Rudi Vata, një kapiten për futbollin shqiptar

(ALBANIA SPORT) - Me një platformë të qartë prej 11 pikash - një numër konvencional i futbollit, aq sa është dhe një skuadër e topkëmbës – Rudi Vata, një nga tre kandidatët zyrtarë për presidentin e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit, është një rival i fortë si për presidentin aktual të FSHF-së, Armando Duka, dhe presidentit të Tiranës, Refik Halili. Synimi kryesor i ish-kapitenit të Kombëtares dhe agjentit të njohur të FIFA-s është “përmirësimi i marrëdhënieve federatë shtet pushtet lokal” dhe “përmirësimi i infrastrukturës dhe i futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare”. Vata, 41 vjeç, është një njohës i shkëlqyer i futbollit shqiptar (kampion me Dinamon e lojtar i Tiranës, 59 ndeshje me Kombëtaren) dhe me një karrierë si lojtar që fillon nga viti 1987 e që përfundon me varjen e “këpucëve në gozhdë” pas 18 vitesh të futbollit të luajtur, në vitin 2005, kur ai ishte 35 vjeç.
Vata, jeni zyrtarisht kandidat për presidentin e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit, teksa keni marrë përsipër përveç përmbushjes së platformës suaj edhe sfidimin e presidentit aktual, Armando Dukës, edhe një nga emrat në garë.
Është një vendim marrë jo rastësisht dhe pas një reflektimi të gjatë. Jam një njeri që e kam lidhur jetën totalisht me futbollin. Janë gati 23 vjet rresht që bota ime dhe interesat e mia lidhen vetëm me të. Dua ta ritheksoj se si kapiteni më jetëgjatë i kombëtares kuqezi, si qytetar i Republikës së Shqipërisë, që do ta shohë këtë sport të mos lëngojë pafundësisht, që t'i japim fund tranzicionit të tij, vendosa të investoj personalisht dhe me një staf timin profesionistësh të vërtetë në këtë fushë, në zgjedhjet për organet drejtuese të FSHF-së.
Sapo keni paraqitur publikisht edhe një platformë tuajën, të mbështetur në 11 pika. Cili është slogani juaj i fushatës?
Numri 11 i pikave të platformës sime është një gjetje e stafit tim, të përbërë nga njerëz profesionistë e gjithashtu të lidhur në futbollit. Deviza ime ëshrë e qartë: "Nëse je një ndjekës apo tifoz i futbollit, nëse je për të drejtën dhe nëse e do vërtet këtë lojë magjike, të bashkohemi për të sjellë ndryshimin dhe risinë në këtë sektor të jetës shqiptare!". Mesazhi im është i vërtetë dhe i sinqertë. Gjithmonë kam luajtur pastër dhe ndershëm. Është në natyrën dhe karakterin time. Fushata ime e deritanishme, besoj se ka qenë e suksesshme. Kam kontaktuar me shumë drejtues klubesh dhe me personalitet të futbollit tonë, të cilët më kanë dhënë mbështetjen e tyre.
Futbolli shqiptar, ndryshe nga ai europian, përfshirë edhe Bosnjën, kundështaren e Shqipërisë në eliminatoret në Euro 2012, nuk është se dallohet për investimet në infrastrukturë, çka është reflektuar edhe në stanjacionin e kthyer në një gangrenë. A keni ju ndonjë projekt?
Si një ish-futbollist me karrierë të gjatë ndërkombëtare, ku kam luajtur në disa prej klubeve me emër të katër vende të ndryshme, Francë, Skoci, Gjermani, Japoni, por dhe në Qipro, një vend me modest, por me një infrastrukturë gjithmonë në përmirësim të vazhdueshëm, përmirësimi i infrastrukturës në nivele të ndryshme të futbollist shqiptar, përfshirë dhe në ato inferiore, do të jetë “thembra e Akilit” e projektit tim. Gjithçka do të jetë transparante dhe prioritet do të jetë ballafaqimi me klubet e futbollit.
