Problemet me shpronësimet bllokojnë Rrugën e Arbrit
Punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, segmenti dalje Bulqizë- Ura e Vashës, janë bllokuar që prej dy ditësh. Shkak i pezullimit të punës janë bërë problemet me pronarët e tokës ku kalon traseja e kësaj rruge. Banorët e fshatit Vajkal, në Rrethin e Bulqizës, pas gati një muaji nga nisja e punimeve, për ndërtimin e këtij segmenti rrugor me gjatësi prej rreth 7 kilometrash, kanë penguar vijimin e punimeve. Pretendimet e tyre lidhen me vonesat në dëmshpërblimin e pronave që preken nga rruga. "Edhe pse na është premtuar dëmshpërblimi i tokës deri më tani, asnjëri nga ne nuk është dëmshpërblyer", thonë banorët e fshatit. Ndërkohë, ndonëse jo zyrtarisht, mësohet se një tjetër problem që duhet të gjejë zgjidhje, mbetet mosregjistrimi i tokave në Hipotekë. Mungesa e një certifikate pronësie, do t‘i privojë fermerët nga e drejta e dëmshpërblimit, ndonëse ata gëzojnë tapinë e kësaj toke. Sipas tyre, regjistrimi i tokës në Hipotekë kushton më shumë se vlera e dëmshpërblimit. "Vlera e këtij dëmshpërblimi është tepër e ulët, shkon nga 720 deri në 1200 lekë për dynym. Ndërkohë që regjistrimi i tokës është shumë i shtrenjtë", ankohen fermerët. Një tjetër konflikt mbetet mos vlerësimi i disa banesave, të cilave rruga u kalon vetëm rreth dy metra larg hyrjeve të tyre. Banorët thonë se në kushte të tilla shtëpitë e tyre bëhen të pabanueshme, prandaj kërkojnë të dëmshpërblehen në mënyrë që të ndërtojnë shtëpi të reja. Kështu duket se ndërtimi i Rrugës së Arbrit, edhe pse i mirëpritur nga banorët e trevës së Bulqizës dhe më gjerë, nuk do të kalojë pa probleme. Rifillimi i punimeve për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, në segmentin prej rreth 7 kilometrash, dalje Bulqizë-dalje Ura e Vashës u ndërpre që javën e parë. Veç konfliktit për dëmshpërblimin e pronave, një tjetër problem i mprehtë ka dalë me banorët e fshatit Plan i Bardhë në Bashkinë e Klosit, të cilët penguan vijimin e punimeve pasi traseja e rrugës dëmtonte varrezat e fshatit. Firma kontraktuese për ndërtimin e rrugës dha si zgjidhje hapjen e dy parcelave të reja për zhvendosjen e varreve, por për banorët kjo nuk është e mundur.
Punimet në Rrugën e Arbrit zvarriten prej disa vitesh për shkak të problemeve me shpronësimet e pronarëve të tokave ku kalon traseja e rrugës.
Punimet në Rrugën e Arbrit zvarriten prej disa vitesh për shkak të problemeve me shpronësimet e pronarëve të tokave ku kalon traseja e rrugës.