E Hënë, 2 Nëntor 2026

Betejën me Nanon e kam fituar pa filluar

24/02/2005  Nertan Ceka

"Nuk është hera e parë që për zotin Lesi kërkohet heqja e imunitetit. Kështu që, kjo lidhet jo aq me veprimtarinë e tij si deputet sesa me veprimtarinë e tij si gazetar. Kjo është një çështje që do të kalojë në komisionet përkatëse të Kuvendit. Ky institucion gjithmonë ka qenë i paanshëm dhe objektiv në gjykimet e tij. Nuk e di se me çfarë teme kërkohet heqja e imunitetit deputetit Lesi. Nuk besoj se ndezja e debatit në politikën shqiptare për "Lesin" do të heqë vëmendjen nga çështja kryesore që është sot në Shqipëri si përgatitja e infrastrukturës së zgjedhjeve, dhe përfundiumi i odisesë së negociatave për ndarjen e zonave elektorale. Çështja "Lesi" do të jetë një çështje e përhershme e Kuvendit të Shqipërisë.

Bamir Topi

"Nuk ka gjë më të rëndësishme që institucionet të reagojnë në kohë. Besoj se rizgjimi i prokurorisë për një çështje që parlamenti i ka mbyllur disa muaj më parë është një tentativë e hapur për të tërhequr vëmendjen nga tërë ajo klimë politike paraelektorale që e vendos Partinë Socialiste para humbjes së pushtetit për zgjedhjet që ne presim që të jenë mundësisht në muajin qershor të këtij viti. Tingëllon shumë e pakuptimtë që institucioni i prokurorisë jo vetëm që reagon me vonesë për një çështje që, siç e thashë, është e mbyllur nga legjislativi shqiptar, por tregon dhe atë që ne e kemi thënë gjithmonë që atëherë kur duhet të veprojë nuk vepron dhe atëherë kur normalisht nuk pritet të veprojë, ai vepron me një qëllim të paracaktuar politik".

Spartak Braho

"Kërkesa e prokurorit, nga mënyra se si është arsyetuar, i ngjan më shumë një vendimi për pushimin e akuzave ndaj Nanos. Nga pikëpamja juridike dhe ligjore nuk mund të ketë elementë shpifjesh, sepse nuk është Lesi, ai që ka fabrikuar akuza ndaj Nanos, por është një person tjetër, të cilit i referohet Lesi. E parë në këndvështrimin ligjor, është e pajustifikuar kërkesa, aq më tepër që opinioni duhet të njihet me vendimin e pushimit të akuzave ndaj Nanos dhe pas kësaj Lesit i lind e drejta të godasë dhe linjën e prokurorit për pushimin e akuzave. Ky është një debat që do të vinte sërish në parlament dhe një debat që prokuroria e ka në dorë, ajo duhet ta përballojë me paanshmëri me objektivitet. Organi i prokurorisë nuk është shumë profesional në trajtimin e kësaj çështjeje".

Maksim Begeja

"Përderisa problemi u trajtua në gjykatë, duke kaluar të gjitha shkallët e gjykimit deri në Gjykatë të Apelit, unë nuk di pse duhet që Prokuroria e Përgjithshme duhet të kërkojë heqjen e imunitetit të deputetit Lesi. Po të ishte kështu, duhet të ishte kërkuar para se të fillonte procesi gjyqësor, por, përderisa ky proces gjyqësor shkoi deri në Apel dhe aty cilësohet i përfunduar dhe nëse akuzuesi do të kishte pretendime mund të anulohej vendimi i Gjykatës së Apelit në Gjykatën e Lartë, kjo do të ishte procedura më normale. Unë deklaroj që tani se do të votoj kundër heqjes së imunitetit të deputetit Lesi. Nëse në këtë veprim ka ndikim Kryeministri Nano do të mund të cilësohej si tërheqje e vëmendjes nga problemet më të rëndësishme të vendit".

Fatmir Mediu

"Nuk jam njohur akoma me kërkesën e prokurorit të Përgjithshëm, mbi kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi. Megjithatë, me duket se është një vendim që shton akoma më shumë tensionet në institucionet e politikës shqiptare, aq më tepër që shikoj argumente ligjore për një mosveprim të prokurorisë. Rezervoj përgjigjen time, aktualisht, për këtë çështje. Nuk është hera e parë që ndodhin gjëra të tilla, dhe unë nuk jamë kundër veprimit të drejtësisë, por duhet që gjërat të bëhen logjike brenda Kushtetutës dhe ligjit, prandaj duhet të shikohet më konkretisht kërkesa e prokurorit. Pa e parë më nga afër formulimin dhe paraqitjen e kërkesës, nuk mund të ketë një qëndrim apriori, por më parë faktet dhe pastaj do të merret një vendim".

