E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqesore, Shkumbini fiton 3-2 me Apolonine

Të shtunë paradite, në orën 10.30 në Peqin, Shkumbini e Apolonia janë ndeshur midis tyre në një takim miqësor, që përfundoi me fitoren e ngushte të vendasve 3-2. Për të dy ekipet kjo miqësore shërben si një test i mirë, ku të dy trajnerët patën mundësi të shohin nga afër gjendjen e futbollistëve që stërvitin. Loja filloi më mirë për Shkumbinin, i cili në minutën e 2-të mund të kalonte në avantazh, por Nexha shpërdoroi gjuajtjen nga pika e 11-m. Duhej të vinte minuta e 11-të që Shkumbini të konkretizonte epërsinë e krijuar. Shtatlarti Sefa shënon golin e parë, pasi ka evituar edhe daljen e portierit Hasa. Edhe pas golit, Shkumbini ka mundësi të shënojë me Dervishin e Canin, por është Apolonia, me anë të Plakut, që barazon rezultatin. Në barazim 1 1 përfundon pjesa e parë. Pjesa e dytë fillon përsëri me gol për Shkumbinin, por këtë radhë gjuajtjen nga pika e 11-m e merr përsipër Dervishi, që tregohet i saktë. Nuk kalon as edhe një minutë e Shkumbini arrin të shënojë golin e tretë, pas një aksioni model me protagonist Ndonin, Dervishin e Sefën, që shënon me kokë. Apolonia ngulmon dhe arrin të shkurtojë diferencën e golave, me Meton, që shënon me kokë, duke vulosur rezultatin në 3-2.
Skeda e ndeshjes:
Shkumbini: Llani, Muca, Cela (Salliu 39'), Ramazani (Xhyra 46'), Zmijani, Pasha, Nexha, Mohamadou, Cani (Ndoni 24'), Dervishi (Gjata 68'), Sefa.
Apolonia: Hazizi, Shoshi, Bega, Demiri, Bratja, Kuqi, Zheraldinjo, Meta, Rushani, Plaku, Hyso (u aktivizuan Sulejmani, Vrenozi, Sigesa, Roshi)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›