E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët sulmojnë autobusin shqiptar

• Ekstremistët serbë sulmojnë me gurë dhe sende të forta autobusin me targa shqiptare që ndodhej në një parking në qytetin Budva të Malit të Zi.Trazhgim SokolajNgjarja ndodhi dje në mëngjes ende pa gdhirë mirë, kur njëri nga dy autobusët që shoqëronte rreth 50 gra nga Shqipëria është dëmtuar nga goditjet me gurë dhe sende të forta. Si pasojë e sulmit të dhunshëm, autobusit i janë thyer fenerët e dritave, dy pasqyrat anësore dhe xhamat e dy dritareve. Pasagjerët e autobusëve me targa të Tiranës, mësohet se kanë qenë të gjitha gra nga Shqipëria. Ato kishin udhëtuar që të premten drejt Malit të Zi nga pika kufitare e Muriqanit me rastin e festës së 8 Marsit. Gratë ndodheshin ende në hotel kur autobusi është sulmuar nga një grup ekstremistësh serbë, të cilët sipas hetimeve të policisë kanë qenë tre ose katër persona. Ka qenë shoferi i autobusit të dëmtuar që kur ka kontrolluar dje në mëngjes, ka parë dëmtimet e mjetit të transportit. Ai menjëherë ka lajmëruar personelin e hotelit dhe më pas ka denoncuar ngjarjen në policinë malazeze. PoliciaShoferi i autobusit të dëmtuar menjëherë sapo ka mësuar për sulmin e ekstremistëve serbë, ka lajmëruar edhe agjencinë e udhëtimeve në Tiranë. Përfaqësuesit e kompanisë “Albania Interlines” nuk kanë vonuar të lajmërojnë policinë shqiptare për ngjarjen që kishte ndodhur në Budva. Fillimisht është menduar të ndërpritej qëndrimi i grave në Mal të Zi. Menjëherë pas lajmërimit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi ka komunikuar në linjë telefonike me homologun e tij malazez. Pak minuta më vonë, kreu i policisë së Malit të Zi ndodhej në vendin e ngjarjes. Ai i ka konfirmuar kryepolicit shqiptar se pasagjerët e autobusit të dëmtuar nuk kishin pësuar asnjë lëndim dhe se atyre nuk u kanosej asnjë rrezik. Policia shqiptare ka vijuar të mbajë kontakte me homologët malazezë, ndërsa në drejtim të shtetit fqinj, kompania e udhëtimeve ka nisur një autobus tjetër për të zëvendësuar mjetin e dëmtuar. Gratë që kishin udhëtuar me autobusin e sulmuar, kryesisht mësuese të shkollave të mesme të Tiranës, kanë vazhduar normalisht vizitën në Budva dhe aktivitetet e planifikuara prej tyre me rastin e festës së 8 Marsit. Policia malazeze ka marrë denoncimin për ngjarjen dhe ka filluar hetimin e saj. Sipas policisë, autorët e sulmit me sende të forta ndaj autobusit me targa shqiptare, kanë qenë një grup prej katër ose pesë personash, të identifikuar si elementë ekstremistë serbë. ReagimiNë kohën kur gratë që kishin udhëtuar drejt Malit të Zi vijonin itinerarin e parashikuar të festës së 8 Marsit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Tiranë, organizoi një konferencë shtypi. Zëdhënësi tha se “Policia e Shtetit menjëherë ka marrë kontakte me autoritet policore të Malit të Zi, të cilat konfirmojnë se në parkingun e autobusëve në Budva, gjatë natës nga persona ende të paidentifikuar është dëmtuar feneri dhe pasqyra e autobusit. Shërbimi policor malazez ka filluar veprimet procedurale për këtë çështje. Sqarojmë se, shtetaset shqiptare që kanë qenë me këtë autobus kanë vazhduar normalisht aktivitetet në këtë vend”. Policia deklaroi më tej se nuk kishte asnjë problem për personat që kanë udhëtuar me këtë autobus apo me autobusë të tjerë në drejtim të Malit të Zi.“Menduam të anulonim udhëtimin nga rreziku” TIRANE – Përfaqësuesja e kompanisë së udhëtimeve “Albania Interlines”, Ana Preka ka pohuar dje se bazuar në informacionet që janë marrë prej shoferit të autobusit të dëmtuar, fillimisht dukej se ngjarja ishte e rëndë. Shoferi siç duket ka qenë i tensionuar ç’ka ka bërë që edhe agjencia t’i kërkonte policisë shqiptare mundësimin e kthimit të 50 grave nga Tirana në drejtim të Shqipërisë. Mirëpo Policia e Shtetit kishte hyrë në komunikim me autoritetet malazeze nga të cilat mësoi se nuk kishte asnjë rrezik për gratë që kishin udhëtuar në vendin fqinj. Në këto kushte ato janë shoqëruar nga policia vendase dhe kanë kryer dje gjithë itinerarin e parashikuar të udhëtimit festiv. Policia malazeze e cila filloi hetimet për këtë ngjarje, dyshon se autorët e sulmit janë ekstremistë serbë. Arrestimi i tyre ende nuk është bërë i mundur, por dyshohet se ata kanë njohur autobusin me targa shqiptare dhe më pas në shenjë proteste kanë qëlluar me guta dhe me mjete të forta. Sipas informacioneve të para për ngjarjen, u dyshua se në momentin e sulmit, gratë ndodheshin brenda në mjetin e udhëtimit, por brenda pak minutave gjithçka u sqarua nga komunikimi mes policisë shqiptare dhe asaj malazeze. Gratë ndodheshin ende në hotel kur ekstremistët qëlluan me gurë autobusin. Lëvizja e mëtejshme e tyre është shoqëruar nga shërbime të policisë malazeze të cilat janë kujdesur për shmangien e çdo situate të papritur që mund të vinte në dyshim sigurinë e grave që kishin udhëtuar në drejtim të Malit të Zi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›