E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket studentja e Infermierisë, policia e Tiranës: S‘kemi denoncim

• TIRANE – Zhduket në mënyrë misterioze 27-vjeçarja nga Tirana studente e vitit të parë të Infermierisë.Të afërmit e studentes Entela Myrtaj pretendojnë se vajza ka dalë nga banesa mëngjesin e së premtes për të shkuar në shkollë dhe më pas nuk është kthyer në shtëpi. Alarmi për zhdukjen e vajzës është dhënë dje në mëngjes, rreth 24 orë pasi vajza ishte larguar për në Fakultetin e Infermierisë. Familjarët e saj pretendojnë se studentja ishte nisur për në shkollë që në mëngjes dhe nuk është kthyer në shtëpi pas mesditës si zakonisht. Në momentin e largimit, vajza 27-vjeçare që frekuentonte leksionet për Infermieri prej një viti, kishte kontaktuar me nënën e saj. Rreth orës 09:00 të së premtes vajza i ka treguar të ëmës se po nisej për në shkollë. Që nga ky moment të afërmit nuk kanë pasur asnjë kontakt tjetër me vajzën që konsiderohet e zhdukur. Familja ka pritur deri në mbrëmje të premten, por vajza nuk është kthyer në banesë ndërsa të afërmit nuk kanë mundur të komunikonin me 27-vjeçaren edhe pse kanë tentuar disa herë ta bëjnë një gjë të tillë. Të afërmit kanë bërë disa herë thirrje në celularin e vajzës, por ai rezulton të jetë i mbyllur. Prindërit e studentes së zhdukur janë shprehur dje se vajza ishte e stresuar kohët e fundit. Sipas përshkrimeve të dhëna nga prindërit e vajzës dhe nga të afërm të tjerë të saj, në momentin që ka dalë nga shtëpia, studentja kishte veshur një xhaketë gri, pantallona xhins dhe një golf të kuq. Prindërit e vajzës janë shprehur dje se që prej momentit të largimit të 27-vjeçares nga shtëpia nuk dinë asgjë për fatin e saj. Ndërkaq burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, janë shprehur se organet e rendit ende nuk kanë marrë ndonjë denoncim për zhdukjen e studentes së Infermierisë. Gjithsesi mësohet se e zhdukura nuk ishte larguar më parë nga banesa e saj. Policia ka tentuar dje të hynte të komunikim me të afërmit e të zhdukurës për të mësuar diçka më shumë rreth ngjarjes. Familjarët dhe të afërmit nuk dinin ndonjë shkak të mundshëm që ta ketë detyruar vajzën për t’u larguar pa asnjë gjurmë nga banesa e saj në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›