E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugorët "zhdëpin" shoferët me gjoba

Rrugorët e Fierit "zhdëpin" me gjoba drejtuesit e automjeteve. Vetëm brenda dy ditësh janë prerë 400 fletë gjoba për "të padisiplinuarit". Aksioni i policisë së qarkullimit rrugor Fier po zhvillohet në rrugët kryesore të qytetit dhe mësohet se do të vijojë dhe për disa ditë. Bllokimi i akseve kryesore dhe trafiku i rënduar ka detyruar rrugorët të ndërmarrin një plan masash.
Sipas shefit të qarkullimit rrugor, Nazër Plaka, gjobat kanë pasur si objekt shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor. "Janë kapur automjete që kanë qenë të parkuara në vende të gabuara, që shkelnin tabelat e sinjalistikës. Janë kapur automjete të parkuara paralel me një automjet tjetër si dhe të parkuara mbi trotuare, aty ku është vendi për kalimtarët. Po ashtu një pjesë e mirë e 400 gjobave të prera gjatë dy ditëve të fundit, janë vendosur si pasojë e lëvizjes me shpejtësi tej normave të lejuara brenda rrugëve të qytetit", ka thënë për "Shqip", Plaka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›