Topi: Po shqyrtoj nënshtetësinë e Janullatos
• Presidenti Bamir Topi shprehet se është duke shqyrtuar me maturi çështjen e nënshtetësisë shqiptare të kreut të Kishës Ortodokse, Janullatos. Këtë qëndrim Topi e mbajti në intervistën dhënë gazetarit Alfred Peza në “Ora News”.Ju jepni edhe hiqni nënshtetësi shqiptare sipas ligjit. Pse nuk i jepni zotit Janullatus, për shembull, nënshtetësinë shqiptare, ka shkelur ndonjë ligj?Absolutisht që jo, as nuk bëhet fjalë për shkelje ligji. Është një gjë që është në proces. E kam thënë edhe diku tjetër, por po e them edhe sot, ne kemi vlerësim për zotin Janullatus, i cili realisht ka zhvilluar një veprimtari që i takon të zhvillojë në krye të kishës ortodokse dhe besoj që ka qenë edhe në një pozicion ku i ka shërbyer Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Problemi është në marrjen e nënshtetësisë. Duhen marrë në konsideratë edhe disa ndjeshmëri të brendshme dhe mua më takon të vlerësojmë ndershmëritë në mënyrë shumë të kulturuar. Por mund t’ju them që nuk ka asnjë lloj predispozicioni negativ, përkundrazi ka pasur vetëm vlerësime, kam menduar që është një çështje kohe dhe vetëm kohe.Ju do të jeni Presidenti që do të firmosë shtetësinë shqiptare për zotin Janullatos?Duket se unë sapo jua thashë se është një çështje në proces dhe për sa kohë nuk ka një vendim definitiv, unë nuk mund t’ju them asgjë sot. Një e drejtë tjetër, një detyrim tjetër, apo që ua jep ligji është dhënia e dekoratave dhe titujve të nderit. Para disa kohësh ju dekoruat 5 ish-deputetë të kohës së Zogut apo të një periudhe ndoshta pak më prapa, në një ceremoni që u zhvillua në Kuvendin e Shqipërisë dhe e drejtoi zonja Topalli. Opozita reagoi negativisht për një pjesë të të dekoruarve, ndërkohë që u hodh pretendimi që ndonjëra prej tyre është refuzuar për t’u dekoruar edhe nga ish-Presidenti Berisha. Ju jeni penduar apo jeni koshient që keni bërë një veprim të drejtë?Së pari, kam respektuar një propozim që ka ardhur nga një institucion mjaft i rëndësishëm, institucioni i kryetarit të Kuvendit. Së dyti, kam respektuar vlerësimet historike për personazhet. Së treti, nuk mendoj që mund të jenë në referencën time mënyra e reagimit të individëve të ndryshëm, qofshin këto edhe president e miq të mi. Së katërti, besoj që para se të marr një vendim, e bëj shumë të konsultuar dhe lej shumë pak shanse për të qenë i penduar. Kështu që, nga kjo pikëpamje mendoj që gjithçka ka qenë shumë korrekte dhe ka qenë e motivuar. Pastaj, për sa i përket perceptimit të krahëve të ndryshëm të politikës, unë mund të kem komentuar ndonjë rast edhe nga krahu i djathtë, ndofta ndonjë zë për ndonjë vizitë të bërë në një drejtim ku referencat kanë qenë të majta. Unë kam thënë që në fillim se kam ardhur në këtë institucion...Bëhet fjalë për 28-29 Nëntorin?Bëhet fjalë për disa evenimente pa dashur t’i precizoj. Por e mora si shembull, si referencë, për të thënë që kam ardhur këtu i motivuar që t’i shërbej institucionit të Presidentit, që duhet të jetë tërësisht i ekuilibruar dhe pa rënë në paragjykimet e secilit krah.Çfarë marrëdhëniesh keni me shefin e Shërbimit Sekret Shqiptar, zoti President? A jeni të kënaqur me punën e stafit drejtues të këtij shërbimi?Sigurisht që janë marrëdhënie pune që e lidhin atë institucion me institucionin e Presidentit. Nuk jam futur në analiza apo në një trajtim analitik të aktivitetit, duke ruajtur absolutisht të drejtën që ka ky institucion për të operuar si një institucion i pavarur dhe besoj që në të gjitha kontaktet kam kërkuar shumë profesionalizëm dhe shmangie sa më shumë të jetë e mundur nga inspirimet politike, që do ta bënin këtë institucion shumë të kompletuar.Realisht ky institucion është i shmangur aq sa duhet nga inspirimet politike?Shiko, nuk mund të kesh një institucion në Shqipëri që të jetë totalisht i pastër nga influencat politike. Të bëjmë trajtim realist dhe me këmbë në tokë. Por e rëndësishme është që çdo ditë këto institucione kanë nevojë të matarohen. Çka do të thotë që ato do të vendosen me një status, që pavarësisht si vjen rrotacioni i pushtetit politik në Shqipëri, këto njerëz duhet t’i shërbejnë sigurisë kombëtare, sigurisë publike, institucionet të cilët janë të ndërtuar me ligj dhe duhet ta respektojnë ligjin si të tillë. Pra, ka shumë rëndësi që ajo që është në aparencë, që këto institucione presupozohen se janë të shkëputura nga politika, duhet të jenë edhe realisht. Ne çdo ditë punojmë që këto institucione t’ju shmangen politikës, sepse duke iu shmangur politikës, në trajtimin e problemeve, bëhen më profesionistë, bëhen më të besueshëm, bëhen më