Vlorë, rektori: Dorëhiqem nëse rikthehet Musaraj
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Sërish trazira dhe mosmarrëveshje në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës. Rektori Tanush Shaska ka paralajmëruar me një shkresë përcjellëse Ministrinë e Arsimit dhe vartësit e tij në universitet, se do të japë dorëheqjen e parevokueshme në rast se ish-dekania Arta Musaraj, rikthehet në radhët e stafit të UV-së. Bashkë me të kanë kërcënuar dhe anëtarët e tjerë të stafit akademik për pezullimin e detyrave që mbajnë, duke mbështetur vendimin e rektorit. Shkak është bërë përgjigjja e ministrit të Arsimit, Fatos Beja, i cili nuk ka pranuar që të firmosë shkarkimin e Musarajt, dekane e fakulteteve të Drejtësisë dhe Ekonomikut në Vlorë. Sipas ministrit Beja, Arta Musaraj do të rikthehet në radhët e stafit akademik të universitetit të Vlorës. Ndërsa mesazhi ka arritur pasditen e së shtunës në Universitetin e Vlorës, menjëherë ka reaguar rektori Tanush Shaska, i cili aktualisht ndodhet në Amerikë pranë familjes së tij, duke paralajmëruar dorëheqjen e parevokueshme. Për këtë vendim të Shaskës është informuar krejt stafi akademik i UV dhe senati i universitetit, të cilët mbrëmjen e së shtunës kanë zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme, nga ku kanë dalë me një peticion drejtuar ministrit të Arsimit. “Ne jemi të bindur se sikundër edhe ne edhe ministri i Arsimit dëshiron të mirën e këtij universiteti”, pohohet në peticion, nëpërmjet të cilit i kërkohet ministrit rishikimi i vendimit mbi kthimin e Arta Musarajt në detyrë. Përveç qëndrimit unison kundër Musarajt në radhët e pedagogëve apo drejtuesve të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, senati dhe rreth 125 pedagogë të UV kanë firmosur peticionin drejtuar ministrisë. Ata kanë theksuar se absolutisht ky universitet nuk do të ketë në radhët e tij njerëz që kanë përdorur emrin e tij, ndërsa krejt stafi i universitetit kërkon të punojë në të mirë të zhvillimit të Universitetit të Vlorës. Për median peticioni u lexua nga z/rektorja e UV-së Pranvera Resuli, e cila pak kohë më parë paditi Musarajn për shpifje karshi saj.
Pedagogët kanë firmosur peticionin drejtuar ministrit të Arsimit dhe Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, ndërsa kanë kërkuar nga ministri Beja rishikim të vendimit të marrë. Përplasjet mes Shaskës dhe Musarajt nisën pas refuzimit, që rektori i bëri zgjedhjes së disa shefave të departamenteve nga ana e dekanes së Juridikut, për të ardhur deri në shkarkimin e saj pak javë më parë nga senati i universitetit.