E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Politika shqiptare si autobusi i Kuçit

• Kryetari i Asamblesë socialiste tregon bindjen e tij për rikthimin e të majtës në pushtet dhe emrin e kryeministrit të ardhshëm të vendit.Lorenc Vangjeli“Do ta zëvendësojmë këtë qeveri qesharake”, thotë ai. Gramoz Ruçi flet për revistën MAPO për reformën zgjedhore dhe marrëdhëniet e tij me Ramën, Metën e Nanon dhe arsyet se pse nuk do të jetë pjesë e ekzekutivit të nesërm.Deklarimi juaj për emrin e kryeministrit të ri të vendit në rast se PS-ja fiton zgjedhjet, mund të konsiderohet si sinjali i parë për një çarje të së majtës. I qëndroni ende kësaj bindjeje, pavarësisht kostos paraprake që ai solli?Eshtë e parakohshme të diskutohet që tani ky problem. Kjo është një nga ato çështje që në politikë konsiderohen si aksioma, kryetari i partisë që triumfon në zgjedhje është dhe kryeministër. Dhe kjo ka shumë arsye, të cilat nuk po rri t´i numëroj. E kundërta do të ishte një mëkat edhe moral, edhe politik. Nëse ne do ta transferonim këtë përgjegjësi gjetkë, do të zhgënjenim elektoratin, që duke besuar te programi ynë - dhe ky është një program që do të ketë brenda profilin, vizionin dhe përgjegjësinë politike të Ramës, nuk do të ballafaqohej kështu dhe me përgjegjësin e zbatimit të tij. Ky është një debat që nuk ka lindur dhe nuk mund të lindë tek ne, askush nuk mund ta vejë në dyshim të drejtën legjitime të PS-së, që të ngarkojë me këtë mision kryetarin e saj në kontratën politike që do të nënshkruajmë me publikun shqiptar. PS-ja nuk do të bëjë më gabimet e të shkuarës, kur për tetë vjet ndryshoi 6 kryeministra. Nga ana tjetër, Kushtetuta shqiptare nuk njeh asnjë pengesë dhe papajtueshmëri për mandatin për të qeverisur Tiranën me mandatin për ta ndryshuar e përmirësuar gjithë Shqipërinë si Tirana. Ky ishte hapi i parë i grindjes publike, më pas partitë e vogla në të djathtë dhe të majtë të spektrit politik shfaqën kundërshti të forta për sistemin e ri zgjedhor, deri më tani, të pranuar hapur dhe në heshtje nga PD e PS. Pse kjo ndarje?Të jemi të qartë për një gjë; sistemi i sotëm elektoral është krejtësisht i kalbur. Në 18 vjet pluralizëm qeverisjet e vendit kanë pësuar dëme të konsiderueshme dhe u ka munguar stabiliteti, edhe për shkak të numrave në Kuvend që kanë qenë rrjedhojë e sistemit aktual zgjedhor. Atyre u ka munguar kredibiliteti moral, politik, si dhe efektiviteti i pritshëm. Sistemi elektoral prodhonte një produkt të deformuar dhe ka ndodhur kështu kryesisht për faj të dy partive të mëdha, PD e PS. Shihni qeverinë e sotme Berisha, të ardhur në pushtet po për shkak të deformimit të votës. Në 2005 e majta mori në total rreth 120 mijë vota më shumë, e megjithatë doli në opozitë. Kurse Berisha, për shkak të Dushkut, pesë dikasteret kryesore në vend, ato që menaxhojnë gati 60 për qind të punonjësve buxhetorë të vendit, i ka deleguar në duart e partive të tjera. Kështu ndodh me shëndetësinë, mbrojtjen, arsimin, mjedisin e çështjet sociale. Po ju jap vetëm një shembull për të kuptuar sesa formale është kjo lloj qeverisjeje. Në të gjithë historinë për ndërtimet energjetike në Vlorë, i vetmi që nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme është ministri i Mjedisit, Xhuveli, që është dhe kryetar i Partisë Agraro-Ambientaliste. Pse nuk ka folur? Sepse nuk ka asgjë për të thënë dhe kjo është një dëshmi më shumë që sigla e partisë së tij ka