E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Të gjithë më këmbë për mandatin e Tiranës

19/05/2011  Lidershipi socialist vendos nisjen e revoltave për mbrojtjen e votës

Ligjvënësit socialistë përgatiten për revolta. Gjatë ditës së djeshme kanë zbritur në bazë për të mundësuar ngritjen e mbështetësve në protesta. Pritet që qytetet kryesore të vendit të përfshihen në tubimet e qytetarëve. E gjithë kjo strategji është hartuar nga lidershipi socialist për të bërë të mundur mbrojtjen e lirisë themelore: atë të votës së qytetarëve. Përmes një fraze të tillë mund të përmblidhet i gjithë plani i Partisë Socialiste për ditët në vijim pas situatës së krijuar lidhur me procesin e votimit për bashkinë e Tiranës, që siç u deklarua, tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur punën për plotësimin e procesverbaleve për të gjitha qendrat e votimit për këtë bashki. Ishte pikërisht mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ajo që vendori për ndërmarrjen e hapave të tillë.

Vendimi

Kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, përmes një deklarate për shtyp bëri me dije vendimin e marrë nga ky grupim. “Apeli ynë për çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi është të bashkohet me ne, paqësisht, por vendosmërisht. Shqipëria nuk është Egjipt, Shqipëria nuk është Tunizi, Shqipëria nuk është as Libi, prandaj në këtë vend smund të ketë vend edhe për qytetarë të lirë, edhe për diktaturën që vret, siç vrau sot lirinë. Të gjithë më këmbë, të gjithë në rrugë, të gjithë në betejë për mbrojtjen e lirisë themelore”, - tha Ruçi. Ndërkohë kreu i ligjvënësve socialistë sqaroi arsyet se pse kampi opozitar ndërmerr organizimin e revoltave popullore. “Ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, në kundërshtim me interesat e Shqipërisë, në kundërshtim me parimet dhe me vlerat universale të botës demokratike, ku duam të integrohemi. Sot populli opozitar është sfiduar nga një regjim diktatorial dhe kusar, që ditën për diell përmbys rezultatin e parë dhe të dëgjuar nga miliona sy e nga miliona vesh drejtpërsëdrejti në ekranin e numërimit me një transparencë të paparë në historinë e vendit tonë”, - nënvizoi Ruçi gjatë fjalës së tij lidhur me një çështje të tillë.

Takimi

Pas tentativave pa rezultat për të hyrë në sallën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deputetët socialistë u tërhoqën në selinë rozë, ku zhvilluan një mbledhje për bashkërendimin e të gjitha ideve, për mënyrën se si do të vijohet më tej. Diskutimeve në mesditën e djeshme ligjvënësit socialistë vendosën nisjen e revoltave popullore, ku kulmi i tyre do të jetë pikërisht në kryeqytet, por ndërkohë gjatë ditës së sotme do të nisë bllokimi i të gjitha akseve kryesore në vend.

Deklarata

“Sot për ne ka dy rrugë: ose të ulim kokën e ti nënshtrohemi një diktature të faktit të kryer, që vazhdon të vjedhë votën për të vjedhur Shqipërinë, ose të ngrihemi më këmbë të gjithë, në çdo qytet dhe të përballemi me zemër dhe me trup për të larguar një herë e mirë këtë diktaturë. Zgjedhja jonë është e qartë. E vetmja rrugë për ne është rruga e revoltës popullore. Që nga kryetari i opozitës deri te çdo deputet e çdo kryetar i sapozgjedhur bashkie apo komune, ne do të jemi në ballë të revoltës”, - u shpreh kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi lidhur me qëndrimin e mëtejshëm të kësaj partie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›