E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet drafti për reformat në kulturë

• Një draft i ri, për reformat në institucionet kulturore i hartuar nga Ministria e Kulturës ka pak ditë që ka mbërritur në duart e drejtuesve të tyre.ANILA MEMA Përfshin kryesisht pika të rëndësishme për institucionet e artit skenik duke nisur që nga mandati për drejtuesit e tyre, konkurset për emërim, audicionet për artistët, organigramën, menaxhimin, kontratat, imazhin, repertorin, të drejtën e autorit, ambientet, financimet e sponsorizimet. Janë të gjitha të shtjelluara me detaje, duke u shoqëruar edhe nga përshkrime përkatëse për secilën pikë, të përmbledhura të gjitha në një draft shumëfaqësh të hartuar nga Drejtoria e Artit dhe Letrave në bashkëpunim me vetë drejtuesit e institucioneve kulturore. Pritet që nga ky draft të nisin dhe debate, kundërshti e pranime, një rast konkret ka ndodhur vetëm dje në Teatrin e Operas dhe Baletit nga Sindikatata e Artistëve. Por ky është vetëm fillimi. Megjithatë drejtori i Artit dhe i Letrave në MTKRS,  i cili ka mëse dy muaj që është ulur dhe ka punuar për hartimin e saj, Fatjon Dragoshi, thotë se debati sjell progres, dhe kjo është një shenjë pozitive. Konsultat sipas tij për hartimin e draftit (pjesë të rëndësishme të së cilit po i botojmë bashkënbgjitur me shkrimin), janë bërë me komisionet parlamentare, drejtuesit, bordet e institucioneve, aristët e lirë, eskpertët e huaj, etj. “Ajo që ne po mundohemi të ligjërojmë, është një plan strategjik trevjeçar, mbi të cilin prezantohen kandidaturat për titullarë të mundshëm të artit skenik. Nëse Zhani Ciko, Kristaq Skrami dhe Gent Çocoli janë sot në ato poste drejtuese, janë se ka pasur një vullnet të caktuar për t’i lënë apo për t’i vënë aty. Ajo që ne po mundohemi të bëjmë me këtë draft është që vendosim një mandat të drejtorit të përgjithshëm. Mua nuk më pëlqen ideja që dikush emërohet në një pozicion dhe shkarkohet ditën e dytë ose vitin e 22-të. Tentimi drejt mandateve, mendoj se është i rëndësishëm”, shprehet Dragoshi. Një tjetër pikë e përfshirë në draft sipas tij është edhe sqarimi i kompetencave të titullarit dhe të bordit artistik. “Fatkeqësisht ka pasur një debat intensiv dhe herë-herë ka denigruar përsa i përket raportit të titullarit me bordin artistik. Në ligj nuk janë sqaruar detyrat e njërit apo tjetrit. Ajo që ne po bëjmë në amendimin e këtij drafti është sqarimi i detyrave të bordit dhe ato të titullarit të përtgjithshëm”, shton drejtori i Artit dhe Letrave në MTKRS. Një pikë tjetër e rëndësishme që pritet të diksutohet gjatë janë dhe kontratat e punës. “Institucionet Kombëtare nuk mund të japin kontrata të përjetëshme për një artist për 1001 arsye. Shqipëria sot ka gjashtë teatro shqiptar nëpër rrethe, disa prej të cilëve mund të ndryshojnë status së shpejti. Ne kemi këtu salla teatrosh prestigjioze, që janë treg shumë i mirë dhe i bëjmë nder Shqipërisë, pse të mos çojmë artistë për nga dy vjet në këto vende”, shton Dragoshi. Por pika të tjera që ndoshta të parëndësishme në dukje, janë bërë pjesë e këtij drafti, që sidoqoftë në të tërën synon për një punë më të admirueshme në institucionet kulturore shqiptare. Megjithatë prej të hënës pritet të merren edhe përgjigjet përsa i përket këtij drafti nga drejtuesit e institucioneve. Ndryshimet nga reformaPikat në draft • Repertori Mungesa e veprave të repertorit shihet si problem serioz për një teatër kombëtar pasi a) nuk lë vepra trashëgimi për institucionin b) e bën të pamundur shpërndarjen e produksioneve të Teatrit në teatrot lokalë dhe c) mban një numër të madh solistësh të pa-angazhuar për një kohë të gjatë në teatër. • Dirigjenti & Drejtues Artistikë TKOBAP duhet të angazhohet për të gjetur një dirigjent (orkestre) të huaj të vlerësuar në tregun ndërkombëtar, me një kontratë 2 ose 3-vjeçare (kjo mund të bëhet nëpërmjet rrjeteve artistike si OPERA EUROPA apo agjensive të ndryshme). • Audicioni Për të gjithë artistët e së Operas dhe Baletit dhe atë të Ansamblit Popullor të bëhen audicione, nën drejtimin e një grupi specialistët të huaj, në muajin qershor (para mbylljes