Bochard: BE ka rekomanduar kompromis për ligjin e SHISH
Ambasadori gjerman Bochard e ka cilësuar diskutimin e ligjit për SHISH si një nga çështjet më delikate. “Presidenti i Parlamentit Gjerman e ka ngritur pyetjen mbi kalimin e ligjit të SHISH qysh herët këtë vit gjatë diskutimit të tij. Do parapëlqeja të theksoj se kjo është një nga çështjet më të ndjeshme në një demokraci që do të thotë të ndash qartë limitet mes politikës dhe shërbimeve sekrete”, theksoi ambasadori gjatë një takimi që pati me prefektin e Korçës. I pyetur nga gazetarët për krizën politike, Ambasadori gjerman në Tiranë Bochard tha se krerët e dy forcave politike duhet të gjejnë rrugën e kompromisit. “Bashkimi Europian i ka rekomanduar Qeverisë dhe opozitës të gjejnë kompromisin që bazohet në kriteret e transparencës dhe kushtetutshmërisë. Se si duhet të jetë ky kompromis u takon të dyja forcave politike ta zgjidhin mes tyre”, u shpreh ambasadori. Sipas ambasadorit gjerman, kohëzgjatja e negociatave për krizën është një çështje që e di më mirë kryeministri i vendit dhe kreu i opozitës. Dy takimet zyrtare mes krerëve të grupeve parlamentare PS-PD, Ruçi dhe Patozi nuk sollën asgjë të re, përveç artikulimit të pozicioneve të deklaruara kohë më parë prej tyre. Fati i fletëve të votimit ndan palët dhe mban zgjidhjen larg. Demokratët kanë qartësuar që në nisje të negociatave, se fletët e votimit duhet të asgjësohen në momentin e hetimit të materialeve zgjedhore, ose të mos asgjësohen deri sa Komisioni i Venecias të japë opinion e vet rreth tyre. Ndërsa socialistët u kërkojnë demokratëve që t’i drejtohen bashkërisht Komisionit të Venecias përmes kryetares së Parlamentit, gjë që nuk është pranuar nga demokratët. g.a.