E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi takim me Chountis: PS, hapa konkretë për zgjidhjen e situatës Kryetari i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi dhe raporteri i PE për Shqipërinë, eurodeputeti Nikolas Chountis

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, njëkohësisht kryetar i Grupit Parlamentar Gramoz Ruçi priti paraditen e sotme në një takim të veçantë Raporterin e PE për Shqipërinë, eurodeputetin Nikolas Chountis. Në këtë takim Kryetari i grupit të deputetëve socialistë vlerësoi rolin shumë të rëndësishëm që Parlamenti Evropian luan në mbështetjen e aspiratave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Zoti Ruçi theksoi vullnetin e Partisë Socialiste që Shqipëria të marrë sa më parë lajmin e shumëpritur të liberalizmit të vizave, për t’u bërë pjesë e hapësirës së lirë ku edhe shqiptarët, njësoj si fqinjët e tyre, do të mund t'i kalojnë kufijtë Evropës pa pengesa”, bën të ditur zyra e shtypit e PS. Sipas një njoftimi zyrtar mësohet se Ruçi është shprehur se shqiptarët nuk mund të penalizohen për shkak të keqqeverisjes. Po ashtu, kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi u ndal gjatë takimit në krizën politike të vendit. Ai tha se PS ka ndërmarrë të gjithë hapat konkretë për zgjidhjen e kësaj krize; duke qenë e përfaqësuar në Kuvend; duke propozuar nisma ligjore dhe vendimmarrëse, të cilat nëse nuk do ishin hedhur poshtë nga mazhoranca sot do të kishin zgjidhur përfundimisht krizën. Raporteri i PE për Shqipërinë, Chountis u shpreh se do të bëjnë gjithçka që në Shqipëri të ndërmerren të gjitha hapat demokratikë për zgjidhjen e krizës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›