E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani: “Me Augsburgun dua të ringjitem në Bundesligë”



Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani, nënshkroi një kontratë dy-vjeçare me Augsburgun e Bundesligës së dytë gjermane, deri më 30 qershor 2011.
“Më vjen shumë mirë që jam bërë pjesë e Augsburgut. Ka shumë persona atje që unë i vlerësoj e më bindën për të qenë pjesë e tyre. Me Augsburgun dëshiroj të arrijmë qëllimet e përbashkëta dhe të zhvillojmë ekipin”, - citohet Kapllani nga faqja zyrtare e klubit të tij të ri.
Edhe trajneri i Augsburgut, Xhos Luhakei, e vlerësoi shumë blerjen e shqiptarit: “Me Edmond Kapllanin ne morrëm një sulmues shumë të rrezikshëm, që ndër të tjera në sezonin 2006-2007 me 17 golat e tij pati një pjesë të madh në ngjitjen e Karlsruhes në Bundesligë. Jam shumë i kënaqur, që transferimi drejt Augsburgut u realizua”.
Ish-sulmuesi i Karlruhes, me të cilën mbylli edhe sezonin aktual e luajti në total 48 ndeshje në Bundesligën 1 (2 gola, asnjë këtë sezon) e 70 takime të vlefshme për Bundesligën 2 (24 gola), u transferua sipas mediave gjermane në parametra zero.
Në fakt, nuk është ndonjë humbje e madhe për sulmuesin 26-vjeçar durrsak, pasi sezonin e ardhshëm si Karlruhe ashtu dhe Augsburgu janë pjesë e Bundesligës 2, e Kapllani do të provojë emocione të forta kur do të luajë në përballjet e dyfishta kundër skuadrës me të cilën u bë i njohur në Gjermani.
Kapllani është blerja e katërt sezonale e Augsburgut, pasi skuadra e tij e re Firmosi edhe me Jonas De Roeck, Michael Schick und Axel Bellinghausen për sezonin e ri, duke i dhënë një fytyrë të re ekipit. Augsburgu përtëriti edhe kontratat me mbrojtësin Andrju Sinkala (deri në vitin 2011) dhe mesfushorin Elton Da Costa (deri në vitin 2010).
Mediat gjermane nuk lënë pa përmendur faktin, që Edmond Kapllani është thirrur në ekipin Kombëtar shqiptar për ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Botëror kundër Portugalisë (6 qershor) dhe miqësoren kundër Gjeorgjisë (10 qershor).
Gazeta lokale gjermane “Aufgsburger Allgemeine” në një portret të shkurtër të Kapllanit, nuk lë pa përmendur edhe faktin e faqes personale në internet të Edmondit, një uebsajt shumë simpatik e tërheqës, pasi sulmuesi karizmatik më një “Bond-Look”, me kostum të zi e papjon, paraqitet në rolin e një lojtari pokeri, teksa animacionet e krijuara nga uebmasteri i tij personal (gjerman) e tregojnë atë duke luajtur “poker”, duke pirë lëng frutash apo më pas duke marrë në dorë edhe një gazetë.
Edmond Kapllani luajti që nga vjeshta e vitit 2004 për Karlsruhen (atëherë në Bundesligën 2) dhe me 17 golat e sezonit 2006-2007 e ndihmoi skuadrën të ngjitej në Bundesligën 1, duke u shndërruar në idhullin e tifozerisë së qytetit, madje tifozët gjatë festimeve për rikthimin e Karlsruhes i dedikuan edhe një strofë të veçantë në një këngë për klubin si dhe shpalosën një banderolë të shkruar në gjuhën shqipe “Faleminderit Kapllani”.
Ndërsa Kapllani nënshkruan për Augsburgun e Bundesligës 2, një tjetër shqiptar, por me pasaportë gjermane, Valdet Rama, nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me Hanoverin e Altin Lalës.
“Mirë se vjen - Herzlich Ëillkommen!”. Kështu e përshëndeti klubi i Hanoverit mbërritjen e mesfushorit 21-vjeçar shqiptar nga Ingolstadt 04 në parametra zero. Rama ishte një lojtar bazë i Ingolstadtit të Bundesligës 2 dhe ishte rritur te ekipet e moshave të Volfsburgut, klubit aktual kampion të Gjermanisë. Rama ka një përdorim të shkëlqyer të topit me të dyja këmbët.
“Valdeti ishte prej një kohë të gjatë në fokusin tonë, tani erdhi momenti të angazhojmë në ekipin tonë”, - tha drejtori sportiv i Hanoverit, Jërg Shmadkte. “Me këtë blerje ne jemi të vetëdijshëm për atë që kemi bërë. Valdeti është i ri, por ka grumbulluar përvojë dhe ka shumë mundëis zhvillimi”. Trajneri Diter Heking: “Valderi është një lojtar dinamik, teknik, i cili me fleskiblitetine tij do të na ndihmojë më tej”. Vetë Valdeti: “Unë pata shumë oferta nga klube na Bundesliga 1 dhe 2. por këtu te Hanoveri unë shoh mundësitë më të mira për mua. Hanover 96 është një klub i njohur, me njerëz me përvojë në anën sportive dhe një ekip të mirë”.

Nisin “ethet shqiptare” për Portugalinë

Kampi portugez është pushtuar nga “ethet shqiptare” kur kanë mbetur edhe dhjetë ditë nga ndeshja e 6 qershorit midis Shqipërisë e Portugalisë (“Qemal Stafa”, ora 20:45).
Trajneri i Portugalisë, Karlos Kueiroz, deklaroi se arsyet e një grumbullimi të pazakontë treditor të lojtarëve të Kombëtares (nisi sot në Restelo), lidhen gjerësisht me synimin e tij për të njohur më mirë gjendjen e tyre.
“Kampionati në këtë moment është paksa kaotik, disa vende janë ende në kompeticion dhe të tjerë e kanë përfunduar aktivitetin. Arsye që më detyroi të kryej këtë grumbullim. Ne dëshirojmë që lojtarët të fokusohen në objektivin kryesor, që është ndeshja e Shqipërisë”.
Trajneri portugez, sipas uebsajtit rekord.pt, dëshiron të “jetë afër disa lojtarëve, t’i njohë ata më mirë, teksa në mënyrë të veçantë dëshiron të justifikojë edhe thirrjen e Pepes: “Fakti që ai është këtu është një votë besimi. Ne jemi të bindur se ai e meriton mundësinë për të treguar se ajo që ndodhi nuk ishte gjë tjetër veçse një incident. Ajo është diçka e kaluar. Ne duhet të ecim së bashku”.
Kueiroz, skuadra e të cilit barazoi pa gola me Shqipërinë në ndeshjen e parë (15 tetor 2008, në Braga), është i shqetësuar edhe nga një fakt tjetër, madje tepër shqetësues. “Shumë lojtarë në këtë periudhë janë duke menduar se ku do të jenë gjatë sezonit tjetër, kështu kjo gjendje me shqetëson. Për disa të tjerë sezoni ende nuk ka përfunduar. Vetëm pasi të kenë përfunduar ato ju mund të mendoni për pak pushim”.
Një nga risitë e listës së Portugalisë është dhe thirrja e Hoze Moreiras, portierit 27-vjeçar të Benfikës, një lojtar që ka kaluar në të gjitha nivelet e përfaqësueseve të luzitanëve (nga U-17 deri të A), por që për herë të fundit ishte pjesë e grupit portugez në Euro 2004.
Në listën prej 24 lojtarësh të Portugalisë bie në sy mungesa e Miguel Lopez dhe Rio Ave, që të dy të dëmtuar.

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›