Brenda 3 muajsh, Kuvendi do vendosë për çështjen "Lesi"

Kryetari i Kuvendit do të njoftojë Këshillin e Rregullores së Mandateve dhe Imunitetit të deputetëve për datën kur do të merret në shqyrtim kërkesa për heqjen e imunitetit të Nikollë Lesit. Sipas Rregulores së re, Kuvendi duhet t'i kthejë përgjigje prokurorisë brenda tre muajve, në të kundërt kërkesa për heqjen e imunitetit konsiderohet e rrëzuar. Nga ana e tij, Nikollë Lesi në një intervistë për "Metropol" tha se iniciativa e prokurorit të Përgjithshëm është një lojë e Fatos Nanos.

Zoti Lesi, pas publikimit të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit tuaj me qëllim procedimin tuaj penal, cili është komenti juaj për këtë veprim?

Pasi u njoha me kërkesën e prokurorit të Përgjithshëm dhe aktualisht po e studioj me avokatin tim, besoj se brenda pak ditësh do të ketë një përgjigje zyrtare nga ana ime, në lidhje me akuzat që ngre prokurori i Përgjithshëm. Megjithatë, kjo është një akuzë politike, dhe është në vazhdën e kërkesave dhe lojës politike të Kryeministrit Fatos Nano, që ka filluar prej disa muajsh. Ndërkohë që është rrëzuar një kërkesë e Gjykatës së Lartë, dështoi atje, tashmë ka gjetur prokurorin e Përgjithshëm dhe do të dështojë dhe këtu. Kjo do të jetë beteja e fundit e imja me Kryeministrin Nano, betejë të cilën e kam të fituar pa filluar akoma, pasi jam saktësisht i bindur në akuzat e mia, në faktet e mia, aq më tepër që edhe në prokurori të Përgjithshme sot brenda kërkesës së bërë nga ky institucion, ka dhe një gafë juridike, nëse do të thuhet kështu në gjuhën praktike që thoshte: Nga akti i ekspertimit nuk duhet të jetë firma e filanit, në vend që të thotë në gjuhën e prerë juridike që është apo nuk është. Akti i ekspertimit dhe prokurori i Përgjithshëm thotë është firma e X personi, apo nuk është dhe kjo duhet të jetë e prerë. Ai thotë mund të jetë, mund të mos jetë. Nuk mund të flitet kështu në gjuhën e drejtësisë, aq më tepër në gjuhën e prokurorit të Përgjithshëm, nuk duhet ta ketë këtë gjuhë. Ai thotë "me sa duket", duke mos qenë i bindur për këtë kërkesë për këtë akuzë që bën për heqjen e imunitetit, i diktuar nga stafi politik i zotit Nano. Besoj se ka lënë një shteg të hapur, që nesër, pasnesër, kur do rrëzohet gjithçka, qoftë politikisht, qoftë juridikisht, të ketë mundësi për të dalë nga ky qorrësokak, ku ka futur veten dhe për të thënë se "unë kam thënë se edhe mund të jetë, edhe mund të mos jetë". Megjithatë, nuk punohet në politikë dhe veçanërisht në drejtësi në këtë mënyrë. Përfundimisht, është fituar nga ana ime beteja kundër zotit Nano dhe zotit Sollaku.

Zoti Lesi, ju keni deklaruar, disa orë më parë, se ky veprim i Prokurorisë dhe e Kryeministrit Nano për të është një veprim për të tërhequr vemnedjen nga çështje më të rëndësishme që shqetësojnë sot vendin...

Saktësisht kjo është dhe një pjesë e zotit Nano si mjeshtër që është për të spostuar vëmendjen nga krizat politike për zgjedhjet, nga krizat ekonomike, nga konfliktet, nga shumë e shumë probleme të tjera, që kanë shqiptarët mbi supe. E ka gjetur mënyrën për ta spostuar këtë vëmendje. Megjithatë, unë e bëra deklaratën time.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›