Edi Rama kërkon të pamundurën
Fëmija sapo lind fillon e qan dhe kërkesa e tij e parë është ushqimi si nevojë biologjike, kërkesë kjo e natyrshme e jetësore. Pasi ai rritet, kërkesat e tij nuk ushqehen më nga instinktet biologjike, por ato sistemohen, disiplinohen dhe në përshtatshmëri me situatën konkrete të paraqitur në mënyrë të ndërgjegjshme ngrenë zërin e tyre për të plotësuar një nevojë domosdoshmërish jetike për njeriun, gjithmonë në kufijtë e pranueshëm të shoqërisë njerëzore brenda logjikës, rregullave e ligjeve të vendosura po nga vetë njerëzit. Kërkesat mund të jenë individuale, për të rivendosur një të drejtë në vend kur ajo është shkelur dhe dëmton individin, mund të jenë me një interes komunitar kur vendimi i marrë apo ligji i miratuar dëmton një komunitet të tërë, mund të jenë dhe me interes politik kur akti i bërë prezent rëndon një forcë politike të caktuar, mund të jenë dhe me karakter kombëtar, kur hapi i marrë nga një qeveri në drejtim e sipër me një marrëveshje të lidhur, shkel sovranitetin, sigurinë e territorin e vendit. Por sido që të jetë, çdo njëra nga kërkesat e mësipërme duhet të orientohet nga ligji, të drejtohet prej tij, si një monark i vetëm i një shteti që është vendosur nga sovrani popull. Themi se kërkesat duhet të drejtohen nga ligji sepse, është ai dhe vetëm ai që të jep të drejtë, është ai dhe vetëm ai që të kthen pronën nëse ajo të është cenuar, është ai dhe vetëm ai që të rivendosë në vend dinjitetin nëse ai të është shkelur nëpërkëmbur apo dhunuar, është ai dhe vetëm ai që të mëson shumë gjëra në jetë, e të disiplinon në marrëdhënie me shoqërinë dhe shtetin ligjor. Në pamje të parë duket se të gjithë ato fraza të përmendura më sipër të gjithë i dinë, duke përfshirë dhe të adresuarin Rama dhe përsëritja e tyre herë pas here duken sa rituale aq dhe rutinë. Por nuk mjafton vetëm fakti t’i dish ato, por sekreti është t’i zbatosh ato, t’i besosh e t’i nënshtrohesh atyre aq shumë sa të shkrihesh me to si një i tërë, pasi një mosnderim i tyre është njëlloj sikur ato jo vetëm të mos jenë pronë e njerëzve, po të krijohet përshtypja sikur ato nuk ekzistojnë fare. Se nuk ka se si të shpjegohet fakti që Edi Rama në thelbin e kërkesës së tij, tashmë publike, ka vendosur “pamundësinë” duke kërkuar hapjen e kutive me idenë, “jo ndryshimit të numrit të deputetëve në tavolinë, por atë të krijimit të një precedence pozitive që do t’i presë rrugën manipulimit të votave” në të ardhmen. Në pamje të parë të duket një kërkesë sa e thjeshtë aq dhe normale, sa që të habit dhe të bën të mendosh e të pyesësh veten, se nuk ka asnjë vështirësi për t’u bërë ky veprim. Mirëpo në analizë të kësaj kërkese, bazës ligjore ku ajo mbështetet, mënyrës se si ajo është futur në axhendën e PS-së dhe strukturave të saj personalizimi që i është bërë asaj duket fare qartë se ajo ka vetëm një lidhje dhe një emër, të adresuarin Edi Rama, nga i cili dhe ka buruar. Dhe duke kërkuar plotësimin e saj në rrugë ilegjitime problemi jo vetëm është bërë publik e i politizuar, por ai nga vetë i adresuari kërkohet të shndërrohet në një konflikt liderësh të forcave më të mëdha politike e të bëhet objekt