E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rugova “nderohet” me dy akademi përkujtimore

Nga Express më 19 janar 2011 në ora 19:01

Me rastin e pesëvjetorit të vdekjes së ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në Prishtinë të premten do të mbahen dy akademi përkujtimore. Njëra e organizuar nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tjetra nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Njëra do të mbahet në orën 12.00 në Teatrin Kombëtar, kurse tjetra në orën 10.30 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Kjo është hera e parë që Zyra e kryeministrit, organizon akademi përkujtimore për ish presidentin Rugova, ndërkaq zyrtarë nga kabineti i kryeministrit Thaçi, kanë thënë se ka qenë vullnet i kryeministrit që manifestimi të jetë nën patronatin e tij.

LDK-ja do të jetë e para që do ta mbajë akademinë përkujtimore të premten në orën 10.30, ndërsa akademia e organizuar në mënyrë institucionale nga Zyra e kryeministrit do të mbahet të njëjtën ditë në orën 12.00.

Shefi i protokollit të kryeministrit, Edi Sejdiu ka thënë se akademia do të mbahet në Teatrin Kombëtar dhe do të jenë vetëm dy fjalime, njëri i kryeministrit Thaçi dhe tjetri i njërit nga familjarët e ish presidentit Rugova, por që ende nuk është konfirmuar se kush do t’u adresohet të pranishmëve.

Sejdiu ka thënë për Kosovapress, se ka qenë vetë dëshira e kryeministrit Hashim Thaçi që edhe ish presidentin Ibrahim Rugova ta nderojë me organizimin e akademisë përkujtimore, siç ka bërë edhe me shumë personalitete të tjera që kanë kontribuar për Kosovën.

“Ka qenë vullnet dhe dëshirë e kryeministrit për ta organizuar. Siç e dini kryeministri ka pasur edhe më herët organizime të tilla që nga marrja e mandatit, duke mbajtur akademi për personalitete të shquara që kanë kontribuar për Kosovën në një formë apo tjetër. Pra ka qenë dëshirë dhe vullnet dhe dëshirë e kryeministrit që të mbahet nën patronatin e tij”, ka thënë Sejdiu.

Në akademinë e organizuar nga Qeveria nuk do të dëgjohet i ashtuquajturi himni i Rugovës “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, por, sipas Sejdiut, do të ketë vetëm intonim të himnit zyrtar të Kosovës.

Kosovapress ka kontaktuar gjatë ditës me Kujtim Shalën nga LDK-ja për të marrë vesh për organizimin rreth akademisë që do të organizojë kjo parti për ish presidentin Rugova, mirëpo Shala nuk ka qenë i gatshëm të flas, duke u arsyetuar se duhet të marrë lejen e krerëve të partisë për të folur.

Sidoqoftë, në një njoftim të lëshuar nga LDK-ja, thuhet se kjo parti organizon akademi përkujtimore në pesëvjetorin e vdekjes së themeluesit të saj dhe udhëheqësit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ndërkaq po ashtu këtë ditë në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, do të mbahet një aktivitet letrar, që për temë do ta ketë krijimtarinë kulturore e letrare të Rugovës.

Zyrtarë nga qeveria thonë se u kanë bërë ftesë të gjitha institucioneve dhe subjekteve politike për të marrë pjesë në akademinë e organizuar nën patronatin e kryeministrit Thaçi, ndërkaq më shumë ftesa kanë dërguar në LDK.

“Janë të ftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, janë ftuar edhe gjithë partitë politike, janë dërguar ftesa edhe LDK, madje atje kemi dërguar më shumë ftesa për shkak se dihet se Rugova ka qenë kryetar i kësaj partie andaj edhe kemi dërguar më shumë ftesa”, ka thënë shefi i protokollit të kryeministrit të Kosovës.

Akademitë përkujtimore për ish presidentin Ibrahim Rugova zakonisht janë organizuar nën patronatin e presidentit të Kosovës, ndërkaq kjo është hera e parë që një gjë e tillë bëhet nën patronatin e kryeministrit Hashim Thaçi. Ish presidenti Ibrahim Rugova që nga themelimi e ka drejtuar LDK-në, derisa ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006, pas një përballje të shkurtër me një sëmundje të rëndë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›