E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Nuk ka negociata me kushtet e socialistëve

Numri dy i qeverisë shqiptare, Ilir Meta ka mbështetur kreun e qeverisë, duke theksuar se nuk mund t‘i përgjigjesh ultimatumeve të opozitës. Duke folur dje në Kuvend, shefi i diplomacisë tha se "Raporti i ODIHR e bëri të qartë se nuk kishte manipulime. Gjërat janë shumë të qarta. Ka vullnet për dialog për një palë dhe ka afate e ultimatume nga një palë tjetër. Që po nuk u hapën kutitë do të kemi protesta. Ata mund të kishin shumicën në komisionet parlamentare dhe të mbështetej çdo kërkesë e opozitës për të hetuar gjithçka që nuk bie ndesh me kushtetutën dhe nga ana tjetër ka vetëm ultimatume. Pra ose do bëhet kjo që do njëri apo tjetri ose do bëhet qameti". Zv/Kryeministri shqiptar theksoi më tej në fjalën e tij se nuk mund të bëhet dialog me Ramën pasi nuk mund të hapen kutitë e votimit. "Si mund të ketë dialog në këto kushte. Në këto kushte ka dy rrugë ose ata të vijnë në parlament dhe të bëjnë dialog në institucione ose do të shkojmë edhe ne me batanije e të bëjmë dialog në rrugë. Askush nuk mund të kërkojë dhe s‘ka si të kërkojë hapjen e kutive në Shqipëri. Çdo gjë që bëhet në Shqipëri është në shërbim të shtetit ligjor. Nuk mund të hedhim në erë gjithçka se një person nuk është në parlament dhe që kërkon që çdo gjë të bëhet jashtë parlamentit. Kapitulli i zgjedhjeve është i mbyllur"", deklaroi Meta. Sakaq, Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Asstrit Patozi, e ka akuzuar kreun e opozitës se po pengon liberalizimin e vizave dhe integrimin e Shqipërisë në BE. Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Patozi ka ironizuar protestat e socialistëve kur deklaroi se "Edi Rama nuk mund ta zbehë as me soba gazi dhe as me batanije GAB-i në bulevard vlerën dhe peshën e jashtëzakonshme që ka për Shqipërinë verdikti i të hënës në Bruksel. Kryetari i Partisë Socialiste mund të marrë çdo vendim për veten dhe për të tjerët, që e rrethojnë, por ai nuk mund të mos lexojë vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›