Paratë kanë qenë gjithmonë një problem për investimet, për më tepër që vitet e fundit ka ekzistuar një konflikt herë i ashpër dhe herë më pak i tillë midis Federatës Shqiptare dhe institucioneve të shtetit, përshirë edhe Qeverinë. Çfarë do të bëni ju ndryshe nga presidenti aktual, njëherësh e edhe ai kandidat për president?
Projekti im është i qartë dhe i kuptueshëm dhe për këtë kam vetëdije të plotë se do të funksionojë. Këtë e kam shprehur edhe në platformën time të bërë publike jo vetëm në shtyp, por dhe në takimet me klubet që më mbështesin. Përmirësimi i marrëdhënieve federatë shtet pushtet lokal. Ne do të jemi koordinatorët e këtij trekëndëshi dhe do të tregojmë me punën tonë të palodhshme se ekziston vullneti i duhur që gjërat të funksionojnë në mënyrë sa më normale dhe efektive. Presidentët apo sponsorët duhet të sjellin projektet për klubet që drejtojnë. Këto projekte do të paraqiten në takime të posaçme me UEFA n dhe FIFA n, në mënyrë që të sigurojmë mbështetjen financiare të këtyre dy institucioneve të mëdha të futbollit botëror dhe europian. Përmes bashkëpunimit me shtetin, por edhe me to, do të përmirësojmë infrastrukturën e futbollit shqiptar.
Në jo pak raste struktura të ndryshme pranë Federatës Shqiptare janë vënë në akuzë, veçanërisht gjyqtarët, të cilët shpesh me vendimet e tyre kanë qenë në qendër të ciklonit thuajse nga të gjitha klubet. Cila është receta e Rudi Vatës për zgjidhjen e kësaj nyjeje gordiane?
Personalisht gjithmonë e kam ndjekur me shqetësim këtë fenomen. Ndoshta edhe në Europë mund të ekzistojë kjo dukuri, por atje është minimale. Jam i bindur se më punën që do të bëjmë influenca e "xhaketave të zeza" në ndeshjet e futbollit tonë nuk ka për të ekzituar, siç ekziston sot. Rastet do të gjykohen me profesionalizëm dhe gabimet e qëllimshme do të ndëshkohen maksimalisht. Dhuna nëpër stadiume, si në superligë, por edhe në kategoritë më poshtë, e kanë dendësuar edhe më shumë mjegullnajën, që prej kohësh ka mbuluar futbollin tonë. Realiteti është i rëndë dhe aspak inkurajues. Ne synojmë të ndërtojmë një futboll me karakter dhe mendje të shëndoshë, me moral dhe me zemër. Kjo do të vlejë shumë edhe përmirësimi dhe rritja e imazhit të futbollit shqiptar.
Vata, duke qenë edhe kapiteni me jëtë gjatë në Kombëtaren shqiptare, si e vlerësoni punën e pesë trajnerëve të huaj, të cilët gjerësisht kanë mbizotëruar gjatë presidendcës së Dukës?
Janë paguar qindra-mijëra euro për disa trajnerë të huaj, kontratat e të cilëve asnjëherë nuk janë bërë publike, ashtu siç ka munguar gjithmonë transparenca në FSHF, por rezultatet kanë mbetur po ato. Kanë marrë lëvdatat të mëdha, por futbolli shqiptar ka mbetur në vend-numëro. Situata në ekipet kombëtare dihet cila është, e tregojnë rezultatet, por edhe produkti i tyre, nga U-17 deri tek U-21. Edhe kombëtarja e parë vijon t'i zhgënjejë edicion pas edicioni tifozët e vet, mbarë kombin tonë, pasi nuk e lëshon dot vendin e parafundit. Për mendimin tim trajnerët shqiptare të Kombëtares kanë qenë të mirë, por u ka munguar mbështetja, qoftë edhe ajo financiare. Kanë qenë gjithmonë nën presionin e makinacioneve. Në momentin që punonin një grup tjetër bënin të kundërtën, punonin si t’i eliminonin ata.
