E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strasburgu gjobit Shqipërinë me 15 mijë euro

GRORI


Gjykata e Strasburgut vendosi masën ndaj shtetit Shqiptar pas ankesës së të dënuarit Arben Grori për trajtimin shëndetësor


I dënuari, veç padisë për trajtimin mjekësor në gjykatën e të Drejtave të Njeriut, kishte kërkuar rishikim të dënimit


TIRANË- Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, dënoi sërish Shqipërinë me gjobë, këtë radhë jo për çështje pronash, por, për mos krijimin e kushteve për mjekimin e sëmundjes dhe mos dërgimin në Spitalin e Burgut të të dënuarit me burgim të përjetshëm Arben Grori.


Sipas vendimit të datës 7 korrik 2009 që mban numrin e aktit 553, Gjykata e Strasburgut dënoi Shqipërinë me 15 mijë euro gjobë. Këto para do t'i jepen të dënuarit Grori, nga të cilat 8 mijë euro do të përfitojë si dëme jofinanciare dhe 7 mijë euro për shpenzimet e procesit në Strasburg.


Sipas vendimit të zbardhur pasditen e djeshme nga sekretaria e kësaj gjykate, shteti shqiptar dënohet për tri shkelje të rënda të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut ndaj të dënuarit me burgim të përjetshëm.


"Shtatë gjyqtarët që shqyrtuan ankimin, pasi shqyrtuan dokumentet dhe vendimet e depozituar nga palët, mbrojtja dhe shteti shqiptar vendosën në mënyrë unanime se ka pasur shkelje të nenit 3 (ndalim i trajtimit çnjerëzor ose trajtim degradues) të Konventës në lidhje me trajtimin e papërshtatshëm mjekësor të Arben Grorit gjatë mbajtjes në burg; shkelje të nenit 5/1 (e drejta për liri dhe siguri) të Konventës në lidhje me arrestimin e Grorit nga 15 maji 2002 e deri më 29 dhjetor 2003 si dhe shkeljen e nenit 34 (e drejta për peticion individual) që lidhet me vonesën e qeverisë për të zbatuar urdhrin e Gjykatës së Strasburgut për ta shpërngulur të dënuarin Grori në një Spital Civil, pasi institucionet e vuajtjes së dënimit dhe Spitalit të Burgut nuk i plotësonin kushtet për mjekimin e tij,- thuhet në vendim.


Mbi bazën e këtyre shkeljeve të konstatuara, Gjykata në mbështetje të nenit 41 (për shpërblim të drejtë), urdhëron shtetin shqiptar t'i japë të dënuarit Arben Grori 8000 euro në lidhje me dëmet jofinanciare dhe 7000 euro për kostot dhe shpenzimet e procesit gjyqësor.


Sipas vendimit mësohet se Gjykata ka vënë re me shqetësim se midis prillit 2005 dhe 28 janarit 2008, Grori ishte lënë për periudha të gjata kohe pa trajtim të përshtatshëm mjekësor, edhe pse vuante nga një sëmundje serioze. "Raporti i fundit mjekësor konfirmoi se sëmundja e tij kishte përparuar për shkak të mosmarrjes së përkujdesjes shëndetësore.


Qeveria nuk ofroi asnjë justifikim për arsyet që e shtynë të refuzojë trajtimin e tij mjekësor, edhe pse siguron shërbim mjekësor falas për njerëzit në spitalet publike; qeveria dështoi në shpjegimin se si trajtimi me vitamina dhe anti-depresivë mund të quhet i përshtatshëm për këtë situatë.


Qeveria nuk gjeti asnjë shpjegim të pranueshëm në lidhje me përkeqësimin e shëndetit të aplikuesit në burg. Kësisoj Gjykata ka arritur në përfundimin se gjithçka e përmendur më lart krijoi një ndjesi pasigurie tek Grori, që e kombinuar me vuajtjen e tij fizike arriti deri në trajtim degradues, në shkelje të nenit 3 të Konventës,- thuhej në vendim.


Gjykata e Strasburgut ka konstatuar po ashtu se Gjykata e Lartë, duke kërkuar një bazë ligjore për mbajtjen në burg të Grorit importoi në legjislacionin e brendshëm instrumente të ligjit ndërkombëtar që nuk kishin hyrë ende në fuqi në Kodin e Procedurës Penale në Shqipëri.