së sezonit). Audicioni do të ketë mundësinë të arrijë këto përfundime: a) të krijojë një pasqyrë të gjendjes aktuale të cilësisë artistike në institucion; b) të rishikojë kategoritë për secilin artist; c) të ndërpresë marrëdhënien e punës për ato artistë që nuk arrijnë standardet minimale të përcaktuara për këtë audicion, dhe d) të tjera objektiva që do të vendosen nga drejtuesit e institucionit, juria ndërkombëtare dhe specialistët. • Trajnimet e Brendshme Teatri duhet të trajtojë me prioritet rolin trajnues të specialistëve me emër që ka në trupën e vet në ndihmë të artistëve të rinj që fillojnë punë në teatër apo të rinjtë që angazhohen në teatër në kuadër të projektit të të rinjve. • Ambientet e TKOBAP Të punohet ngushtësisht me MTKRS për të pregatitur një dosje-projekt për ndërhyrje në ngrohjen e sallës dhe riparimeve të tjera në Teatër. (Projekti i paraqitur të rishikohet dhe të fillojë puna për të aplikuar për fonde. • Trupa Artistike Drejtori i Teatrit Kombëtar duhet që të rishikojë trupën artistike duke synuar a) uljen e numrit të trupës së artistëve në 28 nga 32 që ka aktualisht dhe b) përafrimin e raportit mes aktorëve të I, II dhe III-të në standardet normale – ku aktorët e kategorisë I-rë nuk duhet të kalojnë shifrën 25-30%, dhe c) të ndalojë kontratat e ‘përhershme’ me të gjithë artistët nën një moshë të caktuar duke lënë vetëm një numër të limituar të aktorëve me këtë tip kontrate. • Kategoritë Gjendja aktuale në TK është absurde pasi ka 20 aktorë të I-rë, 4 të II-të dhe 9 të III-të. Kategoritë mund të jenë në forma nga më të ndryshmet, por një teatër nuk mundet kurrsesi t’i ketë të gjithë aktorët të kategorisë së parë pasi në teatër ka nevojë për role të dyta dhe të treta po aq sa për role të para. Ndërkohë për t’i dhënë mundësinë regjisorëve të ndryshëm për të freskuar pak skenën me artistë të ndryshëm të kalibrit të I-rë, ky raport është edhe më i vogël në pjesën dërmuese të teatrove të botës.• Organigrama Të rishikohet organigrama e institucionit duke prezantuar pozicionin e “Drejtorit Artistik/Regjisor” Është kërkuar që pranë teatrit të hapeshin 3 pozicione ‘regjisor’ - pasi u konsultuam me ekspertët e huaj dhe drejtues të teatrove europiane dhe ato në rajon arritëm në përfundimin që kjo nuk është aspak e pranueshme për situatën tonë. • Shpërndarja e Ofertës Kulturore Institucionet e artit skenik duhet të ndërtojnë një frymë bashkëpunimi me bashkitë dhe teatrot e qyteteve kryesore në vend për të vënë në skenë disa prej produksioneve të tyre në teatro kryesore si: Elbasan, Durrës, Vlorë, Shkodër etj. • Aktiviteti Financiar Ministria do të angazhohet për të siguruar një marrëveshje me Ministrinë e Financave – bazuar mbi hapësirën taksative që krijon ligji ‘për Artin Skenik”- për të kaluar 60% të të ardhurave nga biletat dhe kontratat e tjera për institucionin të cilat ai do ti përdorte për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj audiencës, promocionit (pika më e rëndësishme), krijimit të një fondi për të paguar të drejtën e autorit, vlerën artistike etj (si të gjithë teatrot e botës). • Të drejtat e Autorit Duhet ndaluar urgjentisht praktika antiligjore e përdorimit të veprave të autorëve të ndryshëm pa paguar të drejtat e autorit- bazuar mbi ligjin “për të drejtat e autorit” dhe Direktivave të BE-së në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). • Sponsorizimet TKOBAP konsiderohet si institucioni i varësisë më i suksesshëm i MTKRS përsa i përket sponsorizimit. QKKF punon në vazhdimësi për të afruar sponsorë të ndryshëm. TK nuk ka pasur asnjë kontratë të mirëfilltë sponsorizimi vitet e fundit. GKA ka mangësi të mëdha në këtë aspekt. Grupi i Punës gjykon se nëse do të punohet me logjikën e këtij drafti sponsorizimet do/duhet të rriten cilësisht në një kohë të shkurtër. • Hapësira muzeale Duhet shikuar mundësia e krijimit të një fondi të Vlerave Muzeale të TKOBAP ku artdashësit kanë mundësinë (kundrejt pagesës) të njihen me vlerat e institucionit qendror të artit operistik dhe muzikës serioze Shqiptare ndër dekada.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›