Sot përfundojnë bisedimet Shqipëri BE
23/02/2005 Grupi i Posaçëm i Shqipërisë dhe ai i Bashkimit Evropian kanë zhvilluar dje raundin e nëntë të bisedimeve, ku është diskutuar mbi ofertat mbi prodhimet bujqësore dhe peshkut, prej të dy palëve. Drejtori për Ballkanin Perëndimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Marrëdhënieve me Jashtë të Komisionit Evropian, Reinhard Priebe, duke vlerësuar përgatitjet e palës shqiptare dhe ofertën bujqësore, u shpreh se është arritur progres në këtë proces. Sipas tij, një numër çështjesh për diskutim në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit kanë shënuar zhvillime pozitive dhe pala komunitare do të diskutojë me Shqipërinë edhe për periudhën tranzitore. Ndërsa ministrja Ermelinda Meksi tha se nevoja për gjetjen e ekuilibrave sa më të mirë midis hapjes dhe mbrojtjes dhe e modaliteteve për zbatimin e tyre, bëri që oferta të kalonte nëpërmjet një procesi konsultimi intensiv jo vetëm me të gjitha institucionet shqiptare të përfshira në të, por edhe me komunitetin e biznesit. "Dëshiroj të ritheksoj se synimi i Qeverisë shqiptare është që në qëndrimet e saj të harmonizojë interesat e të gjithë aktorëve që preken nga reformat liberalizuese, duke përmbushur njëkohësisht detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian të vendit", tha dje Meksi.