Kriza, ulen rreziqet për sektorin bankar
Edhe pse rreziqet ndaj sektorit bankar janë ulur, përsëri banka qendrore u ka rekomanduar bankierëve, që të tregojnë më shumë kujdes për periudhat në vijim. “Përsa i takon spektrit të rreziqeve të sektorit bankar, vlerësohet se ashpërsia e rreziqeve në afat të shkurtër është ulur, por sidoqoftë kërkohet një vëmendje e veçantë e ecurisë së treguesve të veprimtarisë bankare në një periudhë afatmesme. Në afat të shkurtër, gjendja e sektorit bankar ka filluar të ndjejë lehtësime për shkak të përmirësimit të situatës financiare të grupeve bankare evropiane dhe prej rikthimit të ritmit rritës të depozitave të publikut. Si rezultat, burimet e financimit të veprimtarisë, si nëpërmjet kapitalit ashtu edhe nëpërmjet huamarrjes nga rezidentët dhe jorezidentët, do të zgjerohen duke mundësuar një ngadalësim të ritmit të rënies së kreditimit dhe të investimeve dhe, më tej, një rritje graduale të tyre. Megjithatë, në afat të mesëm ritmet e zgjerimit të veprimtarisë, në drejtim të rritjes së investimeve fitimprurëse, do të jenë më të ulëta se ato që ishin deri në vitin 2008. Rritja e investimeve në lekë të sektorit bankar pritet të vazhdojë, për shkak të burimeve më të bollshme të financimit në monedhën vendase. Nga ana tjetër, rritja e fondeve rezervë për të përballuar humbjet e mundshme nga kreditë, do të vazhdojë të ndikojë në paqëndrueshmërinë e rezultatit financiar. Rezultati më i ulët financiar i veprimtarisë, do të ofrojë një mbështetje më të ulët të zgjerimit të veprimtarisë me burime të brendshme, duke kërkuar një angazhim të qëndrueshëm të aksionerëve të bankave”, thuhet në raportin më të fundit të BSH-së.