Ajrimi, grevë urie në burgun e Vaqarrit
Fatos Mahmutaj
Zgjatja e ajrimit, çmimet në dyqanin e burgut, hapja e dyerve të qelive gjatë paradites dhe problemet me lejet, janë shkaku i grevës, në të cilën është futur prej ditës së djeshme burgu i Vaqarit. Burime nga të dënuarit pohojnë se gjithë kati i dytë i këtij institucioni, ku ndodhen 20 qeli, përfshi edhe minorenët, refuzuan ushqimin mëngjesin e djeshëm, ndërsa u solidarizuan me ta dhe 3 qeli të katit të parë të këtij burgu. Për më tepër, sipas tyre, janë përfshirë në grevë edhe gjysma e minorenëve që ndodhen duke vuajtur dënimet në këtë institucion. Këta kanë refuzuar ditën e djeshme ushqimet e institucionit njëlloj si të dënuarit më të rritur, duke pretenduar përmirësimin e kushteve në këtë burg. Fakti i refuzimit të ushqimit nga të dënuarit konfirmohet edhe nga drejtori i këtij burgu, sipas të cilit ende asnjë prej grevistëve nuk ka firmosur deklaratat e grevës, ndërsa pritet që paraditen e sotme ai t’i kontaktojë drejtpërdrejtë të dënuarit dhe të diskutojë me ta problemet.
Kërkesat
Ndërkohë, të dënuarit e kontaktuar dje pohuan se problemi kryesor që i detyron ata të refuzojnë ushqimin dhe të hyjnë në grevë urie është kufizimi i ajrimit të tyre në vetëm tre orë paradite. “Ne qëndrojmë në ajrim nga ora 08:00 deri në 11:00, një ditë dhe 11:00 deri në 14:00 ditën tjetër. Pas përfundimit të ajrimit mbyllemi në qeli për 21 orë me radhë. Po kështu qelitë mbyllet me kyç nga jashtë gjatë kohës që ne jemi në ajrim. Institucionit nuk i kushton asgjë të na lejojë një orë ajrim pasdite. Në ditët kur bie shi paradite e kemi të pamundur të dalim në ajrim. Kështu që na bie të mbetemi në qeli për dy tre ditë pa dalë fare jashtë. Kjo mënyrë trajtimi qëndron në handikap me faktin që 90% e burgut ka të drejtën për leje dhe kalon jashtë pesë ditë çdo tre muaj”, pohoi dje për “Panorama” një i burgosur. Sipas tij, prej disa javësh në këtë burg është urdhëruar mbyllja e dyerve të qelive gjatë ditës, ndërsa më parë mbaheshin hapur. Kjo ka bërë që qëndrimi i të dënuarve të përkufizohet për 21 orë brenda katër mureve të qelisë.
Pretendimet
Po kështu sipas të burgosurve, çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera që blihen në dyqanin e burgut, janë disa herë më të larta se tregu real. Kjo ka bërë që mes të dënuarve të lindin dyshime për abuzime me çmimet, nga të cilat përfitojnë edhe funksionarë të burgut. Kërkesa e tyre është barazimi i çmimeve të mallrave në dyqanin e burgut me ato të tregut. Ndërsa problemi i katërt janë lejet e të dënuarve, ku sipas tyre ka nga ata që kanë plotësuar të gjitha kushtet dhe ende nuk kanë marrë leje shpërblyese. Një tjetër ankesë, e paraqitur nga të burgosurit është ndërtimi i një ambienti sportiv të mbyllur, i cili do të përdorej prej tyre në periudhën e dimrit, duke mos lejuar në këtë mënyrë edhe mbylljen e tyre brenda qelive, por shtimin e aktiviteteve edukative, kulturore dhe sportive, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në rehabilitimin e tyre.
Mbipopullimi
Burgu i Vaqarit aktualisht është më problematiku në vend përsa i përket mbipopullimit. Kjo për faktin se ky institucion ndodhet më pranë kryeqytetit dhe se hapësirat e tij janë shumë të vogla për të përballuar akomodimin në të, të të gjithë të burgosurve kryeqytetas. Ky institucion ka rreth 20 qeli në katin e dytë dhe rreth 15 në katin e parë, në të cilat ka raste kur qëndrojnë edhe 9 vetë në to. Tetë prej të burgosurve akomodohen në katër krevatet dykatësh, ndërsa i nënti detyrohet të flejë përtokë duke vendosur dyshekun në hapësirën e ngushtë midis dy rreshtave të krevateve. Kohët e fundit problemet e mbipopullimit në këtë institucion janë përmirësuar ndjeshëm, pasi janë transferuar më pak të dënuar sesa janë liruar, si dhe një pjesë e mirë e tyre janë lejuar të shkojnë me leje në shtëpi.