prezent pa qenë i tillë. Sepse nuk ka se si shpjegohet ultimatumi, që Edi Rama i kërkon Kryeministrit Berisha hapjen e kutive, kur e di fare mirë që ai (Kryeministri) as nuk hap e as nuk mbyll kutitë, sepse këtë të drejtë kushtetuese e kanë institucionet përkatëse, që e kanë thënë fjalën e fundit. Pra jemi përpara të pamundurës, pasi janë komisionet zgjedhore, komisioni qendror dhe gjykata e kolegjit zgjedhor ato institucione legjitime që kontrollojnë, monitorojnë të gjithë procesin zgjedhor dhe përcaktojnë fituesit e tij dhe mbi krye të tyre qëndron Gjykata Kushtetuese si arbitri kryesor për zgjidhjen e kësaj kërkese. Për një moment, apriori pranojmë faktin se Berisha pranon të hapen kutitë, (gjë të cilën ai nuk e ka në kompetencat e tij, por supozojmë) si do t’i bëhet sikur të ngrihet pjesa tjetër e politikës që mbështetet nga shumica në rastin konkret, e të kërkojë moshapjen e kutive, pasi dhe ato mendojnë se kanë të drejtë (se ato janë dhe më shumë) ta ndërmarrin këtë veprim. Çfarë do të ndodhë e si do të veprohet? Pra ndodhemi para faktit të çorganizimit të shtetit në mënyrë të organizuar (çorganizim i organizuar). Përsëri jemi përpara pamundësisë. Hamendësojmë se e tillë paraqitet situata konkrete, por që kurrë nuk mund të ndodhë në një shtet, ku funksionojnë të gjitha institucionet. Atëherë si do të zgjidhet ky problem që vetëm për të adresuarin Rama ekziston si i tillë. Mendojmë se në këtë rast i pamunduri Rama kërkon pamundësinë pasi duke e ditur që ajo nuk arrihet, mëshirohet me mëvetësinë e tij mjerane dhe përpëlitet sa andej-këndej vetëm me shpresën e humbjes së madhe dhe në të ardhmen. Mirëpo problemi është brenda vendit, e si i tillë është publik, i prekshëm e i kapshëm për të gjithë dhe këtu kampit të majtë “i vijnë në ndihmë”, humbësit e zgjedhjeve, dështakët e vegjël, sahanlëpirësit e politikës së djeshme dhe asaj të sotme, të cilët bashkohen me kërkesën e Edi Ramës (se ato s’kanë me çfarë të humbin) drejt të pamundurës. Në skena e intervista na dalin “disa alpinistë” si Gjinushi, e Milo, (që kanë dalë nga e njëjta vezë me dy të kuqna) Veliasi i vogël (debatikasi i Mjaftit, që e la dhe pa financë dhe u siamizua me Edi Ramën), Legisi inatçi (që s’gjen rehat me asnjë parti), Zogaj, Ndoka apo Ngjela. Sikur personat e mësipërm të kishin fituar mandatet e deputetit, a thua ky do të ishte qëndrimi i tyre në lidhje me zgjedhjet? Sigurisht që jo. Është fatkeqësi pastaj të shikosh që këtij personi (e kemi fjalën për të adresuarin Rama) t’i shkojnë pas dhe disa njerëz të tjerë, që ndoshta nuk e meritojnë ndëshkimin, braktisjen apo përbuzjen e që besojnë tek idealizmi, ashtu si tek Zoti. Korrigjojmë pozicionin e tyre me shprehjen. “Është mirë të gjesh strehë tek Zoti sesa t’i kesh besim njeriut”. Të besh të pamundurën për të fituar një të drejtë të mohuar nga ligji përkohësisht, kjo është sa e pranueshme civile e kurajoze, aq dhe fisnike dhe e guximshme, sepse ke me vete një gjë të madhe, ligjin. Por të kërkosh të pamundurën kur e di fare mirë që ajo nuk ekziston, nuk je orientuar, të mungon vizioni, të mund vetvetja e nuk pyet për të tjerët kushdo qofshin ata, e të trashet