Sejdini letër Dukës për 15 mln lekët e Ahmatajt
Kryetari i bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini i është drejtuar me letër të hapur institucionit të FSHF-së, dhe në veçanti presidentit të saj Armand Duka. Kryebashkiaku i ankohej në një farë mënyre për vendimin e padrejtë sipas tij të dhënies 15 milionë lekë (të vjetra) ish-lojtarit Julian Ahmataj. “Nëpërmjet shtypit u njohëm me vendimin e Komisionit të Apelit që i jepte Julian Ahmataj të drejtën për të fituar nga Elbasani 1.5 mln lekë (të reja). Klubi ruan të drejtën e aplikimit të gjobave në rast të performancës së dobët të pajustifikuar zyrtarisht me justifikimin mjekësor. Ne ju kemi vënë në dijeni dy javë para përfundimit të kampionatit për masën e gjobës për 30% të kontratës vjetore. Kemi njoftuar zyrtarisht FSHF-në që më 15 maj 2009 dhe Komisioni i Apelit në kundërshtim të hapur me të gjitha ligjet merr një vendim të njëanshëm në dëm të FK Elbasanit. Z. President nënpunësit tuaj ose nuk njohin ligjet dhe rregullat ose i fshehin ato me qëllim. Kjo e fundit është më e mundshme. Si ka mundësi që të gjithë futbollistët me përjashtim të tre rasteve janë federuar me klube të tjera pa shlyer njëherë detyrimet me klubin tonë? Si ka mundësi që trajnerit Josa i jepet e drejta e marrjeve të parave kur nuk është përjashtuar nga ky klub, por është pezulluar nga detyra e trajnerit të ekipit të parë për mungesë performance dhe nuk është pushuar nga puna? Si ka mundësi që ne ju kemi bërë një ankesë për ndeshjen e trukuar Bylis-Shkumbini dhe ende s’kemi një përgjigje. Këto çudira ndodhin vetëm në institucionin që ju drejtoni”, shkruan në letrën e tij Qazim Sejdini.