zgjidhjeve të
problemeve nga më të vështirat në hapësirë
dhe mjeshtëria e rrallë në gdhendjen
dhe përpunimin e materialit, mermerit.
Teknika e shkëlqyer e virtuoze e tij ka qenë
dhe mbetet një eksperiencë e madhe për
të gjithë brezat e gdhendësve italianë, që
e kanë shoqëruar atë deri në fund të jetës.
Më vonë, principet e klasicizmit në krijimtarinë
e Kanovës, sikundër e tregon skulptura
"Tezeu fitimtar mbi Minotaurin"
(1785, Vjenë) dhe veçanërisht grupi skulpturor
i "Amurit dhe Psihesë" (1785-1798,
Luvër dhe Ermitazh) filluan të ndërtohen
mbi kompozime origjinale dhe të guximshme.
Klasicizmi i Kanovës mban në vetvete
shprehje të estetikës hedonistike, lehtësisht
shoqëruar me erotikë, ku ëndja
dhe kënaqësia janë ndër nxitësit kryesorë
të perceptimit artistik në ndryshim prej
klasicizmit revolucionar francez. Veprat e
Kanovës, më vonë, në shek. e 19-të, bëhen
më arkitektonike si ndërtim plastik dhe
më të thjeshta për sa i takon formës. Në to
zotëron një manierë gracioze dhe paraqitja
e bukur dhe elegante. "Perseu" (Vatikan)
dhe veçanërisht "Polina Borgeze" në pamje
të "Venerës Vincitrice" (1804-‘08, Galeria
Borgeze, Romë) porositur për motrën e
Napoleonit nga i shoqi, princi Kamilo
Borgeze, dëshmojnë më së miri në këtë
drejtim. Sikundër dihet, Kanova fillimisht
e perceptoi këtë figurë si Dianën, gjë që
s‘u pëlqye nga princesha. Kur autori u
përqendrua në paraqitjen e saj si Venerë
dhe e gdhendi atë deri në perfeksion,
atëherë vepra u duartrokit me shumë
pompë.
Antonio Kanova është autori i shumë
kompozimeve skulpturore, shtatoreve,
monumenteve ekuestër, memorialëve
funebër dhe stelave përkujtimore, busteve
e portreteve, skulpturave alegorike
dhe veprave të shumta me karakter
zbukurimor. Ai është autor i dy skulpturave
të mrekullueshme "Amore e Psiche
Giacenti" (Paris, Luvër 1787-‘93), një vepër
që admirohej prej Napoleonit, si dhe
"Amore e Psiche Stanti" porositur nga
koloneli Campbell. "Venera dhe Adoni"
(Gjenevë, 1789-‘94), "Perseu Triumfator"
(Romë, Muzeu i Vatikanit), "Napoleoni si
Marsi Paqedashës" (Milano, Brera),
"Tezeu në luftë me Çentaurin" (Vienë,
Kunsthistorischer Museum), "Paridi"
(Monako, Nene Pinakothek, Ermitazh),
"Ebe" dhe variantet e saj në Berlin, Milano,
Petërburg etj., portretet e "Elenës"
(Venecia), "Erma" (Milano), "Najada"
(Nju Jork), "Valltaret", "Venera dhe Marsi"
(Londër), porosi e Giorgio IV të Anglisë,
si një alegori e luftës dhe paqes, si dhe me
qindra punime të tjera gdhendur në
mermerin e Karrarës, piktura në vaj, tempera
dhe vizatime përbëjnë fondin
shumë të pasur, shpërndarë në muzetë më
të rëndësishëm të botës, janë vepra të
këtij mjeshtri të madh. E pra, një nga veprat
e tij kemi fatin ta kemi edhe ne në
Shqipëri.
"Venera Italica" e Kanovës
Në Shkodër flitej se "Venera" vendosur
në shatërvanin para shtëpisë së
Kakariqëve, sjellë nga Mark Kakariqi, ka
qenë vepra e njohur e Antonio Kanovës
"Venera Italica".
