E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Kryeministër me meny

Kryeministrat kukulla nuk i donim, e ky që
është aktualisht po na duket tepër i fortë

Nga
Berat Buzhala

Ka histori të ndryshme për mënyrën se si janë
zgjedhur Kryeministrat e Kosovës, që prej kohës kur ne kemi pasur të drejtë të
kemi Qeveri. 

Thuhet se doktori, Bajram Rexhepi, ka qenë kujdestar në spital, kur e kanë
lajmëruar se fati i tij ishte prerë. Do të bëhej shef i ekzekutivit të
vendit. 

Për Bajramin tjetër, Kosumin, thuhet se edhe bashkëshortja e tij ishte hutuar
paksa kur ai e ka ftuar në një darkë solemne me Kryeministrin e nesërm të
Kosovës.

Agim Çeku, në disa intervista, ka treguar se si Ambasadori i Shteteve të
Bashkuara të Amerikës e ka pyetur nëse e kishte lexuar Gazetën Express të asaj dite.
Çeku i ishte përgjigjur pozitivisht. Ambasadori i kishte thënë se lajmi kryesor
në ketë gazetë ishte i saktë dhe ai ishte zgjedhur për të qenë Kryeministër.

Këta tre të apostrofuar, dy Bajrama dhe një Agim, përbashkoheshin në dy pika:
ishin njerëz të mirë, por që askush kurrë si ka pyetur se kur është Bajram,
e lë më për politika më të mëdha. Kanë qenë njerëz të mirë, të ndershëm e
patriotë, por që qeveritë e tyre drejtoheshin prej zyrave partiake. Opinioni
ishte lodhur me Kryeministra kukulla. Kërkohej një dorë e fortë që ulet në
Zyrën e Kryeministrit dhe që është po ashtu Kryeministër.

Në këtë kronologji nuk e harrova, por nuk e përfshiva qëllimshëm Kryeministrin
100 ditor, Ramush Haradinaj. Ekziston një mit nëpër qytet se gjatë këtyre 100
ditëve Kosova ishte bërë lule e dritë, por mandej erdhi Kosumi dhe e dreqosi
gjithë atë punë që ishte bërë. Kush e solli Bajramin në atë pozitë, nuk ka
rëndësi apo jo?

Sido që të jetë, edhe në rastin e largimit të Haradinajt nga posti i shefi i
ekzekutivit qytetarëve u kishte mbetur pikë, sepse tek ish Komandanti i
Rrafshit të Dukagjinit e shihnin një Kryeministër autoritar dhe që respektohej
nga Ministrat. Kurse, Kosumi, e më pas Çeku, konsiderohej se nën 1, ata marrin
urdhrat direkt prej AAK-së, dhe nën dy, edhe më ato urdhra duhej të bënin
kompromis me partinë gjigante të asaj kohe, LDK-në. Deri kur aprovohej një
vendim ose një projekt, ai stërkeqej aq shumë sa gati e humbte formën
iniciale. 

Kështu është qeverisur deri në nëntor të vitit 2007, kur Kryeministër u zgjodh
Hashim Thaçi. Partia e tij kishte dalë më e madhja në vend dhe prapa tij nuk
qëndronte ndonjë Kryeministër kujdestar. 

Dy vjet kanë kaluar qyshkur Thaçi është zgjedhur shef i ekzekutivit. Një pjesë
e shoqërisë civile dhe disa media e kanë një vërejtje: Kryeministri është shumë
autoritar. Disa e quajnë diktator, e disa antieuropian. 

Këto epitete, dorën në zemër të pakëndshme edhe për vetë diktatorët,
Kryeministrit i bëhen publikisht. Komentuesit, ose botuesit gjysmë klandestin
të mediave, e dinë që po të ishin të vërteta ato që i thonë, diktatorët do të
interesoheshin pak për ta. Për bizneset e tyre, legale dhe ilegale. Disa prej
shkruesve e dinë çka janë diktatorët dhe diktaturat. I kanë përfaqësuar
diktatorët, në vende diktatoriale. 