Si e gjykoni strategjinë e ndjekur gjatë tetë viteve të fundit nga presidenti aktual dhe rivali juaj Armando Duka?
E kam përsëritur shpesh se Duka nuk ka se çfarë t’i japë më futbollit shqiptar. Për mua problemi kryesor ka të bëjë me faktin se në krye të piramidës së futbollit tonë qëndron prej 8 vitesh një njeri, që nuk ka asnjë lidhje me këtë sport. Natyrisht, nuk dua dëshiroj të merrem gjatë me argumentin “Duka”, por me projektin tim. Futbolli duhet të ndërtohet mbi baza të shëndosha dhe profesionale, sipas vlerave të gjithsecilit. Ndërhyrjet, zarfet dhe miqësitë nuk mund dhe nuk duhet të jenë pjesë e institucionit të ardhshëm të FSHF së. Në zyrat e FSHF së do të ketë punë, transparencë, disiplinë, seriozitet dhe profesionalizëm. Dyert e federatës do të jenë të hapura për t'u ballafaquar me këdo, për çdo problem, në çdo moment, në çdo orë.
Le të ndalemi te gjërat e prekshme. Çfarë ofron projekti “Vata”?
Së pari, përmirësimi dhe rritja e imazhit të futbollit shqiptar, që do të nisë nga kualifikimi i trajnerëve sipas standardeve europiane të aplikuara nga FIFA dhe UEFA. Afrimi dhe përfshirja aktive e figurave të nderuara dhe profesionale të futbollit shqiptar pranë FSHF së. Për mua, por dhe për gjithë futbolldashësit pa përjashtim rikonstruksioni i stadiumit kombëtar dhe ndërtimi i një stadiumi të ri, modern, shumë i domosdoshëm për përfaqësuesen. Do të krijojmë besimin e humbur te tifozët me punë, përkushtim, seriozitet, disiplinë dhe profesionalizëm, në mënyrë që ata t'u kthehen shkallëve të stadiumeve dhe të bëjnë tifozllëk për një futboll të vërtetë.
Në garë përveç Armando Dukës është dhe Refik Halili, presidenti aktual i Tiranës.
Me Halilin ndajmë të njëjtat ide në lidhje me futbollin dhe drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. E shoh si një partner të rëndësishëm. Në fillim të javës tjetër do të bashkëbisedojmë për të unifikuar mendimet e për të dalë edhe në një vendim përfundimtar, ku si mundësi ekziston edhe dalja me një kandidaturë të përbashkët.
Në kampionatet e ndryshme europiane militojnë shumë futbollistë të rinj shqiptarë, të cilët po afirmojnë vlerat e tyre dita-ditës. Faktikisht, nën kujdesin e FSHF-së ekzistojnë tre zyra të tilla në Greqi, Itali e Gjermani.
Do të hartohet një projekt i veçantë, për të mbuluar zyrat e talenteve shqiptare në Europë, në mënyrë që të ketë barazi dhe vlerësim korrekt karshi tyre, në të mirë të kombëtareve kuqezi. Synohet cilësia, angazhimi i profesionistëve të vërtetë në gjurmimin dhe seleksionimin e tyre. Gjithçka do t'u besohet njerëzve që aspirojnë për një të ardhme të mirë të kombëtares shqiptare dhe jo të xhepave të trajnerëve, që kanë "hedhur rrënjë" përmes dështimesh të pafundme, prej më shumë se 5 vitesh.
KRITIK I MADH
Rudi Vata, më 13 shkurt mbushi 41 vjeç, ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare qysh kur drejtonte Neptun Bajko e deri të trajneri i fundit shqiptar, Sulejman Demollari (1995-2002, 59 ndeshje me Kombëtaren, 5 gola), konsiderohet edhe si kritiku më i madh i presidentit aktual të Federatës, në kërkim të mandatit të tij të tretë.
