E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shimani KQZ mund te shkoje me 8 anetare

24/11/2004  Shimani ankimohet në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin

Armand Maho

Zëvendësimi i një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si pasojë e konsensusit të arritur në Kuvend, do të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Maksim Shimani, anëtari i vendosur për t'u shkarkuar, për t'i hapur rrugë kandidatit të propozuar nga opozita, tha në një prononcim për "Metropol" se nuk do ta njohë vendimin e KLD-së, duke e konsideruar atë si antikushtetues. Menjëherë pas marrjes së vendimit të KLD-së, për emërimin në vend të tij Shpëtim Gjatën, Shimani theksoi se do to t'i drejtohet për këtë qëllim Gjykatës Kushtetuese, pasi KLD-ja nuk është mbështuer në ligj për këtë veprim. Por, më parë, ai do të presë që të marrë zyrtarisht njoftimin. "Menjëherë sapo të njihem me vendimin e KLSH-së për shkarkimin tim, do t'i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. KLD-ja tashmë i ka hyrë shkeljes së ligjit dhe duket se do t'i shkojë deri në fund kësaj çështjeje", tha Shimani. Sipas tij, në rast se KLD-ja kërkon të marrë vendim për emërimin e një anëtari tjetër në KQZ, duhet të rrisë numrin e anëtarëve të këtij isntitucioni, duke e çuar atë nga 7-të, që është aktualisht, në 8 anëtarë. "Asnjë institucion nuk ka tagër ligjor për shkarkimin e një anëtari të KQZ-së pa i mbaruar më parë mandati 7-vjeçar. Në rast se KLD-ja kërkon të shtojë numrin e anëtarëve të KQZ-së, atëherë është problemi i saj, por në asnjë rast nuk mund të shkarkojë një anëtar pa i mbaruar më parë mandati, pavarësisht se nëse ky i fundit i është nënshtruar ose jo rotacionit", tha Shimani.

Vakuumi ligjor

Sipas anëtarit të KQZ-së, i cili u paravendos të shkarkohej nga detyra, për futjen e një anëtari të opozitës në KQZ, pas marrëveshjes Topi-Ruçi, në këtë çështje ka një vakuum ligjor. Sipas tij, për shkarkimin, KLD-ja i është referuar një ligji, që është shfuqizuar një vit më parë. Bëhet fjalë për ligjin 8609, të vitit 2000, i cili u shfuqizua me hyrjen në fuqi të ligjit 9087, në të cilin thuhet se anëtari i KQZ-së mund të zëvendësohet vetëm në rast se jep dorëheqjen, ose i mbaron mandati, pa përcaktuar klauzola të tjera për shkarkimin e tij. "Përpara se të marrë këtë vendim, KLD-ja të kërkojë më parë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Në të njëjtat pozita si unë janë dhe dy anëtarët e tjerë të KQZ-së, Ilirian Celibashi dhe Dëshira Subashi. Edhe ata janë të emëruar nga KLD-ja, dhe akoma nuk u ka mbaruar afati", shprehet Shimani.

Megjithatë, tani në arenën politike thuhet se dhe Shimanit mund t'i ofrohet një post në diplomaci, apo në struktura të larta të shtetit. Por Shimani theksoi, për "Metropol", se deri më tani askush nuk i ka afruar post tjetër, në këmbim të postit që gëzonte deri dje si anëtar i KQZ-së. "Deri tani askush nuk më ka ofruar post tjetër, por edhe unë nuk i kam hyrë asnjëherë pazareve. Dua të theksoj dhe një herë që kjo që po bën KLD-ja është e padrejtë dhe nuk mbështetet në asnjë ligj", përfundon Shimani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›