Mirëpo, në ketë shtetin tonë, në ngritje e sipër, deri më sot askujt nuk i ka
munguar asnjë qime prej kokës, për mendimin e tij të lirë. Dhe kështu duhet të
ndodhë edhe në të ardhmen. Qeveria nuk guxon ti dënojë, ti frikësojë apo ti
ndjekë në çfarëdo forme, vetëm pse e ka thënë një të vërtetë apo të pavërtetë
në median e tij.

Mirëpo, ti harrojmë për pak çaste këto opinione, e le të merremi me problemet
reale që e presin këtë Qeveri dhe këtë Kryeministër.

Çka do të bëja unë po të isha Kryeministër i Kosovës? 

Në gjysmën e mandatit të kësaj Qeverie, kanë filluar tashmë të procedohen disa
projekte shumë interesante për zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërtimi i
Autostradës që e lidh kombin, shpallja e tenderit të vonuar për TC Kosova C,
ndërtimi i HC të Zhurit, shitja e Valës 900 dhe projekteve të kësaj natyre
kapitale. Lajm jashtëzakonisht inkurajues paraqet bashkëpunimi i serbëve
lokalë, hiq ata që jetojnë në pjesën veriore, me autoritetet e Republikës së
Kosovës. Ky trend duhet të ushqehet me marifet, në mënyrë që të kemi arsye të
kërkojmë me ngulm realizimin e masterplanit për shtrirjen e pushtetit edhe në
veriun e vendit. 

Realizimin e këtyre synimeve do ta shtyja fuqishëm përpara. Si Bibël, përpara
vetes do ta mbaja Raportin e Progresit të Komisionit Europian, i cili nuk ka
qenë gjithaq i errët, siç e përshkruan opozita dhe mediat e afërta më të, por
as i mrekullueshëm, siç deshi Kryeministri tia shesë opinionit. Prej tavolinës
së punës kurrë nuk do ta largoja as Raportin e Freedom House, e as raportet tjera
të organizatave respektabile që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut,
lirinë e shprehjes dhe të besimit dhe zgjedhjeve të lira. Bazuar mbi këto
raporte, në mënyrë autoritare, nëse dëshironi quajeni edhe diktatoriale, do ti
futesha ndryshimeve qeveritare, gjithmonë duke bashkëpunuar ngushtë me
partnerin tjetër në qeverisje.

Para vetës këto ditë Kryeministri e ka edhe sfidën e zgjedhjes së Drejtorit të
Përgjithshëm të Televizionit të Kosovës. Me apo pa fajin e tij, RTK ka qenë
Thembra e Akilit të kësaj qeverisje. Kryeministri Thaçi, e posaçërisht
zëvendësi i tij Hajredin Kuçi, i cili nuk është që nuk ka treguar zell për ti
futur ngapak duart rreth mediumit publik, duhet që pa kurrfarë rezerve ti
ftojnë të gjithë të interesuarit që ta monitorojnë procesin e zgjedhjes së
drejtorit të ardhshëm, e vetë të qëndrojnë sa ma larg prej tij. Fundja, emri që
do të zgjidhet në krye të këtij mediumi, do të tregojë se sa larg Qeveria ka
qëndruar prej procesit. 

Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër as nuk guxojnë të bien nën ndikimin e analizave
të analistëve/politikanë, e as nuk guxojnë ti injorojnë raportet që bëhen për
Kosovën nga institucionet ndërkombëtare. 

Kur Hashim Thaçi ishte zgjedhur Kryeministër i Kosovës, kjo gati nuk ka
paraqitur lajm. Ai nuk ishte zgjedhur në darka me diplomatë, e as me short, por
sepse i kishte fituar zgjedhjet. Prandaj, askush nuk ka pritur prej tij që
ndonjë qejfprishuri prej zgjedhjeve të vitit 2007 tia ledhatojë sedrën, e as
nuk pret prej tij që të bëjë kompromis me mandatin që e ka fituar. Prej tij
pritet vetëm ti përmbushë premtimet e bëra në vitin 2007.

(*) Kryeredaktor, Express, Prishtinë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›