Tiranë, arrestohen dy grupe grabitësish
Vjedhjet në kryeqytet kanë dërguar në pranga gjashtë persona, shumica të rinj. Policia e kryeqytetit bëri të ditur se gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të djeshëm ka bërë disa arrestime në lidhje me vjedhje të ndryshme. Sipas burimeve zyrtare, dje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, bënë arrestimin në flagrancë të tre shtetasve, të dyshuar për konsumim të veprës penale të vjedhjes, Mariglen Sinanin, 26 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, Elton Pepën, 24 vjeç, lindur në Ulëz dhe banues në Babrru Tiranë dhe Mark Tanushi, 44 vjeç, lindur dhe banues në Babrru Tiranë, i dënuar më parë për rrahje. Policia tha se arrestimi i tyre u krye sepse dje, dyshohet se në Malin me Gropa, kanë tentuar të vjedhin lëndë djegëse e llojit naftë, në antenat e vendosura për një kompani. Gjatë arrestimit u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy mjete të cilat shërbenin për transportimin e naftës, si dhe u sekuestruan 3 bidonë me 30 litër të mbushur me naftë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë kryen ndalimin me iniciativë të shtetasit M. M., 16 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Ndalimi i tij u krye sepse dje, në mesditë, dyshohet se në rrugën "Sali Nivica", i ka vjedhur me dhunë një burri shumën e parave prej 163 eurosh si dhe 15 mijë lekë. Edhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë numër 2, Tiranë, u krye arrestimi në flagrancë i E. M., 35 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe G. M., 36 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi u krye sepse dje në rrugën "Komuna e Parisit", pranë kompleksit sportiv "Dinamo", janë kapur në flagrancë duke vjedhur një sasi materiale ndërtimi, 11 kuti pllaka majolike italiane, në banesën në ndërtim në pronësi të një qytetari. Policia tha se për të gjithë të arrestuarit janë kryer veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan materialet e vjedhura dhe dosja me materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "vjedhjes në bashkëpunim".