37 NDESHJE KAPITEN
Rudi Vata e ka mbajtur shiritin me e kapitenit (37 të tilla) me skuadrat e ndërtuara nga Neptun Bajko, Astrit Hafizi, Medin Zhega dhe Sulejman Demollari, por nuk morri kurrë ftesë nga trajneri i parë i huaj që drejtoi Shqipërinë në epokën e Dukës.
KARRIERË E SHKËLQYER
Me një karrierë të lavdishme futbollistike në Shqipëri e jashtë saj në Francë (Le Mans), Skoci (Sëlltik Gllasgou, St.Johnstone, ), Gjermani (Energie Kotbus, Rot Ëeis Ahlen), Qipro (Apollon Limasol) dhe Japoni (F.C.Yokohama).
AGJENT I SUKSESSHËM
Rudi Vata është një agjent i suksesshëm i FIFA-s e me një agjenci menaxhimi prestigjioze lojtarësh “Vata Vision Football Management”, pohoi pas zyrtarizmit të kandidaturës, se ai ka shumë për t’i dhënë futbollit shqiptar.
VIZION EUROPIAN
“Besoj se futbolli unë ka nevojë për një vizion të ri që të mund të ecë përkrah vendeve të tjera të Europës. Unë garantoj se në të ardhmen do të mund të përfitojmë një buxhet më të madh edhe nga qeveria”.
Shiriti
“E kam vënë shiritin e kapitenit në një ndeshje miqësore që kemi bërë në Athinë, ku trajner i skuadrës ishte Neptun Bajko dhe kam vazhduar kur kombëtaren tonë e kanë drejtuar Hafizi dhe Zhega. E mora nga Sulejman Demollari dhe ia dorëzova Foto Strakoshës”.
Golat
“Kam qenë mbrojtës, por kam shënuar pesë gola me Kombëtaren. Është një ndjenjë e bukur. Më interesanti ka qenë ai kundër Gjermanisë në Hanover (4-3), kur pësuam golin e katër në minutat e fundit”.
Fitorja
“Në ndeshjen kundër Moldavisë i kam dhuruar Shqipërisë fitoren e parë në transfertë pas gati 40 vjetësh. Sokol Kushta shënoi golin e parë, Arjan Bellaj të dytin, ndërkohë që unë realizova golin e tretë të ndeshjes”
Deviza
"Nëse je një ndjekës apo tifoz i futbollit, nëse je për të drejtën dhe nëse e do vërtet këtë lojë magjike, të bashkohemi për të sjellë ndryshimin dhe risinë në këtë sektor të jetës shqiptare!"
