E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Do të mbrojmë votën, jo vetëm në rrugë ligjore

08/07/2009  Socialistët vijojnë mesazhet paralajmëruese për drejtuesit e djathtë

“Ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo votë në institucionet kushtetuese, por përballë dhunës së Berishës mbi votën jemi gati të mbrojmë çdo votë dhe kudo tjetër”, - ishte ky ultimatumi më i fundit i ardhur dje nga Partia Socialiste për kampin e djathtë sa i takon procesit zgjedhor. Duke u ndalur sërish te Qarku i Fierit, socialistët kanë leshur dhe një herë tjetër paralajmërimin për mosnjohjen e zgjedhjeve, nëse kampi i djathtë nuk heq dorë nga rrëmbimi i mandatit të nëntë të PS-së në këtë qark. “Në emër të Partisë Socialiste ne duam t’i bëjmë apelin e fundit Sali Berishës të heqë dorë përfundimisht nga cenimi i votës së shqiptarëve, duke nisur nga vota e qytetarëve të Fierit, në të kundërt do të mbajë mbi vete gjithë përgjegjësinë e delegjitimimit të zgjedhjeve, mosnjohjes së rezultatit të tyre dhe delegjitimimit të gjithë institucioneve të dala prej tyre”, - u shpreh kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi gjatë një konference për shtyp. Por ndërkohë gjatë fjalës së tij Ruçi nuk ka kursyer kritikat dhe akuzat jo vetëm ndaj kryeministrit Berisha, por dhe ndaj kreut të LSI-së Ilir Meta. “Vullneti i Sali Berishës dhe Ilir Metës për të mos bërë transparente çdo votë po del mbi vullnetin e ligjit dhe detyrimit të çdo institucioni kushtetues që administron zgjedhjet për të treguar në dritë të diellit çdo votë. Krimi kushtetues i KQZ-së, që refuzon prej 8 ditësh të numërojë dhe të pasqyrojë rezultatin fitues të votimeve për Partinë Socialiste në Fier, është prova më e qartë e gjithë kësaj, ashtu siç konfirmon botërisht se martesa Meta–Berisha synon me çdo çmim të vjedhë mandatin e 9-të të Partisë Socialiste në Fier”, - vlerësoi Ruçi. Sipas tij, interesi jetik i kësaj martese është të ndalojë transparencën mbi votat e shqiptarëve në Shkodër, Tiranë, Fier dhe Berat. Për këtë arsye, kandidati për deputetët i PS-së për Qarkun e Fierit i mëshoi me forcë qëndrimit se “ky standard i ri kriminal i cenimit të votës së shqiptarëve po i bën zgjedhjet e 28 qershorit të papranueshme dhe rezultatin e tyre të pamundur për t’u njohur si legjitim”. Sipas tij, zvarritja që po i bëhet procesit ka si përgjegjës vetëm kryeministrin Berisha. “Prej 8 ditësh Berisha, njeriu që komandon politikisht shumicën e tij të vogël në KQZ, në shkelje të plotë të ligjit dhe në dhunim të të gjitha parimeve kushtetuese, po u mohon shqiptarëve të drejtën legjitime të llogaritjes së votimeve të tyre dhe transparencës për çdo votë të hedhur në kutitë e votimit”, - vijoi Ruçi në fjalën e tij. Ai bëri me dije në emër të Partisë Socialiste se “ne duam të sigurojmë çdo shqiptar dhe faktorin ndërkombëtar se kemi bërë çdo përpjekje ligjore për të mbrojtur zgjedhjet nga delegjitimimi i tyre dhe nga vjedhja, por vullneti i Sali Berishës për të vjedhur zgjedhjet po del mbi ligjin dhe mbi çdo institucion kushtetues që administron zgjedhjet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›