E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjet, 67 % janë në borxh me bankat

 

Fabiola Çela

Rreth 67 për qind e familjeve shqiptare janë në borxh me bankat. Pjesa më e madhe e tyre kanë marrë kredi pranë bankave, ndërsa pjesa tjetër overdraft ose përdorin karta krediti. Të dhënat janë marrë nga pyetësori i Bankës së Shqipërisë mbi borxhin e familjeve. Pyetësori mbi borxhin e familjeve synon të marrë të dhëna suplementare për nivelin e borxhit, peshën e shlyerjeve të borxhit në të ardhurat familjare, monedhën e emetimit, llojin e borxhit, si dhe karakteristika të tjera të kredimarrësve. Sipas bankës, analiza e të dhënave të këtij pyetësori shërben për të identifikuar peshën e faktorëve të ndryshëm të rrezikut të kredisë për familjet dhe zhvillimin e tyre në kohë.
Pyetësori
Pjesa më e madhe e familjeve shqiptare përbëhen nga tre ose katër persona, konkretisht 59.38 e tyre. Ndërsa 28.13 për qind e tyre kanë në përbërje të tyre pesë ose më shumë persona. Vetëm një ose dy persona janë burimi kryesor i të ardhurave në familje çka do të thotë se vetëm ata janë në marrëdhënie pune, rreth 53.12 për qind e familjeve dhe pjesa më e madhe e tyre janë të punësuar në sektorin privat. Rreth 32.26 për qind e familjeve i sigurojnë të ardhurat përmes punësimit në sektorin publik. Në këtë shifër përfshihen edhe të ardhurat pensionistëve. Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të punësuar në sektorin privat, konkretisht 45.16 për qind e tyre. Ndërkohë, vetëm 3.23 për qind e familjeve i sigurojnë të ardhurat e tyre nëpërmjet emigracionit. Të ardhurat për familje variojnë, por për pjesën më të madhe të ardhurat mujore janë nga 15 mijë deri në 50 mijë lekë në muaj. Kaq janë të ardhurat për 29.03 për qind të familjeve. Por ka edhe nga ato familje të ardhurat mujore të së cilëve nuk i kalojnë 15 mijë lekë në muaj. Ndërsa 22.28 për qind e familjeve shqiptare kanë të ardhura mujore nga 100 mijë deri në 150 mijë lekë në muaj. Për 16.13 për qind e familjeve të ardhurat mujore i tejkalojnë 200 mijë lekë në muaj. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të ardhurat i kanë në monedhën vendase. Pjesën më të madhe të parave shqiptarët i shpenzojnë për gjërat më të domosdoshme si veshje, ushqim, ilaçe për të paguar edukimin fëmijëve. Rreth 51.61 për qind e familjeve shpenzojnë çdo muaj mbi 50 mijë lekë për gjërat më të domosdoshme për familjet e tyre. Por një pjesë e mirë e familjeve shqiptarë janë në borxh me bankat. Kjo pasi 48.39 për qind e tyre kanë marrë një kredi pranë bankës kredi kjo për shtëpi apo konsumatore. Vetëm 9.68 për qind e tyre kanë marrë overdraft pranë bankave. Dhe po 9.68 për qind e familjeve shqiptare janë në borxh me bankat si rrjedhojë e përdorimit të kartave të kreditit.

pyetesori

Numri i personave në familjen tuaj është
A. 1 ose 2;        12,50%
B. 3 ose 4;        59,38%
C. 5 ose më shumë;        28,13%

Numri i personave që sigurojnë të ardhura në familjen tuaj, është:
A. 1 ose 2;        53,13%
B. 3 ose më shumë;        46,88%

Të ardhurat në familjen tuaj i siguroni nga:
A. puna/mbështetja në sektorin publik (përfshin edhe pensionistët);        32,26%
B. puna në sektorin privat;        45,16%
C. emigracioni dhe të tjera;        3,23%
D. kombinimi i a. b. dhe c.;        19,35%

Madhësia e të ardhurave në famijlen tuaj, në një muaj (në lek dhe valutë) është;
A. deri në 15 mijë lekë;        9,68%
B. nga 15 mijë lekë deri në 50 mijë lekë;        29,03%
C. nga 50 mijë lekë deri në 100 mijë lekë;        9,68%
D. nga 100 mijë lekë deri në 150 mijë lekë;        22,58%
E. nga 150 mijë lekë deri në 200 mijë lekë;        12,90%
F. mbi 200 mijë lekë;        16,13%

Pjesa e tyre në valutë, është:
A. deri në 10 për qind;        74,19%
B. nga 10 për qind deri në 30 për qind;        12,90%
C. nga 30 për qind deri në 50 për qind;        6,45%
D. nga 50 për qind;        6,45%

Shpenzimet e domosdoshme të familjes suaj
(për ushqim/veshmbathje, qera, ujë, energji, ilace, edukim), në një muaj janë:
A. deri në 5 mijë lekë;        6,45%
B. nga 5 mijë lekë në 10 mije leke;        9,68%
C. nga 10 mijë lekë dhe deri ne 15 mijë lekë;        3,23%
D. nga 15 mijë lekë dhe deri ne 25 mijë lekë;        3,23%
E. nga 25 mijë lekë dhe deri ne 50 mijë lekë;        25,81%
F. mbi 50 mijë lekë;        51,61%

Borxhin e keni detyrim ndaj:
A. bankave;        61,29%
B. institucioneve financiare jobanka;        6,45%
C. të tjera;        32,26%

Borxhin e keni krijuar nëpërmjet:
A. përfitimit të një kredie që shlyhet me këste;        48,39%
B. përfitimit të një kredie ‘overdraft’ që shlyhet me një shumë të vetme;        9,68%
C. përdorimit të një karte krediti;        9,68%
D. të tjera;        32,26%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›