Ruçi: Arben Imami do të japë llogari për përgjimet ndaj opozitës
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, është ndaluar gjatë ditës së sotme sërish tek përgjimet e kryera ndaj opozitës, duke thënë se minitri i Mbrojtjes, Arben Imami, do të japë llogari.
Ruçi tha se Imami ka urdhëruar përgjimin e opozitës, ndërsa ka thënë se ai është një ministër i paaftë. Për këtë, sipas Ruçit, mjafton të shohësh ndryshimet e fundit të krerëve të ushtrisë.
Arben Imami duhet të përgjigjiet për çështjen e përgjimit të opozitës dhe e përfaqësuesve të diplomacive të huaja, nga shërbime të paautorizuara nga ligji dhe Kushtetuta. Këto shqetësime janë bërë prezentë nga ne në mbyllje të sesionit parlamentar dhe sigurisht do të institucionalizohen me hapjen e sesionit të ri parlamentar. Komentet i ka bërë përfaqësuesi jonë i komisionit të sigurisë dhe sigurisht në konsultim dhe në ballafaqim me ligjin do të kemi hapat tona institucionale në sesionin e ri parlamentar. Por, pa bërë fare edhe konsultime, mjafton që të shohësh se një ushtarak i këmbësorisë caktohet të drejtojë flotën detare, dhe konkluzioni për punën e Imamit është i qartë, ka thënë Ruçi.
Komentet e tij janë bërë nga qyteti i Korçës, ku janë mbledhur disa prej drejtuesve kryesorë të Partisë Socialiste, për të diskutuar mbi platformën e ardhshme elektorale.