E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet magazina e pijeve false

• Plot 80 mijë euro është shuma që kap sasia e pijeve alkoolike e sekuestruar në një magazinë në qytetin e Patosit.PATOS/ MAJLINDA RAMAMit’hat Bregu është 40-vjeçari nga qyteti naftëtar, i cili sipas policisë prej 5 vitesh merrej me tregti mallrash të kundërligjshëm. Burime të hetimit pohuan dje se, Bregu i ishte shmangur disa herë kontrollit të Tatimorëve, për faktin se në një qytezë të vogël si Patosi, mund të tregtoje pa e marrë vesh kush dhe duke iu shmangur dhe sanksioneve apo detyrimeve ligjore. Prej afro 5 muajsh ai ka qenë nën survejim nga uniformat blu të Qarkut të Fierit, të cilat organizuan aksionin “Gërshërët 5”. Disa sinjalizime të tregtarëve të vegjël, të cilët kanë bërë deponime në sallën operative të policisë në muajin tetor të vitit të kaluar, kanë bërë të mundur që blutë të organizojnë në mënyrë të fshehtë operacionin në fjalë. Menjëherë pasi janë siguruar fakte të mjaftueshme, pasditen e djeshme, një ekip i Krimit Ekonomiko - Financiar në bashkëpunim me forcat e komisariatit të Patosit e Fierit, kanë shkuar në ambientin ku mbaheshin sasi të mëdha pijesh alkoolike të llojeve të ndryshme, ku vendin kryesor e zë birra. Sapo ka marrë sinjalizime nga të afërm të tij, 40-vjeçari Bregu është larguar në drejtim të paditur, duke lënë në pikën e shumicës ku tregtonte prej kohësh vetëm djalin e tij, në një moshë jo madhore. Pas ushtrimit të kontrollit nga ana e policisë dhe forcave të antikrimit ekonomik, në magazinën e shtetasit Mit’hat Bregu është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 4000 litrash birrë, e cila kap në vlerë materiale shumën e 80 mijë eurove. Gjithashtu, uniformat blu kanë gjetur në vendngjarje edhe 30 mijë etiketa false, të cilat i proceduari penal Bregu i përdorte për shitjen e këtij prodhimi me ambalazhe të ndryshme. Burime të sigurta brenda policisë kanë thënë për “Panorama”, se ky shtetas e shiste birrën në pika të vogla tregtimi, në bar-restorantet e qytetit të Patosit, si dhe në disa lokale të zonave rurale, për t’iu shmangur kësisoj syrit të organeve kompetente. Mësohet gjithashtu se shitjen e produktit në fjalë, Bregu e bënte me shishe të prodhimeve të njohura të birrës, por edhe për birrën me kriko. Pas konstatimeve të mësipërme dhe grumbullimit të fakteve të mjaftueshme, ka filluar procedimi penal dhe është shpallur në kërkim Mit’hat Bregu, i akuzuar për prodhim të kundërligjshëm të artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimore. Burimet policore fierake bëjnë të ditur se shtetasi Bregu akuzohet gjithashtu edhe për falsifikim të vulave dhe formularëve përkatës. Uniformat blu për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe magazinën ku dhe zhvillohej aktiviteti i paligjshëm. Ndaj pronarit ka nisur kërkimi me akuzën e “prodhimit dhe tregtimit në mënyrë të paligjshme të mallrave industriale dhe pijeve alkoolike”. Ende nuk janë zbardhur faktet nëse shtetasi e prodhonte birrën vetë apo kishte furnitorë të tjerë. Kjo është një nga arsyet që policia po punon për të verifikuar rrethanat dhe implikimet e mundshme që mund të kenë përfshirje edhe persona të tjerë.Precedenti “Gërshërët 4”Operacioni “Gërshërët 4”, i zhvilluar 4 ditë më parë çoi në pranga 3 persona, dy prej të cilëve elektricistë dhe një qytetar. Sipas policisë, punonjësit e KESH-it po ndërhynin tek matësit e një familjeje, për të ndryshuar sasinë e energjisë së konsumuar prej tyre. Arrestimi i tyre u krye në kushtet e flagrancës, me akuzën e vjedhjes, duke shpërdoruar detyrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›