Rudi Vata: “Ja si po e çoj Biliçin te Sëlltiku”
E bujshme. Sipas agjencisë prestigjioze britanike “BBC”, menaxheri i njohur shqiptar Rudi Vata është duke trajtuar një transferim të mundshëm të trajnerit aktual të Kroacisë, Slaven Biliç, në stolin e Sëlltikut të Gllazgout, të mbetur vakant pas dorëheqjes së Gordon Straçan.
Lajmi është shpërndarë nga të gjitha mediat e mëdha botërore, kjo dhe për shkak të emrit e karizmës së njohur të 40-vjeçarit Biliç, i cili në bankinën kroate nuk lejoi Anglinë të ishte në finalet e Euro 2008, ndërkohë që fati i ka bashkuar sërish në një grup eliminator edhe për Kampionati Botëror 2010.
I pyetur në linjë telefonike nga “Albania”, themeluesi e drejtuesi i agjencisë menaxhuese “Vata Vision Football Management”, Rudi Vata, tha nga Skocia: “Po është e vërtetë, jam duke e trajtuar e menaxhuauar një lëvizje të mundshme të trajnerit të Kroacisë, Slaven Biliçit. Është kënaqësi jo vetëm për mua të intervistohem nga televizione të mëdha si “BBC” e “Sky” në Britani, por për të gjithë menaxherët shqiptarë, pasi në një farë mënyre në të githë përfaqësojmë një influencë në rritje në tregun evropian të futbollit”.
Sipas asaj që citon “Skysports”, Slaven Biliç, me një të kaluar futbollistike në Angli si ish-mbrojtës i Evertonit dhe Uest Hemit, ka shprehur përmes menaxherit Rudi Vata, interesimin për të nisur bisedimet me gjigantët skocezë të Sëlltikut.
“Gjithsesi, çështja është pak e komplikuar, -shton Vata për Albania-sport, - pasi kjo lidhet edhe me angazhimet momentale të vetë Biliçit në krye të përfaqësueses kroate. Kroacia do të luajë, më 6 qershor kundër Ukrainës dhe ende jemi në bisedime formale për të gjetur një zgjidhje paraprake”.
Nga ana tjetër, “BBC” citon Rudi Vatën, një ish-mbrojtës i Sëlltikut, duke theksuar se agjenti shqiptar beson se Biliç mund ta çojë klubin nga Gllazgou në një nivel tjetër.
“Slaven është i gatshëm të bisedojë me Sëlltikun, por për momentin ende nuk kemi dëgjuar ndonjë gjë prej tyre. Ai (Biliç) është i etur për një sfidë të re dhe është i vetëdijshëm për rëndësinë e klubit dhe pasionin e tifozëve të tij. Ai mendon se mund ta çojë Sëlltikun në një nivel tjetër. Ne do të presim se çfarë do të ndodhë”, - tha Vata.
“Unë i çova emrin e tij Sëlltikut dhe tani jam në pritje të një përgjigje prej tyre. Slaven është nën kontratë me Kroacinë dhe ka një ndeshje shumë të rëndësishme me Ukrainën, por Slaven është një trajner mendjehapur. Dhe ai dëshiron të flasë me Sëlltikun në lidhje me punën”, - citohet Vata nga “Setata Sports Neës”.
“Sëlltiku është një klub i madh, një klub që merr pjesë rregullisht në Ligën e Kampioneve dhe natyrshëm që Slaven mund ta çojë klubin në një nivel tjetër. Ai beson se mund të performojë shumë mirë në Ligën e Kampioneve. Ai është një trajner ambicioz, ai mendon se Sëlltik është mjaftueshëm i madh për të qenë në gjysmëfinalet e finalen e Ligës së Kampioneve. Slaven e njeh lojë britanike shumë mirë, pasi është përfshirë në futbollin anglez për shumë vite. Ai e kupton shumë mirë çdo të thotë emri i Sëlltikut për tifozët e tij”, - thekson Rudi Vata.
Bankina e Sëlltikut, duke iu referuar edhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Rudi Vatës, menaxherit tjetër të FIFA-s, Mario Cenolli, prej ditës së hënë është bosh, pasi Gordon Straçan dha dorëheqjen ditën e hënë, pasi dështoi në fitimin e titullit.
I pyetur nga “Albania”, Cenolli tha nga Londra: “Është traditë në Britani, që trajnerët e mëparshëm të japin edhe fekondimet e tyre për emra pasuesish dhe Straçan e ka bërë këtë, ka përmendur si kandidat të preferuar Mark MekGi, por dhe Ouen Kojl e Toni Moëbrej janë përfolur, gjithnjë sipas medieve si kandidatë për të marrë Sëlltikun. Gjithsesi, Rudi e Biliç, së shpejti nisin zyrtarisht kontaktet me drejtuesit e Sëlltikut”.
Biliç gëzon respekt të konsiderueshëm në trajningun evropian, pasi ka arritur disa suksese me Kroacinë U-21 dhe atë A. Gjithsesi, Slaven, konsiderohet një rast “Jurgen Klinsman” apo “Marko van Basten”, të cilët ashtu si dhe kroati nuk kishin drejtuar më parë një klub futbolli përpara se të merrnin drejtimin e Bajernit në Gjermani e Ajaksit në Holandë.
Slaven Biliç, i cili më 30 prill 2008 nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Federatën Kroate të Futbollit, për një shumë prej vetëm 340 mijë eurosh, konsiderohet si nga trajnerët më të talentuar. Sëlltiku padyshim do t’i ofronte një shumëfish të kësaj vlere.
Skela, shpërblim 35 mijë euro
Tridhjetë e pesë mijë euro do të marrë Ervin Skela, ashtu si dhe lojtarët e tjerë të skuadrës, nëse fantaziti shqiptar do të arrijë të mbajë Energi Kotbusin në Bundesligën 1 pas dy ndeshjeve të play-out me Nurembergun e Bundesligës 2 (të enjten ora 18:00). Një mbijetesë që do të thotë miliona euro për klubin e Ervinit, por dhe për vetë mesfushorin virtoz të Kombëtarës shqiptare për të vazhduar aventurën edhe për dy vjet të tjera me Energinë. Në ndeshjet e fundit në kampionatit lojtarët e Kobtusit shpërbleheshin ekstra për çdo fitore me 5000 euro.
28 Maj 2009