Kësisoj, Gjykata arrin në përfundimin se midis 15 majit 2002 dhe 29 dhjetorit 2003 Grori nuk është mbajtur në burg në përputhje me një procedurë të parashikuar nga ligji, prandaj ka pasur një shkelje të nenit 5/1,- sqarohet në vendim, duke e cilësuar të paligjshme mbajtjen e tij në burg, përderisa, ligji nuk ishte abroguar në Kodin e Procedurës Penale.


Shkelje të rëndë për shtetin shqiptar, Gjykata e ka cilësuar mos zbatimin në kohë të urdhrit të kësaj Gjykate drejtuar autoriteteve të drejtësisë shqiptare me telefon, fax dhe e-mail, ku për herë të parë kjo Gjykatë urdhëron qeverinë që urgjentisht të dërgojë një person në spital për mjekim.


Ky urdhër, sipas vendimit, është dhënë që mëngjesin e 11 janarit 2008 duke i kërkuar autoriteteve shqiptare shpërnguljen e Grorit nga burgu i Peqinit në Spitalin e Burgut për mjekimin e nevojshëm. Ky urdhër është shpërfillur për 17 ditë, duke u ekzekutuar më 28 janar 2008, thuhet më tej.


Strasburgu ia shuan shpresat e lirimit Grorit


TIRANË- Në vendimin e zbardhur pasditen e djeshme të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ku qeveria shqiptare u dënua me 15 mijë euro si dëmshpërblim për të dënuarin me burgim të përjetshëm Arben Grori, këtij të fundit ia shuan shpresat për pafajësi. Sipas vendimit që mban nr. e aktit 553 theksohet se Gjykata Strasburgut hodhi poshtë ankesat e tjera të aplikuesit.


"Gjykata e Strasburgut vendosi se nuk ishte e nevojshme që të shqyrtohej në mënyrë të ndarë sipas nenit 6/1 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut për ankesat e aplikuesit në lidhje me paligjshmërinë e procedimeve lidhur me aprovimin dhe zbatimin në Shqipëri të vendimit të pësuar në Itali.


Gjykata hedh poshtë gjithashtu ankesat e tjera të aplikuesit",-thuhet në vendim. Sipas këtij vendimi, Gjykata e nuk ka marrë në konsideratë pretendimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Arben Grorit, për shkelje të të drejtës për një proces të rregullt ligjor sipas nenit 6 të Konventës.


Pra, i dënuari për vrasjen e Naim Zyberit, ish- të fortit të Tiranës para vitit 1997, Arben Grori, do të vazhdoje të qëndrojë në burg dhe vendimet e Gjykatave shqiptare konsiderohen në tërësi të drejta, pavarësisht se për disa shkelje ai merr një vlerë financiare si shpërblim.

Ankesa e Grorit në Strasburg


TIRANË- Sipas këtij vendimi, i dënuari Arben Grori ka aplikuar pranë Gjykatës së Strasburgut më 9 korrik 2004 duke depozituar ankesën mbi mbajtjen e paligjshme të tij në burg për shkak të procedimeve të brendshme në Shqipëri për të ligjëruar dhe zbatuar një dënim me burgim të përjetshëm të dhënë nga gjykatat italiane në mungesë për vrasje dhe mbajtje të paligjshme armësh.


Si edhe me trajtimin mjekësor të papërshtatshëm gjatë kohës së qëndrimit në burg, pasi që nga vitit 2003 ai është diagnostifikuar se vuan nga sëmundja e quajtur "Sclerosis Multiple", sëmundje kjo që nuk mund të mjekohet në kushtet e Spitalit të Burgut.


"I dënuari Arben Grori u ankua në Gjykatën e Strasburgut se kishte marrë trajtim të papërshtatshëm mjekësor në burg dhe se ishte mbajtur në burg në mënyrë të paligjshme për aprovimin dhe zbatimin në Shqipëri të vendimit për burgim të përjetshëm të dhënë nga gjykatat italiane në mungesë të tij.


Kërkesa e tij është mbështetur në nenet 3, 5/1, 6/1 (e drejta për gjykim të drejtë), 7 (jo ndëshkimit pa ligje) të Konventës dhe tek neni 2 i Protokollit Nr. 7 (e drejta për apelim në çështjet kriminale).


Ai u ankua gjithashtu se shpërngulja e tij në një spital civil në janar 2008, siç u udhëzua nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ishte vonuar duke thyer nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut .

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›