Ruçi marrëveshje për "një anëtar një votë"
24/02/2005 Partia Socialiste ka nënshkruar dje memorandumin e mirëkuptimit me Institutin Demokrat për Çështjet Ndërkombëtare për t'u angazhuar në zbatimin e parimit "një anëtar, një votë". Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, ka theksuar se "ky angazhim që ka ndërmarrë PS do të synojë realizimin e një demokracie në të gjitha nivelet e vendimmarrjes në parti". Drejtoresha e Institutit amerikan, Jennifer Butz, ka përgëzuar nismën e ndërmarrë nga socialistët, duke kërkuar që këtë parim ta bëjnë pjesë të programeve të tyre të gjitha forcat politike në Shqipëri. Sipas saj, "zbatimi i parimit 'një anëtar, një votë' në PS do të bëjë që të gjithë anëtarët e kësaj partie të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në zgjedhjet e forumeve drejtuese. Zbatimi i këtij parimi nuk duhet të zvarritet përgjithmonë. Shoqëritë demokratike duhet të ndërtohen nga institucione demokratike, kjo jo me fjalë, por me vepra". Pritet që të njëjtën marrëveshje ta nënshkruajë dhe Partia Republikane.