vlejtur vetëm për t´u këmbyer me një karrige në mbledhjet e qeverisë. Në këtë frymë është ndërtuar e gjithë qeveria dhe në bindjen time, kjo është thjesht një qeveri qesharake, që nuk duhet të merret seriozisht. Sistemi i ri zgjedhor që ne propozojmë, projekton shumë më drejt dhe në mënyrë shumë më direkte vullnetin e votuesit në qeverisje dhe po në mënyrë direkte afron dhe adreson përgjegjësitë.Megjithatë këto parti tashmë po krijojnë një bllok përballë jush, kurse PD e PS ngjajnë shumë më pranë njëra-tjetrës. Si e komentoni ju një gjë të tillë?Ky lloj bashkimi i këtyre partive që cilësohen të vogla, është dhe një vetëdeklarim i hapur dhe i qartë se ato nuk kanë elektorat. Propozimet e tyre synojnë të krijojnë mundësinë ligjore që në listat zgjedhore të nesërme të ketë hapësira dhe për kandidatët kamikazë për deputetë për të grumbulluar vota. Dhe në këtë rast kam parasysh ata individë, të cilët nuk kanë të bëjnë me politikën, emrat dhe portretet e të cilëve janë fare të qartë për gjithkënd. Këta edhe realizojnë deformimin e vullnetit të votuesit, e për rrjedhojë, edhe deformimin e qeverisjes dhe të vetë shoqërisë. Unë besoj dhe dua ende të shpresoj se klasa politike duhet të gjejë vullnetin, kurajon dhe forcën për të ndërtuar një sistem elektoral që të dalë mbi interesa të vogla. Dhe nëse do të perifrazoja Çurçillin do të thosha: Edhe brenda imoralitetit të politikës duhet të ketë një moral. Dua ende të besoj në moralin e klasës sonë politike. Po ju kujtoj një fakt. Deri më tani, Partia Demokratike nuk ka pasur kurrë një grup parlamentar sesa ai i dalë nga zgjedhjet e vitit 1991. Përballë rreth 180 deputetëve të Partisë së Punës së atëhershme, ata spikatën për epërsinë e tyre të padiskutueshme intelektuale. Nuk po përmend emra se i njohim të gjithë, që nga Berisha, Meksi, Imami, Ceka e të tjerë që mundën të zhvillojnë një luftë politike të admirueshme, brenda caqeve dhe kufizimit të kohës. Të njëjtën gjë do ta thosha edhe për grupin parlamentar të Partisë Socialiste në vitet ‘92-‘96; 35 deputetët socialistë në mënyrë shembullore e gati të pabesueshme sot, ishin në gjendje të përballonin atë represion të jashtëzakonshëm të regjimit të Berishës dhe të shndërroheshin shumë shpejt në shpresën dhe alternativën e vetme e të qartë të rikthimit të PS në pushtet. I sjell këto fakte për të dëshmuar dhe njëherë rëndësinë e parlamentarizmit dhe sidomos cilësisë që vjen nga zgjedhjet cilësore të tij. Në 2009, të jeni të bindur se Partia Socialiste do të sjellë pikërisht një shumicë të tillë deputetësh. Nuk do të ketë nevojë për krahasime, kontrasti do të jetë i jashtëzakonshëm me PS në pushtet. Dhe duke e rimarrë dhe njëherë pyetjen tuaj, dua të shpreh sërish një bindje të thellë, në Shqipëri dy parti janë pak, por pesë parti do të ishin vërtet shumë. Sepse politika në Shqipëri dhe faktorët e tij, i ngjajnë asaj anekdotës me autobusin e Kuçit, të gjithë udhëtarët kërkonin të rrinin në sediljet e para dhe i binte që autobusi të ecte nga anash. Dukeni shumë i bindur, njëlloj si të flisni për një fakt të kryer për rikthimin e PS në pushtet. Ku e mbështesni këtë bindje?Në të gjithë përditësinë e veprimtarisë së Partisë Socialiste. Dikur dhe unë mund të kisha merakun tim për lidershipin e PS-së, por sot me kënaqësi mund të them se ky është një merak i tejkaluar. Nuk jam bërë pishman që i kam dhënë mbështetje kryetarit Rama, i cili tashmë me durim dhe