efikas.Meqë jemi te shërbimi sekret. Pak javë më parë ju dhatë një intervistë për Top Channel, aty deklaruat që është interceptuar nga shërbimet sekrete midis një gazetari dhe një agjenti serb. Për çfarë konkretisht bëhet fjalë dhe çfarë bëri shërbimi sekret shqiptar në këtë rast?Unë, zoti Peza, e kam përdorur në një kontekst të caktuar dhe në funksion të atij emisioni. Dhe kur kureshtjes së gazetarit të atij emisioni për ta vazhduar bisedën, u jam përgjigjur me një përgjigje përmbyllëse. Pra, nuk shkon më tej, sepse ka disa kufij. Por shumë e rëndësishme është që gjërat duhet të sinkronizohen për çështje ku interesi kombëtar prevalon mbi çdo interes tjetër. Pra, nuk është problemi si e artikulon frazën kryetari i shtetit, kryetari i qeverisë, politikani. Por e rëndësishme është se sa në sinkron vjen edhe media për çështje të kësaj natyre. Kështu që unë e kam përdorur në një kontekst të caktuar dhe besoj që ka qenë i vlefshëm për ta hedhur në publik në funksion të asaj që unë kam kërkuar që të dalë.Shërbimi sekret e bëri detyrën?Patjetër që shërbimi sekret ka bërë detyrën dhe vazhdon ta bëjë detyrën.A jeni penduar që e keni shkarkuar zotin Sollaku nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm?Jo. Deshët një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe natyrisht që nuk ka asnjë lloj pendese, sepse gjërat nuk janë bërë të sforcuara, përkundrazi janë bërë me shumë kujdes, mbi bazën e konsultimeve të gjërave, me juristë. Unë kam pasur mundësinë që të shprehem publikisht, nuk ka pasur asnjë lloj paragjykimi që lidhet me pozicionin politik të mëparshme, sikurse është munduar ta interpretojë dikush. E kam mbajtur atë çështje për një kohë të gjatë në Presidencë, aq sa disa personazhe të politikës, të krahut të djathtë, ishin të shqetësuar që pse po qëndron kaq gjatë kjo procedurë në tryezën e Presidentit. Unë kam dhënë argumente dhe besoj që këto argumente qëndrojnë sot e kësaj dite. Kemi një kazus në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, nga Gjykata Kushtetuese në raport me një ish-prokuror tjetër të Përgjithshëm, zotin Rakipi, e cila de fakto e ktheu në detyrë. Po nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë zotit Sollaku, si do të veproni?Unë besoj se nuk është ekskluzivitet i institucionit të Presidentit për të marrë në konsideratë një situatë të tillë. Ne të presim se çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese, pastaj gjërat do të hyjnë në rrafshin e tyre zyrtar, por nuk besoj që të ketë një veprim retrograd, ku gjërat duhet të kthehen prapa për të kaluar në atë pozicion që ishim.Meqë ishim tek zonja Topalli, çfarë marrëdhëniesh keni me të? Përflitet sikur ka pasur një lloj rivaliteti, një lloj ftohje. Këto janë më shumë bisedat informate që zhvillohen. Si është realiteti?Nuk ka asnjë bazë reale. Marrëdhëniet prevalojnë marrëdhëniet institucionale dhe janë korrekte.Po marrëdhëniet me Berishën si i keni? Flitet se pas zgjedhjes President i keni më të afërta se ç’i kishit përpara?Besoj që janë marrëdhënie pune dhe mjaft konstante. Kemi takime pune të detyrueshme për të qenë takime pune. Por, kemi ruajtur të njëjtat marrëdhënie njerëzore dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra, këto marrëdhënie njerëzore nuk varen nga katapultimi apo pozicionimit, ato marrëdhënie që kemi pasur, ato kemi dhe konstantja në marrëdhënie njerëzore është shumë e vlerësueshme.Zonja juaj përkrah punës në Ministrinë e Bujqësisë, nuk e ka lënë punë, e shoh gjithmonë e më tepër të angazhuar në veprimtari bamirësi, në veprimtari sociale. Është një gjë e brendshme apo është protokollare?Shiko Alfred, pa pasur një motiv të brendshëm nuk mund të ngresh absolutisht asgjë tjetër. Kështu që, fillon me një motivim të brendshëm dhe detyrimisht përputhet dhe me institucionin që ajo sot ka.Gjithashtu edhe vajzat tuaja janë në një moshë delikate. Në mos gaboj quhen Nada dhe Tida, dhe menjëherë kuptohen vajzat e Presidentit janë vajzat e Presidentit, janë të qytetarit numër një të këtij vendi dhe u vendosën ndoshta menjëherë në fokus të bliceve, të kamerave. Si po e përballojnë, ju çfarë i këshilloni?Këshilla ime e parë dhe e vetme ka qenë që në mënyrë absolute nuk dua të ndryshojnë pavarësisht që është një situatë e re me impenjimin e babait të tyre, por kurrsesi ato nuk duhet të prishin atmosferën e rinisë së tyre. Pavarësisht që në disa raste edhe teprohet, pikërisht në atë linjë që ju thatë. Mendoj që asgjë nuk ka ndryshuar. Ato e kanë absorbuar këtë realitet në mënyrë shumë të natyrshme dhe mua më vjen mirë që pikërisht ndodh kështu.Marrë me shkurtime nga TV ORA NEWS