Ryshfet nga invalidët, pranga infermierit
Policia e Elbasanit akuzon një 39-vjeçar, sepse kërkonte para për dokumentet e kempit
Arrest shtëpie për një infermier nga Elbasani. Operacioni “raporti i fundit” ka prangosur mesditën e djeshme një punonjës të Poliklinikës së Specialiteteve në Elbasan, i cili kërkonte para nën dorë për të lëshuar raportin mjekësor, që u nevojitej aplikuesve për kemp.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan saktësojnë se Kujtim Isufi, 39 vjeç, lindur në Labinot dhe banues në lagjen “Beqir Dardha” të Elbasanit, me detyrë infermier në Poliklinikën e Specialiteteve, është prangosur dhe i është dhënë masa e arrestit në shtëpi për akuzën e “mitëmarrjes”. Procedimi ndaj 39-vjeçarit Isufi ka nisur nga ana e Seksionit Kundër Korrupsionit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, ka qenë denoncimi i një qytetari pranë Sektorit të Krimit Ekonomik, që ka vënë në lëvizje strukturat e organit të akuzës së Elbasanit. Pas shqyrtimit të ankesës, infermieri është mbajtur nën vëzhgim për pesë ditë dhe më pas, mbi bazën e provave të dokumentuara nga ana e policisë, është bërë prangosja e tij. Ndërkaq, po dje Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në bazë të vendimit të nxjerrë nga ana e saj, ka vendosur për 39-vjeçarin Isufi masën e arrestit në shtëpi deri në përfundim të hetimeve.
Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, infermieri në fjalë kishte detyrë të mblidhte dokumentacionin e nevojshëm për qytetarët që paraqiteshin përpara komisionit mjekësor për të përfituar kemp. Gjithmonë, duke iu referuar burimeve të policisë lokale, Isufi u kërkonte para nën dorë personave që aplikonin për t’u pajisur me raport mjekësor në Poliklinikën e Specialiteteve në Elbasan. Tashmë ndaj tij rëndon akuza për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nuk jepen më tepër detaje se prej sa kohësh kishte zgjatur kjo histori. Ndërkohë, mësohet se në lidhje me këtë vepër penale po punohet për sqarimin e dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë çështje.
#