PS, Tahiri: Protesta do ndalet kur mazhoranca t’i hapë rrugë hetimit të zgjedhjeve Deputeti i PS, Saimir Tahiri

Partia Socialiste vlerësoi dje se mazhoranca deri tani ka shkelur me dhunë të gjithë alternativat për të zgjidhur krizën duke i bërë karshillëk, jo vetëm opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë, por edhe çdo qytetari të ndershëm në këtë vend. Përmes një deklarate për shtyp, deputeti socialist, Saimir Tahiri, tha se në këto 9 muaj, është bërë e qartë për opinionin publik dhe partnerët ndërkombëtarë, se zgjedhjet e 28 qershorit ishin një dështim për shkak të manipulimit me votën e qytetarëve, se parlamenti duhet të hetojë procesin zgjedhor në themel, në mënyrë të plotë dhe shteruese dhe se mbetet ende domosdoshmëri absolute garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme në të ardhmen. “Në këto kushte, e vetmja alternativë demokratike e mbetur, është protesta në çdo cep të vendit deri në zyrën e kryeministrit, protestë që do ndalet atëherë kur Kryeministri dhe mazhoranca do t’i nënshtrohen ligjit për t’i hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve dhe të të gjithë skandaleve të tjera që mbajnë peng zhvillimin e vendi”, deklaroi Tahiri.