Temperaturat, ndizen kaldajat në Burrel
BURREL – Ulja e temperaturave të motit ditëve të fundit nuk ka sjellë asnjë anomali për 200 të dënuarit e burgut të Burrelit. Megjithëse pjesa më e madhe e të dënuarve kanë kryer vepra të rënda penale, drejtoria e këtij institucioni ka menduar që tani për sigurimin e ngrohjes për ta. Burime nga ky institucion pohuan dje se për të dënuarit e seksioneve A dhe B vihet në funksionim me urdhër të drejtorit Shkëlqim Gjoçuka kaldaja e montuar për të këtë qëllim. Megjithëse ajo shpenzon shumë karburant, ndizet dy herë në ditë, paradite dhe në mbrëmje për rreth 2 deri 3 orë. “Kaldaja vihet në funksionim kur moti ftohet, kur temperaturat bien ndjeshëm dhe të dënuarit ankohen se kanë ftohtë. Kjo kaldaja u shërben gjysmës së të dënuarve, pra të dy seksioneve. Edhe ditët e fundit, meqenëse temperaturat ranë deri në “0” gradë celcius, jemi detyruar të ndezim kaldajën e montuar për këtë qëllim” - sqaruan burime nga administrata e Burgut të Burrelit. Mjaftojnë 4 deri në 5 orë ngrohje në ditë që qelitë të jenë të ngrohta dhe të dënuarit të mos ankohen se kanë ftohtë. Ndërkohë më problematike paraqitet gjendja në seksionet C e D ku mungon ngrohja me kaldajë, pasi në këtë pjesë të burgut nuk janë montuar tubacionet dhe as kaloriferët për ngrohje. Sipas burimeve zyrtare, për gjysmën e të dënuarve që janë sistemuar në këto dy seksione është gjetur një “zgjidhje” tjetër më pak e kushtueshme. “Në këto dy seksione ka një numër më të madh të dënuarve në një dhomë. Megjithëse ato janë të vogla dhe se në to banojnë 6-8 persona bën që të ngrohen shumë më shpejt. Ndërkohë, po kështu, për këtë pjesë të të dënuarve ka më shumë orar ajrimi dhe të burgosurit kanë më shumë mundësi të sfidojnë ftohtin duke kryer lëvizje, duke zhvilluar lojëra të ndryshme sportive apo duke vrapuar” - sqarojnë të njëjtat burime. Sapo të afërmit e të dënuarve janë informuar nga mediat apo nga vetë “banorët” e Burgut të Burrelit se temperaturat e motit janë ftohur shumë, ata janë vënë në lëvizje dhe kanë dërguar për të dënuarit rroba dimërore, bluza të trasha, xhupa, etj. “Deri tani nuk ka pasur ankesa për sigurimin e ngrohjes nga ana e të dënuarve, ndërkohë në ditët që vijnë masat do të vijnë duke u përmirësuar në këtë drejtim” - pohuan dje drejtues të burgut të sigurisë së lartë. ha.pa
Sot nis zyrtarisht greva, 70% e të dënuarve refuzuan ushqimin
TIRANE – Gjatë paradites së sotme pritet që të dënuarit që po kryejnë dënimet në burgun e sigurisë së zakonshme në Vaqar të firmosin deklaratat zyrtare të hyrjes në grevë urie. Duke këmbëngulur në plotësimin e pesë kërkesave të tyre, ata pohuan dje se gjatë paradites së sotme pritet që një përfaqësi e tyre të takojë kreun e institucionit, nëse ai nuk do paraqitej për t’i takuar ata në qeli. Sipas të dënuarve, gjatë paradites së djeshme ku nisën refuzimin e ushqimit, ata ishin kontaktuar nga funksionarë të stafit policor të institucionit, të cilët u kishin kërkuar të dilnin nga greva, ndërsa këta kishin insistuar në plotësimin e kërkesave të tyre. Po kështu edhe kreu i këtij institucioni pohoi dje se gjatë paradites së sotme do t’ju kërkonte të burgosurve të konfirmonin faktin nëse ishin në grevë dhe pastaj të firmosnin deklaratat e nisjes së saj. Ndërkohë pritet që ky veprim të shoqërohet me nxjerrjen jashtë qelive të frigoriferëve dhe ushqimeve të shumta, që të dënuarit mbajnë nëpër qeli. Të dënuarit e kontaktuar dje pohuan se gjatë paradites së sotme do të përcaktohet saktë edhe numri i të dënuarve që do nisin grevën e urisë, pasi deri mbrëmjen e djeshme rreth 30 % e të dënuarve të rritur dhe gjysmat e minorenëve nuk ishin shprehur nëse do të futeshin apo jo në grevë. fa.ma
Kërkesat
Zgjatja e ajrimit përveç tre orëve të paradites, minimalisht edhe me një orë pasdite Hapja e dyerve të qelive gjatë ditës. Lejimi i të burgosurve të kontaktojnë me njëri-tjetrin brenda sektorëve gjatë ditës. Hapja e dyerve të qelive gjatë kohës që ata ndodhen në ajrim, në mënyrë që të ajrosen ambientet e brendshme. Ulja e çmimeve në dyqanin e burgut dhe njehsimi i tyre me tregun real. Dhënia e lejeve shpërblyese për të gjithë të dënuarit që plotësojnë kushtet ligjore. Ndërtimi i një ambienti sportiv të mbyllur për të kryer aktivitete gjatë kohës që bie shi apo temperaturat e motit janë të ulëta.