Dilemat e Rudit
“Pyetje me mjaft dilema brenda kanë pushtuar opinionin futbolldashës shqiptar: A janë të trukuara ndeshjet e skuadrave tona në Europë, po ato të kombëtares? Pse dha dorëheqje misterioze ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Oto Bariç, pas dy humbjeve shokuese me Bjellorusinë dhe Rumaninë? Më dhimbsen dhe më vjen shumë keq për shumë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, të cilët kanë dhënë kontribute të mëdha si lojtarë në fushë, por edhe si trajnerë, të cilët drejtuesit e FSHF-së nuk i qasin në asnjë analizë, nuk u merret asnjë mendim për zhvillimin e futbollit, janë përjashtuar nga e drejta më minimale, për të konkurruar për postin e trajnerit të kombëtares”
“Futbolli, jo pronë e një grupi njerëzish”
Rudi Vata është i qartë në idetë e tij: “Futbolli ynë është bërë pronë e një grushti njerëzish, që duan vetëm ta "mjelin" atë, t'i pijnë gjakun deri në pikën e fundit. I madhi Mishel Platini, që aktualisht mban postin e lartë të presidentit të UEFA-s, ka deklaruar dhjetëra herë që në krye të futbollit, kudo, duhen zgjedhur njerëzit e futbollit. Sepse atyre u dhemb zemra për të, të tjerët duan të përfitojnë prej tij, në mënyra nga më të ndryshmet dhe më të paimagjinueshmet për sojin tonë, që i falëm rininë dhe gjithçka kësaj loje. Shitet apo blihet ndeshja, ata duan ta dinë këtë nëpërmjet fakteve dhe jo nëpërmjet shashkave tymuese që hedh njëri apo tjetri nëpër faqet e gazetave. Nëse drejtues klubesh thonë publikisht se një lojtar, apo skuadra kundërshtare, ka tentuar të blejë fitoren, të trukojë, nëpërmjet pazarllëqeve të pista dhe për këtë ka fakte, çfarë presin krerët e federatës, përse nuk e hapin gojën, përse nuk veprojnë kundër këtij korrupsioni që po e vret lojën e bukur, "fair-play"-in e saj”
“Jo drejtues të përjetshëm”
“Tetë vite në drejtim, për cilindo njeri të kësaj bote, janë të mjaftueshme për të treguar se çfarë është në gjendje të bëjë, çfarë ndryshimi mund të sjellë. Realiteti i futbollit tonë dihet, nuk kemi bërë asnjë hap përpara, në aspektin e rezultateve. Edhe presidenti i SHBA-së, që presupozohet të jetë njeriu më i fuqishëm i botës, ka të drejtë të zgjidhet vetëm dy mandate, sepse edhe shkencërisht, më shumë se kaq nuk mund të japë asnjeri. Ndërsa në FSHF-në tonë, drejtuesit duan të jenë të përjetshëm, sepse ky është mentaliteti i tyre prej feudi, mentalitet anakronik dhe aspak modern, që nuk lejon qarkullimin e elitave. Nuk mund të shpjegohet ndryshe, përveçse një pengmarrjeje e futbollit tonë nga drejtuesit aktualë të FSHF-së”
“Kënetë me ujë të qelbur”
Presidenti aktual i FSHF-së, Armando Duka, është në krye të institucionit më të lartë futbollistik të vendit, që nga viti 2002. Vata thotë: “Populli ynë i mençur, jo më kot e ka nxjerrë fjalën e tij të urtë: "Një ujë që nuk lëviz, nuk pihet". Edhe drejtimi i futbollit tonë, pak a shumë kështu ngjan, me një kënetë, me ujë të qelbur, që mbart brenda saj gjithë papastërtitë e kësaj loje magjike në vendin tonë, por që në fakt, siç e tregojnë edhe stadiumet e boshatisura, po braktiset përditë e më shumë nga tifozët. Sepse me të po veprohet si të jetë pronë private e drejtuesve, prej 8 vitesh”
Rudi Vata
Vendlindja: Shkodër
Datëlindja: 13.02.1969