përditshmëri po i jep edhe fytyrën e tij fitores sonë të nesërme. Socialistët kudo që ndodhen sot e ndjejnë kryetarin e tyre dhe kryetari po i ndjen ata, ndaj kësaj radhe fituesi në zgjedhje nuk do të jetë më pak i keqi mes dy të këqijave, por do të jetë padiskutim alternativa më e mirë. Unë mund t´ju them që sot se shifrat e nesërme do të kenë një diferencë tronditëse dhe qeverisja jonë do të jetë stabël dhe e aftë për të realizuar programin absolutisht më të mirë qeverisës që i është afruar ndonjëherë qytetarit shqiptar.  Ju keni në tryezat tuaja një seri sondazhesh konfidenciale, a e përligjin këtë optimizëm tuajin shifrat e tyre? Ju thatë dhe vetë se këto janë sondazhe konfidenciale, ndaj nuk dua të tregoj detaje. Por sesa të vërtetë janë, po ju them se rezultati i zgjedhjeve të 18 shkurtit 2007 që ato paraprojektuan, ishte vërtetim i qartë i tyre. Parashikimi ishte krejt i përpiktë. Sot ne kemi një diferencë prej tetë për qind plus me Partinë Demokratike. Por përtej shifrave, diferencat tona me të janë ku e ku më të mëdha.   Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Ramën dhe Nanon, ku bashkohet e sotmja dhe e djeshmja në drejtimin e Partisë Socialiste?Nuk dua të bëj një listë apo të tregoj detaje në këtë drejtim. Do të doja t´i përgjigjesha në një mënyrë tjetër pyetjes suaj. Dua të kujtoj se në kongresin e 2005 në PS, kam paraqitur një paketë masash, që në media mori emrin paketa Rama. Nuk po i hyj as autorësisë dhe as arsyeve pse ajo paketë u rrëzua. Dua të kujtoj se ajo parashikonte që ish-kryetari PS-së do të drejtonte një këshill pranë PS-së me të gjithë “ish-at”, do të thotë, një këshill me të gjithë ish-kryeministrat, kryetarët e Kuvendit që partia jonë kishte prodhuar në vite. Parashikonte, veç të tjerash, edhe ripërcaktimin e rregullave të lojës brenda partisë dhe të përgjegjësive. Kjo paketë ra edhe për shkak të mospranimit të saj nga vetë Nano, por dua të them se më pas, me insistimin e vetë Ramës, tashmë kryetar partie, u përcaktua se kryetari i partisë jep automatikisht dorëheqjen në rast të humbjes së betejës elektorale. Askund tjetër nuk do ta gjeni një nen të tillë në statutet e partive evropiane. Nuk është shkruar sepse një gjë e tillë është e paracaktuar moralisht në formimin demokratik të tyre, kurse për kushtet e Shqipërisë, më besoni, kjo do të thotë një revolucion emancipues, sepse në kushtet e Shqipërisë ka mbijetuar vetëm modeli i kryetarëve të përjetshëm. Ndërsa Rama është ndryshe, është punëtor dhe dinamik.Po Meta?Ka qenë kryeministër socialist. Në politikë inatet nuk të çojnë shumë larg.Marrë me shkurtime nga revista “MAPO”PolitikanetDua të shpreh sërish një bindje të thellë, në Shqipëri dy parti janë pak, por pesë parti do të ishin vërtet shumë. Sepse politika në Shqipëri dhe faktorët e tij i ngjajnë asaj anekdotës me autobusin e Kuçit, të gjithë udhëtarët kërkonin të rrinin në sediljet e para dhe i binte që autobusi të ecte nga anash.Fatos NanoDua të kujtoj se paketa parashikonte që ish-kryetari PS-së do të drejtonte një këshill pranë PS-së me të gjithë “ish-at”, do të thotë, një këshill me të gjithë ish-kryeministrat, kryetarët e Kuvendit që partia jonë kishte prodhuar në vite. Parashikonte, veç të tjerash, edhe ripërcaktimin e rregullave të lojës brenda partisë dhe të përgjegjësive. Kjo paketë ra edhe për shkak të mospranimit të saj nga vetë Nano.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›