Rudi Vata: Bariç është një zgjedhje, jo zgjidhje
Ramadan Bigza
Në Ulqin mund të shijoje para pak ditësh edhe bukurinë e plazhit, edhe qytetin historik, por edhe panairin e librit shqiptar, të vendosur në një prej rrugëve kryesore të qytetit, që zgjatet deri në dalje të tij. Në Ulqinin e 5-fishuar, thuajse i gjithi me shqiptarë, gjen emra të njohur të të gjitha fushave, të kulturës, të artit, të kinematografisë, të shkencës, të letërsisë, por edhe të sportit.
Rudi Vatën, ish-kapitenin e kombëtares sonë, këtu e njihnin thuajse të gjithë. Ka disa muaj që ai ka lënë Skocinë dhe është ankoruar në qytetin e bukur të Ulqinit. 900 metra katrorë tokë, brenda së cilës është ngritur madhështore një vilë trekatëshe dhe është në ndërtim edhe një pishinë e mjedise të tjera moderne, janë pronë e tij. "Vendosa ta ndërtoj këtë godinë në këtë qytet të bukur, ku jetojnë shumë shqiptarë, për të kaluar pushimet",- të thotë ish-qendërmbrojtësi shtatlartë. Kjo godinë është kontribut i imi në sport, ashtu sic janë të tilla edhe shtëpitë që kam në Skoci",- thotë Rudi Vata, tashmë baba i dy djemve.
Në pikën më të lartë të Ulqinit, atje ku pylli arrin majën e tij, gjendet "fortesa" e mbrojtësit shqiptar. Që këtu gjithcka të duket madhështore, sepse poshtë saj janë Kalaja e Ulqinit, Kulla e Balshajve, deti dhe plazhet piktoreske. Në këtë pejsazh mahnitës kryebiseda është sporti, atje ku krenaria dhe dhëmbja bashkohen në një. Rudi Vata flet me shumë respekt për sulmuesin Erjon Bogdani dhe reputacionin e tij. Tregon rreth përfoljes së emrit të tij në përbërje të stafit të Vllaznisë. Thotë se ishte dakord, që Hysen Zmijani të drejtonte ekipin e qytetit të tij.
Gjatë bisedës, telefoni bie herë pas here dhe Vata përgjigjet në gjuhë të ndryshme, gjë që tregon se edhe kur është me pushime, apo larg vendit të tij, ai nuk e le detyren e menaxherit. Në këtë bisedë ai flet për punën e vet si menaxher dhe tregon emrat e futbollistëve shqiptarë, që janë nën vëzhgimin e tij etj. Por Rudi Vata shpreh mendimin e tij edhe për trajnerin e kombëtares sonë Oto Baric.
Futbolli ynë kërkon njerëz energjikë
Oto Baric tashmë ka marrë detyrën e trajnerit të kombëtares. Ai ka parë ndeshje, lojtarë dhe më në fund ka arritur të bëjë edhe listën e kombëtares. Cfarë mendon Rudi Vata për trajnerin e "ri" të kombëtares sonë?
"Kam respekt për trajnerin kroat, kam respekt për moshën dhe për atë që i ka dhënë futbollit. Por ardhja e tij në drejtimin e kombëtares sonë më duket disi e dyshimtë. Kam bindjen se ai ka ardhur në drejtimin e kësaj kombëtareje, pa e njohur situatën në të cilën ajo ndodhet. Baric më duket se nuk ka pasur asnjë njohje edhe për problemet e mëdha me të cilat po kalon futbolli ynë. Nëse mund ta quaj krizë këtë që po kalon futbolli te ne, them se trajnerit kroat i mungojnë energjitë për ta nxjerrë këtë futboll nga kriza. Futbolli ynë ka nevojë për njerëz energjikë, të pasionuar dhe shumë punëtorë. Kështu që them se ardhja e Baricit në drejtimin e kombëtares është një zgjedhje dhe jo një zgjidhje e problemit. Përzgjedhja e lojtarëve të kombëtares kundër San Marinos është e njëjtë me atë të Brigelit. Ndaj, mesa duket, ne do të vazhdojmë të ecim me ritmin që jemi mësuar".
* * *
Futbollistët nën vëzhgimin e Vatës
"Vërtet jam në qytetin e plazheve, po sic po e shikoni, unë jam në punë. Sa ishim bashkë, kam folur në telefon me Gjermaninë, Italinë, Zvicrën dhe Francën. Në qendër të vëmendjes sime ka qenë futbollisti Erjon Bogdani, i cili sezonin e kaluar ka treguar një formë të shkëlqyer në kampionatin italian. Për Bogdanin kanë treguar interes klubet gjermane, si Hamburg dhe Hertha e Berlinit. Eshtë biseduar edhe me menaxherin e tij Aleksandro Moxhi për të parë kërkesat e Sienës. Me formën që ai ka treguar, vlera e tij është rritur shumë. Mua më bëhet qejfi që një futbollist shqiptar ka një vlerë në disa milionë euro. Eshtë kënaqësi të bisedosh me të tjerët për një futbollist të këtij kalibri.
Futbollistë të tjerë shqiptarë për të cilët po interesohem është edhe Dorian Bylykbashi. Për Bylykbashin kam kontaktuar me disa klube në Francë e në Gjermani. Pres të më sjellin një kasetë me lojërat e tij. Një lojtar mjaft interesant është edhe mbrojtësi shkodran i Besës së Kavajës, Elvis Kraja. Mendoj që në të ardhmen të kem një bashkëpunim edhe me këtë futbollist".