Shtetësia: Shqiptare
Edukimi:
1983-1987: Shkolla e Mjeshtërisë, "Loro Boriçi", Tiranë
1987-1991: Universiteti i Sportit dhe i Shkencës, laureuar me titullin "TPE"
Karriera profesionale:
1987-1991: KF "Dinamo", Tirana
1991-1992: "Le Mans", France
1992-1996: Sëlltik Gllasgou, Skoci
1996-1998: Apollon Limasol, Qipro
1998-2002: Energie Kotbus, Gjermani
2002-2003: Rot Vajs Ahlen, Gjermani
2003-2004: F.C.Yokohama, Japoni
2004-2005: St.Johnstone, Skoci
Aktualisht, menaxher i FIFA-s
1996-2005: Kapiten i Shqipërisë
59 ndeshje me kombëtaren
5 gola me kombëtaren
Gjuhët që zotëron: Shqip, Anglisht, Gjermanisht, Italisht, Frëngjisht
Pesë golat me Kombëtaren
Moldavi-Shqipëri, 2-3, Z
Gjermani-Shqipëri, 4-3, Z
Shqipëri-Maqedoni, 2-0, M
Shqipëri-Andorra, 3-0, M
Shqipëri-Maltë, 3-0, M
Rudi-Ana, dashuri më shikim të parë
Rudi Vata është martuar me një skoceze, Ana Frensis (Vata), me të cilën ka edhe dy djem, Ruanin dhe Rokon. Me gruan e tij, Rudi Vata është njohur në një lokal në kryeqytetin skocez, një natë krishtlindjesh dhe prej asaj kohe s’i janë ndarë njëritjetrit, kudo ku ka luajtur ish-kapiteni kuqezi, deri në Japoninë e largët. “Ishte një natë e zakonshme, si gjithë të tjerat, por për mua qëlloi me shumë fat”, thotë Rudi, teksa kujton takimin e parë me gruan e tij. Kur e kishte parë për herë të parë, ai kishte mbetur pa gojë nga flokët dhe zëri i saj, por kur ishin njohur më shumë, kishte mbetur po aq i mrekulluar nga thjeshtësia e saj. Ishte kjo e fundit që ia mori mendjen fare dhe që e bëri t’i kërkonte të martohej me të. An Frensis kishte sallonin e vet të bukurisë në Skoci, madje më parë kishte bërë edhe modelen. Pra ishte mësuar me një jetë të pasurish. Si familje jetojnë në Hamilton, 10 milje larg Gllasgout. Aty është vendosur që në vitin 1992, kur luante për ngjyrat e Sëlltikut. Skocinë e konsideron shtëpinë e tij të dytë, ndërsa skocezët një popull tepër të dashur dhe të ngrohtë.
Duka-Halili, rivalët për president
Armando Duka, presidenti aktual i Federatës Shqiptare të Futbollit; Refik Halili, presidenti i Tiranës, klubit me më shumë trofe në Shqipëri; Rudi Vata, ish-kapiteni më jetëgjatë i Kombëtares e një prej agjentëve me të suksesshëm shqiptarë të FIFA-s, janë tre kandidatët zyrtare për zgjedhjet presidenciale të 9 marsit, të cilat do të zhvillohen larg kryeqytetit, në Durrës.
ARMANDO DUKA
Kreu aktual i FSHF-së, Armando Duka, është një kandidat që mbështetet nga 24 klube të niveleve të ndryshme të kampionateve të futbollit shqiptar dhe dy shoqatave, ajo e Arbitrave Shqiptarë të Futbollit dhe Trajnerëve Shqiptarë të Futbollit. Është në këtë detyrë prej 8 vitesh, duke transformuar në një farë mënyre edhe institucionin më të lartë futbollistik të vendit, nisur edhe nga fakti se si ishte në vitin 2002, kur edhe ekonomisti 48-vjeçar qysh kur mposhti në vitin 2002, rivalin e atëhershëm Mehdi Bushati e në vitin 2006, Salvador Kaçajn e Edmond Haxhiajn. Aktualisht, Duka është duke zhvilluar një fushatë përurimesh fushash futbolli me bar sintetik (Besa e Dinamo) dhe fushash kalçetosh (në qytetin e Burrelit), ndërkohë që projektin më të madh të tij konsideron rikonstruksionin e plotë të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, një prej më të shëmtuarve në botë.
