E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati në Shkodër, ndërron jetë në spital i plagosuri

Vazhdojnë të mbeten të paidentifikuar autorët e atentatit me armë zjarri në lagjen “Dërgut” në Shkodër, ndërkohë që njëri nga të plagosurit ka ndërruar jetë orët e para të mëngjesit të djeshëm. Nail Grezda, 48-vjeçari që ra pre e një atentati të armatosur orët e vona të së shtunës, nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve të armës së zjarrit, ndërsa shoku i tij, 36-vjeçari Artur Kola, ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga burime pranë spitalit rajonal të Shkodrës, sipas të cilave edhe pse nën terapi intensive, plumbat e pistoletës kishin dëmtuar rëndë organet e brendshme të Grezdës.

Nga ana tjetër, burime nga policia e këtij qyteti kanë pohuar se që nga mbrëmja e së shtunës efektivët e saj po punojnë me intensitet për të identifikuar autorët e krimit.

Sipas të dhënave të para, këta të fundit mendohet të jenë dy, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë zënë pritë të armatosur në afërsi të shkollës së mesme mekanike bujqësore. Policia ka pohuar gjithashtu se autorët e vrasjes mendohet të kenë qenë të maskuar dhe kanë lëvizur me biçikletë. Gjithashtu, nisur nga dëshmitë e banorëve më të afërt të vendit ku ndodhi ngjarja, të cilët nga ana e tyre nuk kanë dëgjuar asnjë krismë arme, ekspertët e kriminalistikës dyshojnë se arma e përdorura në atentat ka qenë me silenciator. Për këtë, pas ngjarjes Drejtoria e Policisë së Shkodrës ka formuar menjëherë një grup të posaçëm hetimor që aktualisht po punon për zbardhjen e vrasjes dhe identifikimin e autorëve. Nga të dhënat e këtyre të fundit ditën e djeshme, është mësuar se në komisariat janë shoqëruar disa persona të dyshuar, por që për mungesë provash, askujt deri në orët e mbrëmjes nuk i është konfirmuar arrestimi. Po kështu, deri më dje policia nuk ka dalë ende në një pistë të qartë rreth motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Artur Kola, 36 vjeç dhe Nail Grezda, 48 vjeç, që të dy banorë të lagjes “Naim Gjylbegu” u qëlluan me 6 plumba pistolete ndërsa ktheheshin në shtëpi. Nga hetimet policore rezulton se dy të lënduarit po i afroheshin lagjes “Dërgut”, në periferi të qytetit kur një person me biçikletë dhe me maskë u ka dalë para duke u qëlluar pa paralajmërim. Pas ngjarjes, banorë të zonës kanë pohuar për policinë më vonë se nuk kanë dëgjuar zhurmë krisme, duke hedhur dyshimet se bëhet fjalë për një armë me silenciator. Si pasojë e plumbave, të dy personat janë rrëzuar të gjakosur, pa ndjenja. Ndërkohë, kalimtarë të rastit kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Shkodrës të plagosurit, ku fatkeqësisht ditën e djeshme njëri prej tyre, Neil Grezda ka ndërruar jetë.

Sakaq, policia është vënë menjëherë në kërkim të autorëve, por që nga të dhënat e para mësohet se këta të fundit kanë lëvizur me shpejtësi nga vendngjarja, duke e bërë të pamundur arrestimin. Të plagosurit sipas policisë nuk kanë precedentë penalë, ndërsa po hetohen konfliktet që ata mund të kenë pasur me personat që kanë organizuar atentatin.

I vdekur

Neil Grezda, 48 vjeç

I plagosur

Artur Kola, 36 vjeç

Shifra

6 herë kanë qëlluar me pistoletë me silenciator autorët

2 persona mendohet të kenë organizuar atentatin në bashkëpunim

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›