E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Kartat, qeveria tregohet jo serioze

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dhënien e kartave të identitetit falas para zgjedhjeve, teksa e konsideroi konfuz dhe demotivues projektvendimin e Këshillit të Ministrave për të ulur çmimin e tyre për disa kategori shtetasish. Zëvendëskryetari i kësaj partie, Pëllumb Xhufi, kërkoi zgjidhje të menjëhershme dhe unike për të mundësuar që procesi të përfundojë në kohë dhe askujt të mos i mohohet e drejta për të votuar. Ai kërkoi që aktualisht kartat të jepen falas dhe në një moment tjetër shteti të caktojë çmimin e tyre. "Ajo që karakterizon shoqërinë shqiptare, për fat të keq, është informaliteti dhe është shumë e vështirë sot, që me nxitim, të bësh një ndarje të kategorive të ndryshme të qytetarëve shqiptarë", deklaroi Xhufi. Sipas tij, këtu qëndron vështirësia, duke përfshirë edhe faktin që qeveria nuk ka pasur koherencë veprimesh të menduara dhe të ndarë edhe me opozitën. "Kjo ka sjellë vërtet konfuzion dhe askush nuk e di sot nga qytetarët shqiptarë se kush do të paguajë tre mijë lekë, kush dy mijë lekë, apo kush nuk do të paguajë fare", nënvizoi zv/kryetari i LSI-së. Ndaj, në këto kushte, kjo parti propozoi që kartat të vijojnë të jepen falas dhe shteti në një moment të dytë të vendosë çmimin e tyre. Duke pasur parasysh që nuk ka më kohë për të gjetur zgjidhje të ndërmjetme, apo zgjidhje të përkohshme, theksoi Xhufi, ajo që do ta zgjidhte përfundimisht problemin është pikërisht shpërndarja falas e kartave të identitetit para zgjedhjeve. Në gjykimin e LSI-së, projektvendimi i qeverisë lë jashtë trajtimit disa kategori të tjera, siç është ajo e familjarëve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës në mbrojtje të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve, apo dhe të kujdestarëve që merren me përkujdesjen për personat me aftësi të kufizuar, si dhe kategori të tjera. Gjithashtu, ai e konsideroi joserioze nga ana e qeverisë, që brenda pak javësh merr vendimin e tretë për procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, i cili është jetik dhe vendimtar për integritetin e zgjedhjeve të ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›