REFIK HALILI
Presidenti karizmatik i Tiranës, klubit që numëron 24 kampionate të fituara, 13 kupa të Shqipërisë, 9 Superkupa, biznesmeni Refik Halili, është kandidatura e tretë zyrtare për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. 50-vjeçari financon prej gjashtë vjetësh klubin më të pasur financiarisht në Shqipëri, duke fituar katër tituj kampionë nga viti 2003. Me një platformë të ideuar nga ish-sekretari i FSHF-së, Sulejman Starova një fushatë të menaxhuar nga ky i fundit, Halili beson se nëse bën aleancë edhe me kandidatin Rudi Vata mund t’i japë fund presidencës 8-vjeçare të Armando Dukës. “Ne dhe Vata jemi 1, pasi luftojmë për të njëjtën kauzë, atë të largimit të Dukës nga Federata Shqiptare e Futbollit. Nëse do të nevojitet do të bëjmë aleanca për të mirën e futbollit shqiptar”. “Jemi të bindur se alternativa jonë është më e mira, ajo që do t’i jap një imazh më futbollit në Shqipëri”, - shton Starova, një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në raport me FIFA-n dhe UEFA-n. Refik Halili ka bërë akuza publike ndaj Armando Dukës, të cilat kulmuan me tenderin e ndriçimit të stadiumeve. Duka dhe Halili ndodhen në një konflikt gjyqësor midis tyre.
Aleancat
Armand Duka konsiderohet si favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje dhe kjo për shkak edhe të eksperiencës së tij në këtë post, por edhe për faktin se ka marrëdhënie mjaft të mira me një pjesë të konsiderueshme të klubeve. Megjithatë, ka shumë nga ata që janë kundër rizgjedhjes së tij. Në lidhje me këtë, Rudi Vata ka deklaruar se do të ishte i gatshëm për t’i shërbyer futbollit dhe për të sjellë sipas tij, njeriun e duhur në krye të FSHF-së, ai do të ishte gati të sakrifikonte edhe kandidimin e tij. “Nëse do të lindë nevoja, që për të bashkuar votat opozitare, të bëjmë sakrifica, atëherë unë jam i gatshëm të bashkëpunoj edhe me faktorë të tjerë. Nëse projektet që ata paraqesin dhe nëse figurat që do të propozohen do të më bindin se janë të denja për të drejtuar FSHF-në dhe për të larguar Dukën, atëherë padyshim që do të bëja një kompromis. Kemi diskutuar me disa persona të tjerë (ndër ta edhe Halili) dhe do ta shqyrtojmë me kujdes edhe këtë variant. Personalisht ndihem fitimtari moral në këto zgjedhje, sepse futbollit i kam shërbyer gjithnjë me pastërti”, - ka thënë Vata.
Propozimet për kandidat
për president të FSHF-së
Armand Duka
KF Skënderbeu
KF Kastrioti
KF Gramozi
FK Laçi
KF Skrapari
KF Bilisht Sport
KF Gramshi
KF Ada
KF Burreli
KF Turbina
KF Sopoti
KF Fieri
KF Erzeni
KF Korabi
KF Adriatik Mamurras
KF Butrinti
KF Naftëtari
KF Domosdova
KF Këlcyra
KF Maliqi
KF Pojani
KF Poliçani
KF Tomorri
KF Vlora
Shoqata e Arbitrave Shqiptarë të Futbollit
Shoqata e Trajnerëve Shqiptarë të Futbollit
Rudi VATA
KF Bylis
Refik HALILI
KF Tirana
Propozimet për anëtar
të Komitetit Ekzekutiv
Lutfi NURI
Bujar KASMI
Skënder HYKA
Artan HAJDARI
Arben BICI
Muhedin TARGAJ
Arben DERVISHAJ
Sulejman STAROVA
Apostol GOCI
Abdyl KURIU
Kreshnik ÇIPI
Pjerin FUSHAJ
Ridvan KULLI
Tomorr SEFA
Artan SHYTI
Flamur BIME
Qazim SEJDINI
Gjergji THAKA
Medin ZHEGA
Alban ALIKO
Bardhyl MINXHOZI
Alfred ZIJAI
Fatos HOXHA
Erogen BRAJOVIÇ (VASO)
Fatbardh JERA
Edmond HAXHIA
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Shtune, 20 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili