Rrugorët e Beratit kalojnë në sitë të gjitha makinat
Aksioni
Vendosen 102 gjoba brenda një dite. Bllokohen shtatë mjete
Për të parandaluar aksidentet, sektori i qarkullimit rrugor pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat ka ndërmarrë ditët e fundit një aksion të detajuar në rrugët e këtij qyteti. Burime pranë këtij sektori bënë me dije se ditët e fundit është shtuar puna e inspektorëve të qarkullimit rrugor, të cilët veç detyrës së përditshme për mbarëvajtjen e situatës së qarkullimit në rrugë kanë ndërmarrë një aksion për kontrollin e të gjitha mjeteve që qarkullojnë në këtë qytet. Kontrollet janë përqendruar kryesisht në hyrje dhe në dalje të qytetit, në akset që lidhin Beratin me Urën Vajgurore e Skraparin. Të gjitha mjetet janë kontrolluar për dokumentacionin teknik të gjendjes së tyre, për pagesat e sigurimit dhe shlyerjen e gjobave të vendosura më parë. Blutë e qarkullimit rrugor mësohet se vetëm gjatë ditës së djeshme kanë vendosur 102 gjoba, pasi nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar se shumë drejtues mjetesh nuk kishin kryer kontrollin teknik, nuk kishin siguruar mjetet dhe shumë prej tyre nuk kishin paguar gjobat e vendosura më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit. Për 51 nga 102 gjobat e vendosura, drejtuesit e mjeteve kanë bërë menjëherë pagesat, vlera e të cilave ka shkuar në 67500 lekë. Masat më ekstreme mësohet se janë ndërmarrë për shtatë drejtues mjetesh, të cilëve u janë bllokuar mjetet për shkeljet e përsëritura dhe mungesë të theksuar dokumentacioni. Aksioni do të vijojë edhe gjatë ditëve në vijim.
#