Rudi Vata vetë-propozohet: Ma jepni mua përfaqësuesen
Ndërsa situata post-Luksemburg është ende shumë e nxehtë, ish-mbrojtësi kuqezi shpall kandidaturën për postin e trajnerit
Prej kohësh Rudi Vata, ish-kapiteni kuqezi dhe një prej lojtarëve më të suksesshëm të eksportuar nga kampionati shqiptar në Europë, kërkon të futet në mjediset e FSHF-së. Më parë ka synuar postin e presidentit të këtij institucioni, duke rivalizuar pikërisht kreun aktual, Armando Dukën, ndërsa tani kërkon të marrë postin e trajnerit të kombëtares. Vata, ish-lojtar i klubeve si Sëlltik Gllasgou apo Energie Kotbus, ka shpallur kandidaturën për rolin e trajnerit kuqezi. Në një intervistë dhënë për “Ora Neës”, lojtari që e nisi karrierën e tij te Vllaznia, ka akuzuar trajnerin aktual, kroatin Kuzhe, për mosmenaxhim të mirë të situatës, duke e klasifikuar si një punë të bërë dobët. “Deri më tani puna jonë ka qenë e dobët për të pretenduar kualifikimin. Humbja tregon se kemi probleme”, thekson Vata. Në lidhje me trajnerin e kësaj kombëtareje, Kuzhe, Vata shprehet se trajneri ka përgjegjësitë e veta për humbjet, ashtu sikurse merr edhe lëvdatat e krenohet për arritjet e fitores. “Trajneri duhet të ketë mbështetjen e lojtarëve dhe të grupit nëse një grup lojtarësh nuk jep atë që kërkon trajneri është e pamundur arritja e një rezultati të mirë. Humbja na solli më tepër shpenzime sesa rezultate. Ka ardhur momenti që ne duhet të punojmë me njerëz të kualifikuar, ka mjaftueshëm njerëz që kanë kontribuar mirë për futbollin. Futbolli shqiptar është në krizë, shumë skuadra janë pa lojtarë, shumë skuadra të kampionatit elitar siç është Dinamo, janë në një krizë”, komenton ish-mbrojtësi që ka koleksionuar 59 ndeshje me përfaqësuesen duke shënuar edhe 4 gola ai. Pyetjes nëse ai do të pranonte të zinte vendin e Kuzhes, nëse ky i fundit do të jepte dorëheqjen, Vata deklaroi se do e pranonte me kënaqësi një ftesë të tillë. “Do e pranoja, do të isha hipokrit nëse nuk do e pranoja. Me dëshirë do e pranoja sepse kam një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin, kam një ëndërr për kombëtaren”, përfundoi Rudi Vata.