E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset turistja kosovare, pranga autorit 15-vjeçar

KUKËS/ Një familje nga Prishtina është tentuar të grabitet në orët e para të mëngjesit të së martës


KUKËS - Një grua ka mbetur e plagosur për shkak të një prite të ngritur nga dy grabitës në afërsi të qytetit të Kukësit. Makfire Berisha, 28 vjeçe, bashkë me dy fëmijët e saj, vëllanë dhe të dashurën e këtij të fundit kanë rënë pre e dy personave të armatosur, të cilët kanë tentuar t'iu marrin automjetin dhe gjithçka kanë pasur me vete.


Shtetasit kosovarë, të cilët ishin nisur për pushime në plazhin e Durrësit, janë përleshur me grabitësit, të cilët pas plagosjes së 28-vjeçares janë larguar. Një 15-vjeçar është vënë në pranga si autor i ngjarjes ndërsa policia është në kërkim të bashkëpunëtorit të tij.


Ngjarja


Para oficerëve të policisë gjyqësore, Safet Berisha dhe e dashura e tij kanë rrëfyer ngjarjen ku mbeti e plagosur 28-vjeçarja Makfire, nënë e dy fëmijëve. Sipas dëshmisë, 5 personat ishin nisur për pushime në plazhin e Durrësit. Në autometin e tyre tip "Volksvagen" kanë qenë duke udhëtuar drejtuesi i mjetit, Safet Berisha, me të dashurën dhe motrën Makfire Berisha me dy fëmijët e saj.


Rreth orës 03:15, duke u gdhirë e martë, në vendin e quajtur "Ura e Uzinës", rreth tre kilometër pa hyrë në qytetin e Kukësit. Dalja e urës ka qenë e bllokuar me gurë dhe si pasojë automjeti ka ndaluar.


Por në këtë moment janë shfaqur dy persona, njeri prej tyre i armatosur me kallashnikov. Menjëherë ata kanë tentuar të marrin peng djalin 8-vjeçar të Makfires, si kërcënim për dhënien e automjetit dhe gjithë plaçkave që ndodheshin në të.


Por teksa janë përpjekur të marrin të miturin, gruaja 28-vjeçare ka reaguar dhe po kështu edhe vajza tjetër që ndodhej në makinë, e cila duke përfituar nga fiziku i fortë është përleshur me të armatosurit.


Gjatë kësaj kohe njëri prej tyre ka hapur zjarr nga pas automjetit duke plagosur Makfiren, e cila ndodhej në sediljen e pasme të makinës.


Më pas, siç duket, të përfshirë nga paniku, dy personat janë larguar me shpejtësi në vendin e ngjarjes, ndërsa viktimat kanë udhëtuar drejt spitalit të Kukësit, ku e plagosura i është nënshtruar operacionit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimi


Pas marrjes së informacionit, dhjetëra forca policie të komisariatit të Kukësit kanë shkuar në vendngjarje, duke u vënë në ndjekje të autorëve. Ndërkohë që është ngritur menjëherë grupi hetimor.


Blutë gjatë gjithë paradites së të martës ushtruan kontrolle në banesat e të dyshuarve duke shoqëruar rreth 15 persona të dyshuar. Pas shoqërimit të tyre në komisariat është bërë paraqitja për njohje përpara Safet Berishës dhe të dashurës së tij.


Nga 15 personat, e dashura e Safet Berishës i ka vënë gishtin njërit prej tyre, pikërisht personit me të cilin ajo rrëfen se ishte përleshur në vendin e ngjarjes. Pas identifikimit, policia i ka vënë prangat K.S., 15 vjeç, nga "Lagjja e Re" e qytetit të Kukësit.


Ky i fundit, megjithëse në moshën e adoleshencës, njihet nga uniformat blu si person me rrezikshmëri të lartë. Ai mban edhe pseudonimin "Duçja" dhe njihet si autor i shumë vjedhjeve të banesave e dyqaneve në qytetin e Kukësit.


Fshehtësia


Policia e Kukësit ka kërkuar që ta mbajë larg mediave ngjarjen e rëndë me një të plagosur dhe disa të terorizuar, midis tyre edhe dy fëmijë. Salla e reanimacionit e spitalit të Kukësit, ku gjendej e plagosura Makfire Krasniqi, ruhej me policë.


Përfaqësuesit e mediave kanë marrë lejen e mjekut që ka trajtuar të plagosurën për të kontaktuar me të, por ka qenë e pamundur, pasi mediat nuk janë lejuar nga policia. Ruajtjen drejtuesit e policisë e cilësojnë "për arsye sigurie".


Pas ngjarjes që u shoqërua me plagosjen e një shtetaseje nga Prishtina, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës janë urdhëruar të patrullojnë rrugët nga lëvizin turistët kosovarë.


Viktima bashkë me fëmijët e saj kishte vite që frekuentonte plazhin e Durrësit, ndërsa vëllai i saj bashkë me të dashurën udhëtonin për herë të parë në Shqipëri. "Nuk do të kthehem kurrë në këtë vend, pasi ende jam i terrorizuar", shprehet me indinjatë Safet Berisha para ambienteve të policisë së Kukësit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›