Në fakt, "Venera Italica" e Kanovës,
origjinali, ndodhet në Firence, Galleria
Palatina, gdhendur në mermerin e Karrarës,
me lartësi 172 cm, punuar gjatë
viteve 1804-‘12. Ludoviku I, mbret i Etrusisë,
i kishte porositur Kanovës, në fund
të vitit 1802, realizimin e një kopje të "Venerës
Medici" për galerinë "Uffizi", meqë
origjinalin e saj, me urdhër të Napoleonit,
e kishin marrë e dërguar në Paris, në
Malmezon. "Venera Medici" është një
gjetje kompozicionale frymëzuar,
sikundër e thamë më sipër, nga "Afërdita
e Knidit" e Praksitelit, por që dallohet prej
saj në disa detaje. Është vepër e Kleomenit,
gdhendur në vilën e perandorit
Adrian në Tiroci, rrethinat e Romës, ku
edhe u gjet në vitin 1680.
Antonio Kanova kishte pranuar porosinë
e mbretit një vit më vonë, më 1803 dhe
pothuaj gjatë gjithë këtij viti realizoi modelin
e një Venere me të njëjtat tipare edhe
për muzeun e Vatikanit, propozuar nga
mbretëresha. Përsëri në vitin 1806, Fernow
kërkoi kopje të "Venerës Medici" për Firenzen,
si dhe një tjetër personale. Në maj të
vitit 1812, "Venera Italica" e Ludovikut I u
vendos në Uffizi ende pa u kthyer origjinali
nga Franca, që erdhi përfundimisht
në vitin 1815. "Venera Italica" e Kanovës
është skuqur pak nga autori për t‘iu afruar
ngjyrës së mishit.
"Venera Italica" janë të regjistruara si
replica disa. Një si kjo ruhet në koleksionin
e Tadolinit, tjetra te Huberti. Më 1823,
pas vdekjes së autorit, regjistrohet edhe
një "Venerë Italica" tjetër. Një kokë mermeri
gjendet në "Ermitazh", firmosur nga
Kosarieva (1961), si dhe të tjera shpërndarë
në vende të ndryshme të Evropës
dhe Amerikës. Ne nuk e kemi "Venerën
Italica", por një shëmbëlltyrë të saj, me
disa ndryshime.
"Venera e Shkodrës" e Mark Kakariqit
është "bijë" e "Venerës së Leeds" City Art
Gallery (Jorkshire), punuar nga Antonio
Kanova vitet e fundit të jetës.
Në vitet 1816-‘17 nga koleksionisti Thomas
Hope iu bë skulptorit një kërkesë e
majme për një "Venerë" tjetër ndryshe nga
"Venera Italica", duke e modifikuar atë
dhe bërë disa ndryshime, në mënyrë që
të krijohej një vepër origjinale. Hope ishte
një koleksionist i përmendur, ideator i
shumë realizimeve artistike dhe porosive
me vlerë bërë edhe skulptorëve Flaxman
dhe Thorlvadsenit të madh danez.
"Venera" e re e Kanovës, që ruan
imazhin e "Venerës Italica", ka disa ndryshime,
ndonëse vendosja e përgjithshme
kompozicionale, lëvizja elegante, shikimi
për nga e majta, fytyra, hapi me këmbën
e djathtë përpara, vetë përkulja e
kujdesshme e trupit, janë pothuaj të njëjta.
Ndryshimi vihet re se në "Venerën e
Leeds", d.m.th. rrjedhimisht edhe në
"Venerën tonë të Shkodrës", trupi zbulohet
më shumë nga hitoni që mbahet
vetëm me dorën e djathtë, duke mbuluar
pjesën e përparme poshtë barkut dhe
lënë të lirë anën e majtë të figurës. Figura
e "Venerës së Leeds", ashtu edhe "Venera
e Shkodrës", lirohet nga mbulimi i tepruar
dhe fiton edhe më shumë elegancë
e plasticitet. Dora e majtë, futur mes
gjoksit, prek me shumë butësi gjirin,
krahu i djathtë me gjithë dorë lirohet nga
hitoni dhe shtrihet teposhtë, duke zbuluar
hiret e bukura të "Venerës" së re. Në
"Venerën Italica" duart e kryqëzuara para
gjoksit dhe copa e mëndafshtë e butë
dhe piktorike që mbulon pjesën e përparshme
të trupit, në variantin e ri çlirohen
duke i dhënë figurës hapësira tepër
gracioze.
Kjo "Venerë e Leeds", porosi e Hopes,
është gdhendur në mermerin e Karrarës,
me lartësi 1.77 cm, punuar në vitet
1817-‘20, dy vjet para se të vdiste Kanova.
Kjo vepër, në vitin 1917, kaloi në
pronësi të kolonel Brotherton, e mandej
të D. U. Grigor Philips, i cili, në vitin 1959
ia ka dhuruar muzeut. Një kopje në
mermer gjendet në Uashington D.C.
(Corcoran Gallery of Art), një tjetër në një
koleksion privat në Guatemala, një në
Galerinë Nacionale të Berlinit dhe tani
duhet shtuar edhe "Venera" jonë, që gjendet
në "Galerinë F" të z. Fahri Kaçanolli në
Shijak, që gjithashtu është gdhendur në
mermerin e njohur të Karrarës, në një dimension
pak më të vogël (1.65 cm), gjë që
tregon se nuk është një riprodhim-stampë
e tornuar, por variant i modelit të "Venerës
Leeds" të Hope-s, punuar nga ndihmësit
e tij të talentuar, prekur përfundimisht si
zakonisht, prej skulptorit të madh.
Duhet thënë se Antonio Kanova ka
qenë aftësuar deri në perfeksion si një
gdhendës i mermerit të Karrarës, aq sa
porositë shtoheshin vazhdimisht, prandaj
edhe atij iu desh të ngrejë një atelje të
madhe, ku punësoi shumë skulptorë të
rinj të talentuar. Kanova formonte modelin
(skulpturën) prej balte nga derdhej në
allçi për të kaluar në mermer nga ndihmësit
me ndihmën e kompasit të saktë.
Kanova jepte dorën e fundit, prekte përfundimisht
veprën, duke i dhënë mermerit
shkëlqimin e imët dhe delikat. Industria
e mermerit të Karrarës u zhvillua
shumë nga e motra e Napoleonit, ku edhe
merreshin porosira për vepra të rëndësishme
në skulpturë. Sikundër dihet, në
guroren e Karrarës, në Toskanë, në veriperëndim
të Firences, kaloi disa muaj Mikelanxhelo
duke zgjedhur mermerin që atij
i duhej për veprat "Davidi", "Pieta",
"Varret e Mediçejve" etj. Në vitin 1769, aty
u hap Akademia e Arteve të Bukura, ku
studionin kryesisht skulptorë të gdhendjes
së mermerit. Pra, Karrara edhe
për A. Kanovën ka qenë "Atelieja" më e
suksesshme në natyrë që lindi vepra pa
mbarim, origjinale dhe replika që
mbajnë vulën e tij e që prej këtu dërgoheshin
me anije drejt Evropës. Veprat e
prekura përfundimisht prej Kanovës, ku
shkëlqimin final ia jepte ai, quhej e
"bekuar" prej tij, duke i dhënë asaj
"frymë", autorësi. Të tillë mendojmë se
kemi edhe ne "Venerën" tonë, ku ndihet
rrjedhja delikate e formës që shket me
shumë mjeshtëri në gjithë trupin e mermertë
të gurit të Karrarës.
Po si erdhi "Venera" e Kanovës në Shkodër,
kush e porositi dhe si e solli? Kush
u përkujdes dhe e mbrojti atë për 100 vjet,
deri më sot?
