Rudi Vata kërkon karrigen e Dukës
Leonard Karaj
Rudi Vata është kandidati numër 1 për president të Federatës Shqiptare të Futbollit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë menaxheri i FIFA-s në një deklaratë për mediat shqiptare. Ish-kapiteni i Kombëtares, zyrtarizoi kandidaturën e tij për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, gjatë zgjedhjeve të marsit të vitit të ardhshëm. Vata ka pohuar se njeh shumë mirë problemet e futbollit shqiptar, ndaj edhe do të ketë një ndikim shumë herë më pozitiv sesa presidenti aktual Armand Duka për të përmirësuar pozitën e topkëmbës në Shqipëri. “Nuk kam dyshimin më të vogël tk vetja se ndjej se jam më superior në drejtimin e futbollit sesa presidenti aktual i FSHF-së. Kjo për faktin se kam fituar atë eksperiencë të duhur gjatë kësaj kohe jashtë Shqipërisë, por jo vetëm e cila më lejon të besoj se mund t’i shërbej futbollit shqiptar shumë herë më mirë sesa Armand Duka”, ka pohuar kapiteni më jetëgjatë i përfaqësueses shqiptare. Vata, me një të kaluar futbollistike deri në Japoninë e largët, pohoi se trajnerët e huaj kanë dështuar në Shqipëri, pavarësisht se për ta janë paguar disa qindra mijëra euro. “Kemi parë gjatë këtyre viteve shumë trajnerë të huaj që janë ulur në pankinën e Kombëtares dhe përveç parave që kanë marrë nga Shqipëria nuk kanë dhënë thuajse asgjë për kombëtaren. Personalisht mendoj se kanë qenë një dështim total, kjo pasi aktualisht Kombëtarja është thuajse në të njëjtin nivel sikundër në kohën kur drejtohej nga trajnerë shqiptarë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka trajnerë të huaj të mirë, por se politikat e ndjekura nga FSHF-ja kanë rezultuar dështake”, ka pohuar Vata. Ish-lojtari i Sëlltikut të Gllazgout pohoi se ai i njeh mirë problemet e futbollit shqiptar dhe do të kërkojë në asamblenë zgjedhore të marsit 2010 që ai të bëhet nr.1 i futbollit shqiptar.