litari nga zullumet që ke bërë e bën, dhe fundi dihet, gremina. Por këtu nuk bëhet fjalë për një njeri që kërkon të hidhet vetë në greminë, por për një subjekt politik që ky njeri kërkon ta hedhë në greminë. Dhe kjo nuk është sfidë, por çmenduri si njerëzore, por dhe politike. Populli thotë: “ ǒtë mbjellësh, do të korrësh” e më pas vijon: “Kush mbjell erën do të korre furtunën”. Për të shpëtuar nga ky fatalitet, (i drejtohemi të adresuarit Rama), largohu nga e pamundura, drejtohu të mundurës duke dëgjuar dhe zërin brenda forcës tënde politike, zë i cili në këtë rast është frytdhënës dhe me vlera si politike për PS, por dhe historike ndaj vendit, çlirohu nga shtërgesa e djeshme dhe nga fobia e sotme që të jesh i qetë dhe pa komplekse si një njeri normal në një vend normal. Nuk është në moralin e politikës në përgjithësi dhe asaj të PS-së në veçanti që ju nuk konkurruat në krye të listës për deputet, (kjo ishte zgjedhja juaj e gabuar që me të drejtë e kanë kritikuar dhe ndërkombëtarët) por nuk është fare e ndershme që sot ju vetë merrni rrogë si kryetar bashkie, ndërsa deputetët tuaj të PS-së kanë 4 muaj që nuk paguhen për shkak të bojkotit të unit tënd. I ke shtruar vetes ndonjëherë pyetjen se me çfarë i ushqejnë ata familjet e tyre (se jo të gjithë kanë fituar imunitetin tuaj ekonomik) apo mendon se dhe ata mund të merren me punë të pista. (Të adresuarit Rama) “Kur nuk do të lejoni epshet të kontrolloni jetën tuaj, do të gjeni lumturinë e vërtetë”. Demokracia i shërben dhe duhet t’i shërbejë të gjithëve, e duhet të mësohemi që si të diturin e të paditurin, të shëmtuarin e të bukurin, të fortin e të dobëtin, trimin dhe frikacakun, të mirin apo të keqin, të pasurin apo të varfrin, të shëndetshmin e të sëmurin t’i shikojmë si të barabartë në mes të barabartëve përpara ligjit, kur secili prej tyre të marrë atë që meriton. Kështu funksionon demokracia që tani për tani është fjala më mirë që ka gjetur njerëzimi, që për ne u vonua për pesëdhjetë vjet. Por, sikur pamundësia Rama të kufizohej vetëm tek ai apo vetëm në subjektin e tij politik, kjo ishte gjysma e së keqes, por në demokraci parimet “Shumica udhëheq, e pakica ka të drejta”, “Pa oponencë nuk ka zhvillim”, “Opozita është qeverisja e korrigjimeve të pozitës”, janë elementët me të njohur të shprehjes së saj dhe vlejnë për të gjithë popullin, i cili pret dritën e perëndisë drejt Perëndimit, të largët dikur por shumë të afërt tani, ndaj dhe zgjidhja duhet kërkuar tek formula: “Të bëjmë të pamundurën për të arritur të mundurën”. Edhe pse recetat e ndërkombëtarëve tani dihen fare mirë nga të gjithë, nuk është keq t’i përmendim. “Guxoni për konsensus nëpërmjet dialogut”, “guxoni për harmoni pavarësisht të qenit kundërshtare politikë”, “guxoni për tolerancë si shprehje e respektit reciprok” dhe në fund guxoni t’i bëni mirë vendit e popullit tuaj, se ky është guximi dhe trimëria më e madhe, që mund t’i bëhet një kombi. Dhe ky akt i guximshëm duhet të kalojë vetëm nëpërmjet ligjit, dhe vetëm ligjit. Le të shërbejë kjo thirrje si një lajtmotiv për të gjithë politikën shqiptare që ka aq shumë punë për të bërë sot dhe në të ardhmen për të gjithë ne.