E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mjaft!" proteston para Gjykatës së Lartë

Lëvizja "Mjaft!" protestoi dje
para Gjykatës së Lartë, duke
kërkuar që ky institucion të
mos u shmanget detyrimeve kushtetuese
lidhur me gjykimin e çështjes
"Basha". "Mjaft!" kërkoi që
Gjykata e Lartë të marrë në shqyrtim
gjykimin e ministrit të Jashtëm për
atë çka është cilësuar aferë e rrugës
Durrës-Kukës, çështje e cila aktualisht,
në kundërshtim të hapur me
Kushtetutën dhe ligjin shqiptar po
gjykohet në shkallën e parë. Drejtuesit
e lëvizjes shprehen shqetësim
për shkeljet ligjore që po ndodhin në
gjykimin e ministrit Lulzim Basha.
"Ne vërejmë se në këtë gjykim ka
shkelje të hapura të dispozitave
kushtetuese dhe ligjore. Në momentin
që Lulzim Basha ka dërguar çështjen
e tij në Gjykatën e Shkallës së
Parë, është shkelur Kushtetuta e
Shqipërisë", tha Elisa Spiropali. Ajo
shtoi se në këtë mënyrë, qeveria
"Berisha" dhe instrumentet që ajo
përdor brenda sistemit gjyqësor, po
i japin një shuplakë të fortë drejtësisë
dhe demokracisë shqiptare,
duke anashkaluar ligjet përkatëse
dhe strukturat kompetente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›