Në oborrin me lule shumëngjyrëshe,
pranë shatërvanit modeluar në dy pjata
si vëllime arkitektonike, që mbaheshin
nga këmbë luani, të shtëpisë së familjes
së madhe shkodrane të Kakariqëve, ishte
vendosur shtatorja e "Venerës", që e
kishte sjellë djali i madh i kësaj familjeje,
Mark Kakariqi, figurë e shquar e rilindjes
sonë kombëtare, ende e pastudiuar, patriot
dhe një njeri artdashës, koleksionist
veprash të çmuara arti, me kulturë
dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, tregtar
dhe financier, njeri i shkathët, tregtar
i zoti, me shumë njohje në botën e
qytetëruar, si në Austri, Gjermani, Itali,
Francë, Rusi etj. Në Kongresin shqiptar
të Triestes, në vitin 1913, që në program
kishte, mes të tjerash, kërkesën për një
Shqipëri të Madhe të pavarur politikisht
dhe ekonomikisht, sikundër shkruan
prof. dr. Vladimir Misja në monografinë
për Stefë Curanin (Shkodër 2006), Mark
Kakariqi ishte në Komitetin e Pleqve, krahas
at Fan Nolit, Zef Skiroit etj., dhe diskutoi
për rolin e tregjeve e pavarësinë
politike dhe mirëqenien e vendit. Ai
paskësh ftuar pjesëmarrësit në Kongres
të japin besën me thirrjen "Liri a vdekje".
Fotografia e njohur dhe e
shumëbotuar me I. Qemalin, L. Gurakuqin,
I. Boletinin në anije, ka në njërin krah
edhe Mark Kakariqin në udhëtim drejt
Londrës që në vitin 1982 e ka bërë të ditur
në shtyp shkrimtari Anastas Kondo në
artikullin studimor për "Portretin e Rembrandit"
("Drita", 1982). Mjafton kjo fotografi
për të treguar vlerat patriotike të
këtij njeriu, pranë kolosëve të mëdhenj.
Në Shkodër ende tregojnë se Mark
Kakariqi paskësh shkarkuar në Odesë në
ditët e vështira ekonomike të Rusisë gjatë
viteve 1915-1917, një vapor me grurë dhe
në shkëmbim manjatit shkodran autoritetet
e Perandorisë i paskan dhuruar
"Venerën" e Kanovës. Një variant tjetër
flet për një dashuri të tij të parealizuar me
një vajzë të bukur shkodrane, që familja
e martoi me një mjek vjenez. Për të qenë
pranë saj dhe punëve të tij të tregtisë,
edhe si filo-austriak, paska pas blerë një
vilë luksoze në Vjenë, ku gjendej edhe
"Venera" (e gjetur aty apo e blerë prej tij?!)
në pragun e një shatërvani tërheqës. I
thirrur për të ndihmuar me xhama miqtë
e tij në Rusi, ai shet vilën dhe tërheq aksionet
në Bankën Qendrore "Wiena
Bank", blen dhe dërgon mallin në destinacion.
Shtatoren e "Venerës" e nis për
në Shkodër. Mundet që këtë vepër arti ta
ketë blerë diku tjetër veçmas. Dihet që
edhe varret e Kakariqëve në Shkodër, ku
gjendet trupi i tij, vdekur enigmatikisht
në vitin 1941, kanë ardhur nga Luksemburgu
dhe montuar prej mjeshtërve të
firmës projektuese. Ai ishte i rrethuar prej
shumë miqsh dhe dashamirësish, kishte
të njohur dhe ruante me ta marrëdhënie
konfidenciale, tregtare e miqësore.
Dhe, nuk është për t‘u habitur që
në Pinakotekën e tij me vepra arti me
vlerë, krahas "Portretit", vepër e Rembrandit,
apo shkollës së tij, të ketë qenë
edhe "Venera e Leeds", bekuar nga Antonio
Kanova, ky prodhimtar i madh i
bukurisë femërore, që tërhoqi Mark
Kakariqin tonë.
Vepra qëndroi në shtëpinë e
Kakariqëve deri në vitin 1949, kur ajo u
shtetëzua dhe u kthye në Shtëpi Pionieri.
Shtatorja tre copash, që flitet se u dëmtua
gjatë një balloje aristokratësh nga një
ushtarak i dehur, i cili i paskësh qenë
"afruar" Venerës, kaloi në Shtëpinë e
Kulturës të qytetit. "Teshat e tjera i rrasën
në hapësirat e tavanit të godinës", më
tregon pinjolli i kësaj familjeje, i njohuri
im 40 vjet më pas, piktori me historinë e
tij, Valentin Kakariqi. Është për t‘u admiruar
përkujdesja e natyrshme, në këtë
Qendër të Kulturës, ku për çdo ditë hynin
e dilnin me dhjetëra artistë e amatorë
e ku "Venera" shpëtoi pa iu hequr asnjë
cifël. Në një dhomë ruhej koka, trupi diku
tjetër e këmbët në tjetër vend. Në vitin
1993, trashëgimtari i familjes, V. Kakariqi,
e tërhoqi atë nga Shtëpia e Kulturës të
Shkodrës me lejen e administratës së saj,
për ta kaluar tashmë në tjetër pronar, në
Shijak te "Galeria F", e koleksionistit Fahri
Kaçanolli. Janë pesëmbëdhjetë vjet që
"Venera" e rrugëtimeve të mundimshme
nga atelieja e artistit që e krijoi, pasi
"shëtiti" rrugëve të botës, mbërriti në
Shijak e ra në dorën e një artdashësi, që e
bleu pa i ditur saktë vlerat e saj, por me
intuitën dhe nuhatjen e një dashamirësi
të pakursyer e jo të kamur, e mbrojti atë
nga gjithfarë të papriturash. E groposi
gjatë viteve të trishtuara të 1997-ës, e
"shtroi" nën krevatin martesor dhe i krijoi
"Venerës" trecopësh ngrohtësinë e
kosovarit të shijakëzuar. Të ruash dhe
mirëmbash një vepër të tillë arti, në
kushte dhe rrethana të vështira, është jo
vetëm respekt për kulturën dhe artin në
përgjithësi, por edhe një gjest patriotik,
pasi vepra, kjo vlerë me dimensione
botërore, edhe pse variant i "Venerës së
Leeds", është e bekuar nga Antonio
Kanova dhe ne meritojmë të mburremi
që e kemi dhe mbrojtur për 100 vjet.
Puna është çdo të bëhet me të? Do të
qëndrojë në Shijak në "Galerinë F", apo
shteti do të shkundë xhepat për ta ekspozuar
në vlerat e veçanta në Galerinë Kombëtare
të Arteve, apo në ndonjë institucion
tjetër kombëtar? Ajo mund të ekspozohet
në Bankën Kombëtare Shqiptare,
krahas veprave në mozaik e reliefëve
që e zbukurojnë atë, në Pallatin e
Brigadave, në momentet kryesore apo
hapësirat e gjelbra të shumta të saj, etj.
Kudo që të ekspozohet "Venera e Shkodrës"
tashmë e Shijakut, ia bën vendin
vetes, mjafton që dashamirësia e viteve
të shkuara të vazhdojë në kushte më të
mira. Në shtëpinë e Kakariqëve "Venera"
i ka lënë kujtimet e saj përmbi tetëdhjetë
vjet. Në Shijak ka pesëmbëdhjetë vjet e
mbyllur. Kështu do ta mbajmë? Sigurisht,
ai që vendos tani është pronari i saj, lidhur
pas mermerit të ftohtë, me shpresë për
t‘u ngrohur një ditë me vlerat e vërteta të
saj. Shteti duhet të lëvizë, në mos "Venera"
ecën dhe ecën drejt detit. Ajo ujë
kërkon.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›