E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për shfrytëzimin e tokave të pakultivura, PS: Rikthehet epoka e kolektivizimit Deputeti i PS, Fatmir Toçi

Partia Socialiste vlerësoi dje se po rikthehet epoka e kolektivizimit, por këtë herë për interesa të një grushti individësh të lidhur politikisht ose biologjikisht me Berishën. Reagimi erdhi pasi në komisionin e veprimtarisë prodhuese është diskutuar dhe miratuar vendimi i Këshillit të Ministrave për propozimin e projektligjit “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”, i cili do t’i paraqitet këto ditë Kuvendit të Shqipërisë. Përmes një deklarate për shtyp, deputeti socialist Fatmir Toçi, tha se miratimi i këtij ligji do të ishte një shprehje tjetër e politikave grabitëse të tokës së banorëve të fshatrave nga ana e shtetit. “PS është sot dhe do të jetë gjithmonë përkrah njerëzve të sulmuar nga shteti për interesa të një grupi që kërkon të mbretërojë në këtë vend, si dhe duke qenë përkrah tyre në protestën mbarëpopullore për mbrojtjen e tokës, të pronës dhe të ardhmes sonë të përbashkët”, deklaroi Toçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›