E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çlirim Gjata anëtar i ri i KLD

24/11/2004  Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur me vota unanime emërimin e Çlirim Gjatës në postin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përballë Gjatës, kanë kandiduar Olsi Hado dhe Eduart Halimi. Vendimi ka ardhur si pasojë e ligjit të miratuar tre javë më parë në Kuvendin e Shqipërisë për reformën në Kodin Zgjedhor. Sipas këtij ligji, Maksim Shimanit i përfundon mandati menjëherë sapo KLD zgjedh një tjetër anëtar për KQZ-në. Ndërsa Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të zgjedhë një nga tre kandidaturat e paraqitura nga opozita. Afati që ky institucion ka në dispozicion të zgjedhë një anëtar të KQZ-së ishte përcaktuar 30 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit. Në këtë mënyrë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i drejtuar nga Presidenti i Republikës, ka vënë në zbatim ligjin e miratuar me konsensus mes PD-së, PS-së dhe OSBE-së. Vendimi ka ardhur në përputhje me rekomandimet për reformën në Kodin Zgjedhor, ku është kërkuar një Komision Qendror Zgjedhor më i pavarur. Në këtë kontekst, partitë politike kanë vendosur një KQZ të balancuar, ku vendimet do të shkojnë drejt konsensusit të plotë. Por duket se kjo çështje kërkon një debat më të gjerë, për vetë faktin se në Komisionin Bipartizan është duke u diskutuar dhe çështja për ndryshimin e formulës së marrjes së vendimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas ekspertëve, që kanë punuar pranë OSBE-së, vendimet e rëndësishme nuk mund të merren pa arritur pesë vota pro, nga shtatë anëtarë që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këtë e kanë mbështetur dhe përfaqësuesit e opozitës. Por dje, bashkëkrytetari i Komisionit Bipartizan, deputeti socialist Elmaz Sherifi, tha se është e rëndësishme që vendimet në KQZ të merren me formulën 4 me 3. Pra, dhe në rastet kur një propozim ka 4 vota pro, ai cilësohet i miratuar. Kështuqë dhe pse KLD ka vendosur ndryshimin e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë diskutimet në Komisionin Bipartizan që kanë sjellë një bllokim të reformës. Burimet thanë se mbledhjet e grupit të ekspertëve do të nisin sërish nesër, kur në Shqipëri do të mbërrijë një tjetër ekspert i OSBE-së. Mbi rekomandimet e tij do të nisë puna dhe Komisioni Bipartizan, që si afat të fundit për të arritur në ndryshimet e kodit zgjedhor, ka datën 15 dhjetor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›